Rubrika: “Shkrimtari në karantinë”
Shkrimtari Luan Rama në një intervistë ekskluzive nga Parisi për Fjala
Nga Leonard Veizi
Shkrimtar e studiues i pasionuar, dhe me një korpus të vërtet veprash të vyera, prej vitesh jetën e tij ai e ndan mes Tiranë dhe Parisit. Dikur skenarist në Kinostudio, e ca më pas diplomat i klasit të parë në Francë, Luan Rama do të njihej më së shumti dhe nga bumi i veprave studimore të cilat i ka sjellë për lexuesit me aq skrupulozitet. Në ditë normale a në ditë lufte, ai nuk di të ndalet dhe vazhdon të prodhojë atë çfarë di më mirë të bëjë në jetë, libra, në amalgamë e të cilave gjendet proza dhe poezia, si dhe ajo çfarë ka gërmuar thellë në errësirën e arkivave të panjohura. Në këto ditë karantine, edhe pse në kryeqendrën franceze, Luan Rama tregohet i gatshëm t’u përgjigjet disa pyetjeve për gazetën FJALA:
– Si po i kaloni ditët në karantinë?
Pothuaj një muaj i ngujuar… Në fillim gjithçka është e vështirë, sikur ndodhesh në një atmosferë absurde. Shfryjmë nga ngujimi, qortojmë veten e pastaj, me kalimin e ditëve gjithçka përsëritet njëlloj nga zgjimi deri në natën e vonë kur flemë. Çuditërisht më parë flinim më herët por tani dhe kur kalon ora 12 e natës, apo 1 e mëngjesit ende jemi zgjuar dhe kjo vazhdon. Koha relative. Janë rrethanat dhe psikika jonë që e bëjnë atë të duket e gjatë apo e shkurtër. Për njerëzit që s’bëjnë asgjë koha kthehet në melankoli, mërzi dhe trisht dhe merr dimensione tepër të gjata, ndërkohë që mua më duket tepër e shkurtër. Anjshtanji kishte të drejtë për kohën relative në hapësirë, por mendoj se kjo ndodh dhe në hapësirën njerëzore. Ajo zgjatet apo shkurtohet. Në librin qe botova para katër muajsh “Një kohë pa kohë” ishte pikërisht kjo ide që më ngacmoi, dendësia emocionale e një kohe të caktuar, e cila ka një vlerë të madhe.
-Sa e zymtë apo jo e tillë është kjo situatë?
Mua më duket sikur po jetoj një tjetër kohë, pavarësisht nga alarmet jashtë, vdekjet që shtohen dhe që në fund të fundit bëhen relative, sado të dhimbshme që janë. Televizioni, lajmet, interneti, gjithçka, sot po sillet rreth “corona virus”-it por jo vetëm, pasi ne u rikthhemi librave, lexojmë, krijojmë, shkruajmë. Një alternim që i jep kohës një tjetër temp. Por ka dhe “adagio” të trishta si në melodi nga Hendel, Mozart apo muzikë ritmike. E habitshme: nuk kam asnjë frikë nga virusi. Sikur vdekjet t’i kemi lënë pas, shumë larg. Fjala virus duket se është bërë një fjalë e rëndomtë pasi gjithçka që përmendet orë e çast zhvlerësohet. Edhe kur flitet për 500 vdekje në ditë në Francë apo 1000 të vdekur në Itali e 800 në Spanjë… Është sa e tmerrshme aq dhe një situate ku njeri adoptohet, sikur të jetë spektator i tragjedive të mëdha. E di që vdekja përgjon gjithnjë diku, por në fund të fundit jeta është një aventurë. Kjo më kujton vdekjen e aktorit hollivudian James Dean, i cili bënte gara të frikshme me makinë dhe një ditë vdiq. Vdiq në një moment pasioni, në kulmin e gjenisë së tij. Por sigurisht, do të ishte diçka e rëndomtë të vdesësh nga një virus. Vdekjet e mëdha janë vdekje të denja: vdekjet për një kauzë.
– Çfarë atmosfere ofron Parisi, a vazhdon të ketë jetë kulturore?
