Miratimi i projektligjeve/ Fuga: Pyll ku egërsirat më të forta hanë çfarë gjejnë përpara

Akademiku Artan Fuga ka komentuar projektligjet e miratuara së fundmi në Parlament, ku ndër to bën pjesë dhe zgjatja e mandatit të kryetarit të Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushit.

Fuga në rrjetet sociale shkruan se ligjet e miratuara së fundmi i ngjasojnë “një pylli ku egërsirat më të forta hanë çfarë gjejnë përpara, është ligj i xhunglës dhe i botës së kafshëve, vlen për popuj barbarë, por, jo për shoqëri të kulturuara, për agjenci që ndërtohen për parime dhe vlera demokratike!”.

Postimi i plotë:

Slogani fatkeq: Asgjë me ligj, çdo gjë me votë! është udhërrëfyes për neodiktaturat!

I shkon një bande keqbërësish ku kush ka më shumë ndjekës bëhet kapo-bandë, i shkon një shoqërie si Serbia e Millosheviçit ku kombi me shumicë dhunonte, masakronte, kombe më të pakët në numër si shqiptarët, i shkon një grupi të çmendurish që nuk duan ligj, por vetëm larje hesapesh mes tyre, kafshim me dhëmbë, çjerrje me thonjë, goditje me raketa pingpongu, i shkon një pushteti diktatorial alla Putin ku pasi Kapua merr si i merr zgjedhjet, dhunon gjithkënd për të marrë më shumë vota dhe dhunuar të drejtat dhe liritë e njeriut, i ngjan një pylli ku egërsirat më të forta hanë çfarë gjejnë përpara, është ligj i xhunglës dhe i botës së kafshëve, vlen për popuj barbarë, por, jo për shoqëri të kulturuara, për agjenci që ndërtohen për parime dhe vlera demokratike!

Të shpëtojë kush të mundet!