Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka marrë një denoncim nga një i burgosur në burgun e Drenovës.
I burgosuri pretendon se ndaj tij është marrë një masë e padrejtë, pasi është vendosur në mbikëqyrje të veçantë për 3 muaj.
Ai ka deklaruar se në burgun e Drenovës e kanë keqtrajtuar, e kanë lidhur në krevat me pranga dhe zinxhirë për 6 ditë, si dhe është detyruar që të hajë copa xhami.
KShH për verifikimin e kësaj ankese, ngarkoi një grup vëzhguesish, në përbërjen e të cilit edhe një mjek.
Ata kanë dalë në përfundimin se shtetasi I. J. ishte mbajtur i lidhur, ndërsa theksojnë se vendimi i marrë ndaj të burgosurit është i jashtëligjshëm.
“Në takimin qe grupi monitorimit pati me të dënuarin I. J ai deklaroi se është mbajtur në krevat i lidhur me zinxhirë dhe pranga fikse 4,6, 24 dhe 48 orë. Shtetasi i pohoi vëzhguesve se nga dëshpërimi, shqetësimi dhe trajtimi i keq, ka ngrënë copa xhami. Stafi i IEVP lejoi ekipin e vëzhguesve që të shikonte në kolonë (vendi ku qëndrojnë punonjësit e policisë gjatë kryerjes së shërbimit) të varur në mur, dy pranga fikse me ngjyrë të zezë, të cilat kishin pjesën që izolon dorën dhe një krah deri 25 centimetra, një zinxhir dhe në një kthinë, një skafandër të zezë, mbi të cilën kishin mbetur vetëm gërmat “…ICIA”, që dukej se ishte një skafandër e policisë. I.J i pohoi vëzhguesve të KShH-së, se këto ishin mjetet me të cilat ishte mbajtur i lidhur.
Lidhjen e të dënuarit me zinxhirë e pohuan mjeku, Drejtori dhe përgjegjësi i edukimit të IEVP-së, duke e justifikuar si masë parandaluese që të mos dëmtonte veten, por mohuan që ai të jetë mbajtur i lidhur për 6 ditë. Për këtë veprim nuk dispononin asnjë dokument (Procesverbal). Madje mjeku paraprakisht nuk ishte vënë në dijeni për këtë masë, as që e kishte vizituar, madje i pyetur nga grupi monitorues i KSHH-së ai pohoi se e kishte parë I.J të lidhur në krevat.
Referuar të dhënave të monitorimit, KShH vlerëson se akte të tilla tepër të rënda, të padokumentuara, të kundërligjshme e që bien ndesh me standartet ndërkombëtare të cituara në vijim të deklaratës, krijojnë dyshime të arsyeshme dhe të bazuara se prangosja dhe lidhja me zinxhirë e këtij shtetasi, në gjendjen shëndetësore mentale të tij dhe për një kohë të gjatë, ka bërë që I.J ti nënshtrohet trajtimit me elementë ç’njerëzore dhe degradues në ambientet e izolimit te IEVP Drenovë.
Në çështjen Kucheruk kundër Ukrainës, Gjykata e Strasburgut konstatoi shkelje të nenit 3 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (ndalimi i torturës), ndaj një të paraburgosuri që vuante nga skizofrenia kronike, i cili u ankua ndër të tjerash se ishte mbajtur i prangosur në izolim. GJEDNJ u shpreh se kishte pasur shkelje të nenit 3 (ndalimi i torturës) të Konventës Evropiane (KEDNJ), duke konstatuar veçanërisht se mbajtja me pranga të një shtetasi me sëmundje mendore, për një periudhë prej shtatë ditësh, pa një opinion të justifikuar psikiatrik dhe kujdes mjekësor, duhej të konsiderohej si trajtim çnjerëzor dhe poshtërues. Për më tepër, vetë izolimi dhe prangosja e kërkuesit nxori në pah që autoritetet vendase nuk kishin ofruar trajtimin e duhur mjekësor dhe ndihmë për të”, thuhet në deklaratë ndër të tjera./ S.M