Si kudo në botë jeta kulturore ka ndaluar: teatro dhe biblioteka të mbyllura, opera, muzeume, mediateka e kinema të mbyllura, spektakle të anuluara. Fatmirësisht jetojmë në kohën e internetit. Tashmë të gjitha mund ti shohësh, ti ndjekësh: filmat, pjesë teatrale, baletin, muzeumet. Programet e tyre tani janë në linjë: askush nuk do të përfitojë para në kohë vdekjesh. Para dy ditësh miku im arbëresh profesor Altimari më kishte dërguar të shihja një video të ekspozitës se Rafaelos në Itali. Po kështu mund të ndjekësh ekspozitat aktuale në Luvër apo në Muzeun e Orsejës, të shohësh filmash, madje ke mundësinë të shohësh e përzgjedhësh mes qindra filmave. Aktori i njohur Lukini tregon fabulat e La Fontenit në një video te shpërndarë në internet, këngëtarë të ndryshëm bëjnë regjistrime në shtëpitë e tyre për artëdashësit e botës. Jeta vazhdon dhe kultura është midis nesh. Mjafton të kesh dëshirën ti ndjekësh e padyshim duhet ti ndjekësh ato. Mjafton të hapësh, TV, radion, internetin, facebbok dhe ja ku mund të ngopesh me kulturë, të dehesh siç porosiste dikur poeti i madh Bodler…
– A është frymëzuese për ju një kohë e tillë?
Të gjitha kohët janë frymëzuese për krijuesin. Është e habitshme por këtë e vërteton jeta vetë e gjenive të letërsisë dhe artit. Rembo e shkruante “Stinë në ferr” në kohën kur kishte prerë këmbën dhe një vit më vonë do të vdiste nga gangrena në Marsejë. Karavaxhio pikturoi tablo të mrekullueshme dhe tronditëse kur përndiqej për ta kapur meqë ishte dënuar me vdekje; Mozart shkroi partiturën me të mrekullueshme të tij kur ishte në ethet e vdekjes nga të cilat do vdiste një muaj më vonë. Pra artisti, letrari, mund të krijojnë në çdo atmosferë jetësore dhe në çdo lloj mjedisi. Ja pse ekziston tek ne dhe termi “letërsia e burgut”. Mendoj se edhe kjo kohë është një kohë ngacmimesh, frymëzimesh, madje të lindin ide asociative. Më kujtua këto ditë një histori interesante për një gazetare franceze që kishte udhëtuar në veriun shqiptar në vitin 1936 Paule Fercoq në kushte shumë të vështira, për çka dhe kam shkruar një artikull. Por gjatë udhës, një buzëmbremje, asaj i ishte afruar në një fshat një djalosh i ri dhe i bukur i cili kishte tre vjet i ngujuar dhe donte të shkonte të shikonte motrën e tij që kishte lindur fëmijën e parë dy male më tej. Sapo kishte dëgjuar se një grua franceze kalonte andej dhe i kishte dalë përpara. Menjëherë i kishte kërkuar të bashkohej me të dhe shoqëruesit e saj. Dhe ajo e pranoi. Aty ajo mori vesh se një njeri të ngujuar dhe në gjak, kur shoqërohet nga një grua dhe aq më tepër nga një e huaj nuk duhet qëlluar, nga frika se vret gruan dhe atëherë kanuni të dënonte rëndë. Ky fakt më nxiti të shkruaj këto ditë një tregim.
-Këto ditë ngujimi kanë qenë të efektshme vetëm për prozën…?
Po këto ditë kam shkruar dhe disa poezi që lidhen e atmosferën e njerëzve të mbyllur nëpër shtëpi dhe të qytetit “fantomë”. Ato janë përkthyer dhe anglisht e italisht. Para dy ditësh kam dërguar në shtypshkronjë një libër të ri “Shtigjeve të hershme të historisë” me ese historike që kapin kapërcyellin e fundit të para erës sonë dhe fillimin e erës sonë deri në vitet 1200, ku trajtohet dhe tema shqiptare. Do të jetë një libër apo produkt letrar i kohës së “Corona virus”. Ndërkohë paralelisht po shkruaj dhe një tregim për francezin Pierre Batiffol i cili në vitin 1885 u nis nga Parisi për të shkuar në Berat për të gjetur gjurmët e kodikut të famshëm Purpureus të Beratit të shekullit VI. Është diçka letrare por mjaft besnike me kohën kur shkoi dhe studimin e tij rreth këtij kodiku.
– A mund të përbëjë ky precedent një motiv që në të ardhmen të shkruhet më shumë për të dhe rreth saj?
