Nga QAZIM SHEHU
Dedë Vukaj u lind më 10 mars 1959 në Shëngjergj –Tropojë. Ai mbaroi universitetin “Luigj Gurakuqi”, Shkodër, më 1981, duke mbrojtur diplomën me temë: ”Organizimi i vjetër shoqëror në fiset e Nikaj-Mërturit”.
Krahas punës së shkëlqyer si mësues, pasioni i tij ka qenë dhe mbetet mbledhja dhe hulumtimi i visareve të popullit në fushën e historisë, etnologjisë, folklorit, fjalës së rrallë, traditave e normave zakonore. Shkrimet, kronikat, esetë, reportazhet, intervistat, vëzhgimet, ai i ka pasyruar në gazeta lokale dhe qëndrore që herët e në vijimësi, si: ”Nikaj –Mërtur”, ”Shkëlzeni”, ”Zëri i Rinisë”, ”Zëri i Popullit”, ”Bashkimi”, ”Mësuesi”, ”Koha Jonë”, ”RD” etj.
DEDË VUKAJ mban titullin: “Mësues e veprimtar shoqëror”, dekoruar nga bashkia Tropojë. Ky libër është frut i një pune të palodhur e këmbëngulëse për të pasyruar historinë e lavdishme të Nikaj-Mërturit, si një krahinë qëndrestare kundër invazioneve të huaja, njëkohësisht, fisnikërinë e kësaj treve dhe vlerat e larta morale, kulturore e zakonore që ajo i mbart në shekuj;njëherit edhe një homazh nderues për figurat kreshnike të historisë së kësaj treve.
Në librin e tij, Dedë Vukaj u referohet shumë autorëve që kanë shkruar për Nikaj –Mërturin, vendas dhe të huaj, si dhe vendos mjaft shkrime të tijat, të cilat përbëjnë një mozaik shumëngjyrësh, duke përfshirë një tematikë të gjerë. Synimi për ta paqyruar sa më gjerësisht këtë trevë të Alpeve tona, është shoqëruar nga një zhvillim shterues tekstor dhe me kompetencë prej autorit, duke u ndalur në disa pika të rëndësishme, të cilat përbëjnë kahet e një jete që zgjerohet dhe manifestohet në shumë rrafshe.
Origjina e fiseve, doket, zakonet, që përbëjnë qëndresën dhe pamposhtmërinë e racës ilire-shqiptare në vijimësi; natyrën gjeografike të kësaj treve, me relievin, bukuritë natyrore, pyje, kullota, ara, toponime të ruajtura në shekuj si kujtesë.
Paraqitja e këtyre cilësive nuk është një aspekt dekorativ sa për të kënaqur këshërinë e një lexuesi apo turisti, por ajo lidhet me njeriun, me malësorin e hershëm dhe të ri,krenar dhe besnik i virtyteve të larta, që i kultivoi në shekuj dhe i ruajti ato si dëshmi e etnicitetit dhe e qëndresës. Edhe pse autori është i atyre anëve, ai nuk tregohet emocional, por emocioni përftohet prej qasjeve rrëfyese e studimore.
Natyrisht këtu nuk mund të rrihet pa përmendur burrat me zë të kësaj krahine, të cilët ditën të ruajnë dhe të bëhen prijës në çaste të vështira, kur, me zërin e tyre kushtrimtar dhe mençurinë proverbiale, ditën të organizojnë njerëzit dhe t`u dalin përballë armiqve shovinistë e të fitojnë.
Betejat e shumta në Qafën e Kolçit apo vende të tjera, na dëshmojnë për këtë qëndresë heroike dhe dëshirën e malësorit për të qenë të lirë. Këtu spikatin figurat madhore të Gjelosh Ramës, Tunxh Miftarit, Prel Tulit etj; autori shtjellon mjaft episode nga jeta e tyre, për të na i sjellë ato sa më reale, njëkohësisht me aureolën e tyre të lavdishme.
