Nga Roland Qafoku, ekskluzive për Gazetën Fjala
E trumbetuar si një besëlidhje e re, me mimoza dhe flamuj kuq e zi në duar, manifestimi i 2 marsit, i drejtuar nga presidenti i republikës Ilir Meta, shënoi një gur kilometrik të rëndësishëm në historinë politike të tranzicionit. Nuk ishte parë më parë, e vështirë të ndodhë sërish, që një kryetar shteti proteston në bulevard me rreth 50 mijë mbështetës kundër qeverisë dhe shkeljeve të saj.
Nuk ishte parë më parë që kreu i shtetit, duke përdorur një kauzë të drejtë si ajo për të mbrojtur Kushtetutën, të zëvendësojë totalisht opozitën dhe të bëhet qendra e gravitetit të të gjithë të pakënaqurve ndaj qeverisë. Janë të paktën 10 konkluzione që dalin nga kjo protestë që nisin që nga tronditja që presidenti i shkaktoi mazhorancës, kauzës së drejtë të Metës në mbrojtje të Kushtetutës, rivalitetit për lidershipin e kreut të opozitës e deri te reagimi i diplomacisë amerikane dhe komentet e medias ndërkombëtare.
1. Manifestimi i 2 marsit tregoi se Ilir Meta është kundërshtari real dhe numër një i kryeministrit Edi Rama dhe vetëm Meta mund ta trondisë atë personalisht dhe mazhorancën e tij. Këtë Meta e arriti realisht vetëm pasditen e të hënës në prani të rreth 50 mijë protestueseve që, ndonëse shumica ishin pjesë e strukturave të opozitës, tregoi se ai ka intuitën të jetë lojtar politik që luan në nivele të larta dhe Rama nuk e ka të lehtë përballjen me të.
2. Manifestimi i 2 marsit tregoi se dekretimi që presidenti Meta bëri në bulevard dhe kërcënimi se në rast mos reflektimi deri më 15 mars do shpërndajë parlamentin, është një lëvizje e fortë që shkaktoi panik në radhët e kësaj maxhorance.
Ndonëse qeveria u kujdes të ruajë “qetësinë” duke bërë edhe indiferenten, ajo nuk e arriti atë. Ky moment tregoi se grumbullimi i shumë pushteteve është pika më e dobët e Edi Ramës dhe rrezikon që po ky superpushtet të sjellë një situatë sipas të cilës nuk ka ç’të bëjë me këtë superpushtet.
3. Manifestimi i 2 marsit tregoi se kauza e Ilir Metës për shkeljen e kushtetutës nga ana e kryeministrit Rama dhe e mazhorancës së tij është një kauzë që ka brenda moral të lartë. Ajo ngjit si kauzë jo se masa e njerëzve kupton nenet e kushtetutës, por se kjo lëvizje është shumatorja e të gjitha pakënaqësive dhe problemeve që e kanë shoqëruar këtë mazhorancë që nisin nga largimi i mbi 300 mijë shqiptarëve, nga niveli i ulët ekonomik, niveli i lartë i korrupsionit e deri te dështimi në shumë premtime që janë dhënë.
4. Manifestimi i 2 marsit tregoi se një pjesë e madhe e intelektualëve më në zë në vend jo vetëm janë kundër kryeministrit dhe mazhorancës por mbështesin fort presidentin e Republikës. Fjalime si ai i konstitucionalistit, Ledi Bianku, i artistit polivalent, Bujar Kapexhiu, por edhe i të tjerëve, tregoi se Rama vërtetë është në pushtet me 700 mijë vota por ato vota nuk vlejnë sa mendimi intelektual qoftë i një grupi të vogël por edhe të një të vetmi.
5. Manifestimi i 2 marsit tregoi se Ilir Meta është një rrezik potencial për lidershipin e opozitës aktuale. Lulzim Basha vërtetë e mbështeti atë, por njëkohësisht kuptoi dhe pa me sytë e tij se ai, vërtetë mund ta kontrollojë nga brenda partinë që drejton nga rivalët dhe konkurrentët, por nuk mund të kontrollojë nga ata që janë jashtë PD.
Basha dhe lidershipi në PD është i merakosur nga një largim i mundshëm i Metës nga detyra e presidentit dhe kthimi në vendin e tij natyral në politikën aktive. Nëse kjo ndodh, ka shumë gjasa që Meta të marrë në dorë frenat e opozitës dhe kjo do thoshte lëkundje e fortë e pozitave të kryetarit Lulzim Basha.
