Sulmet e padrejta ndaj Berishës për heshtjen ndaj Kukësit

Nga Mero Baze

Ka një fushatë sulmesh nga të gjitha anët kundër Sali Berishës, pse hesht për humbjen shkatërrimtare në Kukës.

E sulmojnë demokratët, ata të Bashës dhe ata të Foltores, e sulmojnë, natyrisht këta të shumicës, dhe qytetarë të tjerë që në fakt nuk kanë shumë lidhje me politikën. Madje me heshtjen e tij tall trapin dhe Ilir Meta.

E bëjnë se ju duket vazhdimi i një zinxhiri humbjesh poshtëruese, qyshkurse ai po tenton të duket si i “fortë” në gjunjëzimin e opozitës, por tërësisht pa takat përballë pushtetit.

Ndalojini këto sulme!

Është hera e parë që Sali Berisha po bën një gjë që nuk e ka bërë tërë jetën. Ai po e pranon humbjen, po pranon rezultatin dhe mbi të gjitha, po e respekton atë me dhimbje në heshtje, ashtu siç përjetohen humbjet e mëdha.

Të gjithë që i hakërrehen atij, kanë parasysh atë skenën, kur ai del menjëherë pas humbjes, thotë atë fjalinë klishe “kjo ishte vjedhja më e madhe në histori” e zgjedhjeve dhe pastaj premton se do hakmerret me protesta dhe do rrëzojë qeverinë e krimit.

Kanë kaluar gati 48 orë dhe ai nuk e ka bërë atë që ka bërë gjithë jetën për 32 vjet.

Pak u duket kjo?

A nuk jeni të kënaqur që më në fund , madje në fund të jetës së tij, ky njeri po e pranon një humbje me dhimbje të thellë?

Pse e doni doemos të pandryshueshëm, të pakorrigjueshëm dhe të parashikueshëm, siç jeni mësuar me të. Ndodh që njeriu reflekton një ditë atë që është dhe atë që i ka ndodhur, dhe hesht.

Ky është lajmi i vërtetë.

Dhe më shumë se ky, lajm është që kur hesht ai, hesht e gjithë turma e tij. Të gjithë bëjnë sikur nuk ka pasur zgjedhje në Kukës. Flasin për gjithçka, për McGonigalin, sulmin në Zveçan, apo ngjarjet në OKB, por jo për Kukësin.

Lexo edhe :  Esenca e shqiptarëve që krijon harmoni e bukuri

Kjo tregon se partia ende beson tek ai, njerëzit ende presin një shenjë të flasi Ai, pastaj të fillojnë të mendojnë.

Dhe kjo është një vdekje më e rëndë se ajo e Kukësit. Ky është tumori i vërtetë vdekjeprurës që po bren dhe po çon drejt shuarjes atë parti.