Këta burra nuk ishin vetëm qëndrestarë në rezistencën e tyre ndaj të huajve, në atë antikomuniste, por edhe mentarë, të zgjuar, të urtë e fisnikë, kur fjala e tyre dhe pesha e saj mbetet një monument kujtese edhe sot.
Nuk mund të harrohen bëmat e fjalës nga Nikë Mengja e Tunxh Miftari, dëshira për të kuptuar për racionalitetin e saj ose humanizmin dhe autoritetin e padiskutueshëm të kuvendimit. Ata jetuan çaste të vështira, mungesën e shtetit, presionin e hordhive të huaja dhe, pikërisht në këto rrethana të jashtëzakonshme, nuk e humbën toruan, por ditën të orientojnë drejt, dhe me fjalën e tyre paqtuan zemrat e njerëzve.
Në këtë libër lexuesi do të gjejë edhe faqe të të tëra të krijimtarisë së popullit, folklorin e mrekullueshëm të kësaj zone, që dallohet për epizmin dhe bukurinë e fjalës.
Jo më kot, Nikaj –Mërturi ka qenë rezervati i Ciklit të Kreshnikëve dhe, në këtë trevë, at Donat Kurti dhe Bernadin Palaj mblodhën Ciklin e famshëm. Folklori është dëshmi e shpirtit krijues të kësaj zone, e shijes së hollë artistike për të bukurën, dëshmi e kujtesës historike, që evidenton estetikisht ngjarje kyçe, ku lëvizin dhe marrin kuptim dinamik skena, histori, protagonistë të rëndësishëm dhe kurajozë.
Gjejmë në këto poezi vargje të bukura, epitete rrezëllitëse, por edhe nuancat e gjuhës dialektore, të cilat përshkëndisin në muzgjet e historisë. Por, mbi të gjitha, jepet përmes vargjeve pathyeshmëria e malësorëve përballë të huajit, ruatja e trashëgimisë dhe e vlerave të moçme të qëndresës, krenarisë dhe dinjitetit njerëzor.
Vargjet rrjedhin të kristalta si uji i lumit të Currajve të Epërm e herë gjëmojnë si bubullimat në Majën e Hekurave. Ato mbajnë peshën e fjalës së mençur, karakterizojnë me lakonizëm dhe shprehin shumë, përmes fjalës së kursyer. Jo pak evidenton në librin e tij autori, kohërat e reja, arsimin, kulturën, krijimtarinë artistike. Kjo zonë i ka dhënë shumë kulturës së kombit me këngëtarët, piktorët, poetët, valltarët, instrumentistët, kompozitorët, regjisorët, njerëzit e fjalës, të tingullit dhe të ngjyrës.
Dhe nuk kishte sesi të ndodhte ndryshe, ndërsa përfytyrojmë bukuritë natyrore të saj, shpirtin liridashës dhe historinë, ku çdo gur, majë e grykë, është një ngjarje e rëndësishme, e vlertë dhe kurajoze, që dëshmon vërtetësisht vlera të qenësisë kombëtare.
Ndërthurja e kohërave pa iu përmbajtur kronologjisë së tyre, është një aspekt tjetër i kompozimit në këtë libër, që synon të japë çështje kulmore, duke arritur deri te cilësimi i meritueshëm: Nikaj–Mërturi një margaritar i Alpeve.
Kjo ndërthurje ruan sensin e së vërtetësisë historike dhe shpirtërore, apelon për sot e në të ardhmen, për vijimësinë e këtyre vlerave, që ato të mos tronditen nga moderniteti e globalizmi, sepse janë një pasuri e çmuar.
Libri i Dedë Vukajt është një mozaik i gjallë i jetës historike dhe aktuale, një enciklopedi e saj, por, njëherit, një dramë e fatit njerëzor në ruajtjen e vlerave.
Ai vjen si kurorëzim i një pune të palodhur dhe si shenjë e dashurisë dhe e respektit ndaj rrënjëve të gjenezës, ndaj vendlindjes, duke argumentuar me zotësi trajtesën e tij dhe duke na i sjellë kohërat dhe njerëzit si homazh përmes mirënjohjes.