Konfindustria vlerëson, se pasojat negative të heqjes me detyrim të taksës 100%, të zbatuar prej më shumë se një viti nga Kosova ndaj prodhimeve me origjinë nga Serbia dhe Bosnje-Hercegovina, duhet të shoqërohen me ngritjen dhe bërjen efektive sa më shpejt të institucioneve të kontrollit dhe zbatimit të masave të parashikuara në marrëveshjet ndërkombëtare të tregtisë së lirë, rregullave të OBT/Organizatës Botërore të Tregtisë, CEFTA, etj,.
Konfindustria vlerëson, se sipas të dhënave historike një numër i madh i mallrave dhe shërbimeve me origjinë nga Serbia kanë pasur natyrën e mirëfilltë të politikave “dumping” në kundërshtim të qartë me praktikat ndërkombëtare të tregtisë së lirë.
Qeveria e Serbisë ka subvencionuar në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë eksportet, me synimin e kapjes së tregjeve, falimentimeve dhe/pamundësisë së ndërtimit të industrive vendore si dhe krijimit të monopoleve tregtare në Kosovë. Politika të tilla kanë qenë dhe janë të pranishme edhe në tregun e Shqipërisë për prodhime të caktuara.
Konfindustria vlerëson, se agresioni tregtar i Serbisë ndaj industrive dhe prodhimeve të Kosovës, është ndihmuar nga bashkëpunimi me grupe monopoliste vendore me ndikim të qartë korrupsionit në vendimmarrjen politike, agjencitë doganore, tatimore, etj..
Gjithashtu, rol të rëndësishëm negativ dhe ndihmues të politikave të agresionit tregtar të Serbisë ka pasur edhe paa3ësia e agjencive shtetërore të Kosovës për të kontrolluar kontrabandën masive. Kontrabanda është kushtëzuar edhe nga mungesa e kontrollit të plotë të territorit në pjesën veriore nga qeveria e Kosovës, që e ka kthyer praktikisht zonën në fjalë në një nga “magazinat” më të mëdha të kontrabandës në Evropë./Fjala.al