Dy deputetet e Partisë Demokratike, Albana Vokshi dhe Etilda Hoti kanë kërkuar shfuqizimin e vendimit të Komisionit të Etikës (miratuar me votat e socialistëve) që i përjashtoi për 10 ditë nga Kuvendi.
Në ankimimin drejtuar Byrosë së Kuvendit, ligjvënëset demokrate theksojnë se ky vendim është antikushtetues dhe akt i rëndë ndaj parlamentarizmit në Shqipëri.
Sipas deputeteve, mbledhja e Sekretariatit është organizuar në mohim të të drejtave të deputeteve dhe mungesë totale transparence, si edhe të provave e fakteve.
Gjithashtu shprehen se pretendimet e 7 deputetëve socialistë për shkelje janë tendecioze dhe të pabazuara.
“Mbledhja e Sekretariatit është mbajtur on-line, në shkelje të Rregullores së Kuvendit e cila në asnjë rast nuk parashikon që mbledhjet e këtij Sekretariati, mund të mblidhen on-line. Pretendimet e shtatë deputetëve (4 prej tyre zonja deputete) në adresë të dy zonjave Deputete për “shkelje”, janë të pabazuara, tendencioze, të përgjithshme dhe të paindividualizuara sa duhet, si dhe mbi të gjitha, veprimet që atribuohen sipas kërkuesve nga dy zonjat deputete objekt i procedimit dhe/apo aktet e tyre nuk parashikohen në Rregulloren e Kuvendi si shkelje”, theksohen në dokument.
Albana Vokshi dhe Etilda Hoti shprehen se kanë protestuar paqësisht dhe qetësisht në sallën e parlamentit, duke qëndruar në këmbë me pankarta në duar./O.S