6. Manifestimi i 2 marsit tregoi se diplomacia amerikane është shumë e interesuar për situatën politike në Shqipëri. Ndonëse disa analistë e kritikuan statusin në twitter të ambasadores Yuri Kim për flamurin amerikan në duart e Metës, në pikëvështrimin tim ato dy fjali nuk ishin mbështetje por nuk ishin as kundër këtij manifestimi.
Megjithatë, kam bindjen se kauza dhe lëvizja e presidentit Meta do të arrijë fitoren vetëm nëse ka mbështetjen e SHBA. Nëse nuk do e ketë këtë mbështetje, zor se kjo fitore mund të arrihet.
7. Manifestimi i 2 marsit tregoi se në çfarë gjendje të keqe është Public Relations i politikës shqiptare. Kishte arritje në mënyrën se si presidenti arriti të përçojë mesazhin e vet drejt publikut dhe mes të tjerave i mjaftoi edhe dalja në tribunë e disa personaliteteve për të treguar mbështetje të fortë.
Por sa shumë lë për të dëshiruar PR i mazhorancës kur shikon nëpër studio televizive personazhe me ‘IQ’ të ulët e që mbrojnë qeverinë me argumente nga më idiotët e mundshëm. Kurrë nuk e kam kuptuar se si një parti si PS, me aq shumë potenciale në të, me aq shumë burra e gra që e kanë armë të fortë moralin, që kanë formim të mirë e që artikulojnë po aq mirë, të katandisen, të përfaqësohen në studio me njerëz pa moral, pa integritet dhe të depersonalizuar dhe me një servilizëm të pështirë që edhe vetë Ramës duhet t’i vijë ndot, rrjedhimisht i heqin aq shumë pikë kësaj mazhorance.
8. Manifestimi i 2 marsit tregoi se media shqiptare dhe, veçanërisht, ajo ndërkombëtare, e trajtoi atë si një ngjarje jo të zakonshme. Pothuajse të gjitha gazetat dhe televizionet më prestigjioze në kontinent si “New York Times”, “Washington Post” etj, i dhanë asaj rëndësi maksimale duke treguar se në Shqipëri vërtetë diçka po ndodh.
Sipas traditës në Shqipëri mediat u pozicionuan në ‘pro’ dhe ‘kundër’ dhe pak ose aspak ishin ato që nuk mbajtën qëndrim. Duket se në këtë betejë të re, kulmin e mbajtën mediat kundërshtare të Metës që patën një impenjim maksimal për disa ditë me radhë duke e sulmuar atë në disa drejtime deri në ripublikimin e videove të viteve më parë.
9. Manifestimi i 2 marsit tregoi se mazhoranca do ta ketë gjithnjë e më të vështirë të vijojë procedurat e shkarkimit të presidentit. Ndërsa po vetë ajo e ka zgjatur këtë proces për më shumë se 4 muaj, ky ngurrim do të jetë edhe më i madh tani e tutje. Socialistët janë mese të vetëdijshëm se një shkarkim i mundshëm do t’i hidhte benzinë zjarrit të kësaj situate dhe kjo do ishte në favor të Ilir Metës.
Nuk është çudi që të kemi sërish shtyrje të procedurave dhe nëse fusim këtu faktin që nuk ka Gjykatë Kushtetuese, edhe nëse parlamenti e shkarkon Metën, ai sërish do vijojë detyrën deri sa të formohet kjo gjykatë. Që do të thotë që ky shkarkim të shkojë në kalendat greke.
10. Manifestimi i 2 marsit tregoi se Edi Rama ka nisur të mendojë për marrëveshje të mundshme me Ilir Metën. Duket si një çmenduri në këtë situatë ku ndodhemi, por marrëveshjet mes tyre kanë ardhur pikërisht kur konfliktet politike kanë qenë në kulm. Historia e raporteve mes Ramës dhe Metës ka qenë e konflikteve të mëdha, por ka qenë edhe e marrëveshjeve të mëdha, nga më të çuditshmet dhe spektakolaret.
A nuk ndodhi kështu në vitin 2007 kur Meta u pozicionua në krah të Ramës duke e mbështetur në zgjedhjen për një mandat të tretë në krye të bashkisë së Tiranës? A nuk ndodhi kështu në vitin 2013, kur Meta u pozicionua në krah të Ramës duke u ‘divorcuar’ nga koalicioni me Berishën? Atëherë përse duhet të përjashtojmë që i ndodhur në një situatë jo komode, Rama të mos mendojë për marrëveshje?