Talenti i skuadrës së Juventusit Paulo Dybala ka konfirmuar se ai dhe e dashura e tij kanë rezultuar pozitivë me koronavirus.
Disa ditë më parë aludua se sulmuesi i bardhezinjve ishte infektuar me koronavirus, ndërsa sot ka qenë vetë Dybala që e ka bërë të ditur.
Në një postim në Instagram, sulmuesi argjentinas shkruan se së bashku me të dashurën e tij janë prekur nga Covid-19.
“Përshëndetje të gjithëve, dua t’iu informoj se unë sapo kam marrë rezultatet e testeve të Covid-19, dhe të dy, unë dhe Oriana kemi dalë pozitivë. Për fat të mirë, jemi në gjendje shumë të mirë. Faleminderit për mesazhet. Përshëndetje për të gjithë”, ka shkruar ai.
Dybala bëhet lojtari i tretë tek Juventusi që preket nga koronavirusi pas Daniele Ruganit dhe Blez Matuidisë. Ndërkaq, lojtarët e tjerë të Juventusit bashkë me Ronaldon janë larguar nga Italia ose janë vetizoluar.