Grupi i “Dialogut për Reformat” që funksionon pranë Komisionit të Ligjeve do të zhvillojë sot (5 prill) mbledhjen e dytë në orën 14.00.
Ky grup pritet të marrë vendime me konsensus për reformat që duan shumicë të cilësuar votash. Pjesë e diskutimeve pritet të jetë edhe reforma zgjedhore, komisioni i të cilës, tashmë me mandat të mbaruar, nuk arriti të nxirrte asnjë produkt.
Ngritja e këtij mekanizmi dialogu mes palëve u bë pas dakordësisë mes mazhorancës dhe Rithemelimit për rikthim në veprimtarinë normale parlamentare.
Grupi i “Dialogut për Reformat” përbëhet nga 6 deputetë, 3 anëtarë nga opozita dhe 3 nga mazhoranca. Për socialistët në këtë strukturë do të jenë Klotilda Ferhati, Damian Gjiknuri dhe Toni Gogu. Nga opozita Oerd Bylykbashi, Dhurata Çupi, dhe Erisa Xhixho nga Partia e Lirisë. Kjo e fundit u zgjodh pas refuzimit nga Lulzim Basha për të qenë pjesë e strukturës, të cilën kryedemokrati e cilëson si “pazar mes PS dhe Rithemelimit”./O.S