Mendoj se kjo pandemi që ndodhi dhe që parashikohej të ndodhte do të hapë një shteg të ri në krijimtarinë letraro-artistike botërore e padyshim dhe në Shqipëri. Kemi parë filma rreth luftës bakterologjike, por gjithnjë i kemi vështruar si filma fantastikë, ndërkohë që ata rezultojnë shumë realë. Bota letrare dhe ajo e artit është si ajo njerëzore, dhe në tërësi mendoj do të ketë një tjetër optikë në të ardhmen lidhur me ekologjinë, luftën bakteriologjike apo ne tërësi për ardhmërinë e botës dhe të njerëzimit. Është si puna e shkrirjes së akujve në Antarktidë në Polin e veriut dhe të Jugut, imazhe që i shohim çdo ditë dhe dëgjojmë veç deklarata pa mundur të mbrohet bota. Por një ditë që do të mbytet një qytet i tërë me qindra mijëra banorë, vetëm atëherë ndoshta bota do të ndërgjegjësohet. Por atëherë do të jetë vonë. Njeriu i sotëm më duket gjithnjë i vonuar, jo se ai nuk i kupton këto fenomene, por sepse politikanët dhe manjatët e mëdhenj të botës, njerëzimin dhe të ardhmen e tij e shohin në mënyrë cinike, duke parë veç interesin e pushtetit dhe të kamjes së tyre. Shumë fuqi të mëdha e kanë vënë gishtin në butonin e një lufte bërthamore dhe mjafton një shkëndijë që ajo të shpërthejë. Qenia njerëzore sa e zgjuar është, duke arritur të dërgojë raketa në Mars, aq duket dhe mizore, e sëmurë nga instinktet e asgjësimit.
– A mund të kthehet në vlerë qëndrimi si i ngujuar nga frika e një virusi?
Sigurisht që mund të kthehet dhe duhet të kthehet. Gruaja dhe vajza ime punojnë nga shtëpia përmes internetit, si qindra mijëra francezë. Puna vazhdon. Po kështu është dhe puna e letrarit, artistit. Dikush mund të thotë se ka punë që s’mund të bëhen përmes internetit apo duke qenë vetëm. Por njeriu në fund të fundit mund të lexojë, të përsoset nga ana kulturore, të japë një kontribut shoqëror sado të vogël. Çdo natë ne dalim në dritare dhe në orën 20.00 duartrokasim për ata qindra mijëra mjekë, infermiere dhe punonjës të spitaleve që luftojnë kundër vdekjes së pacientëve të infektuar. Edhe ky është një kontribut për ata që janë në kulmin e lodhjes dhe të kërcënuar çdo çast. Madje kjo kohë është dhe një kohë meditimi për njeriun, i cili duhet ta vër veten përballë një pyetje sa të thjeshtë aq dhe të thellë e filozofike : çfarë përjetova apo si po e përjetoj jetën në këtë kalim efemer të njeriut mbi tokë; çfarë do të them në fund të jetës time, A ia vlejti kjo jetë A ishte kjo jetë e mbushur me humanizëm, dashuri e sakrificë për të tjerët? Çfarë i dhashë dhe çfarë mora nga kjo jetë. Është si ajo shprehja e famshme: “Sa më shumë dashuri të japësh aq më shumë do të marrësh”.
– Kush është primare në ditë të tilla, leximi apo krijimtaria?
Në këto kohë ngujimi, për mua më primare ka qenë krijimtaria se sa leximi, edhe pse një mori librash janë në komodinën time gati për të lexuar. Para disa ditësh lexova “Banketin” e Platonit dhe një libër të ri për Danten. Që prej 20 ditësh lexoj me radhë biografi të Samuel Beckett, Ezra Pound dhe George Orëell. Kjo më shërben direkt pasi po shkruaj një libër-ese mbi letrarët dhe artistët anglosaksonë (amerikanë dhe anglezë që kanë jetuar në Paris në gjysmën e parë të shekullit XX. Një histori dashurie e tyre me këtë qytet të avangardës letrare e artistike të asaj kohe, me rrymat e famshme letrare e artistike të dadaizmit, surealizmit, kubizmit, etj. Veçanërisht në atë kohë që quhej “La Belle Epoque”, jetuan dhe patën aventurat e tyre në Paris si Heminguei, Fitzgerald, Miller, Anais Nin, Man Ray, e shumë të tjerë: një libër për dashurinë e artit pasi kam qenë në të gjitha shtëpitë e tyre ku kanë jetuar dikur, kam fotografuar rrugët dhe përshkuar itineraret e tyre, çka është mjaft pasionante për një njeri që e do artin dhe letërsinë! Në kohë të tjera dëgjoj muzikë, veçanërisht në mbrëmje vonë: dëgjoj Hendel, Mozart, Brahms, kërkoj në internet “adagio”- e Albinoni, koncertet e Corelli, etj. Por më pëlqejnë gjithashtu kabatë përmetare apo këngët e vajet e tipit të “Janino”-s… Edhe pse të mbyllur, kjo kohë është një kohë e vërtetë dashurie!…
Intervistoi: Leonard Veizi/Fjala/