Nga Spartak Ngjela, ekskluzive për Gazetën Fjala
Çështja e epidemisë aktuale është një aspekt i papritur për zhvillimin shqiptar. Nga masat që janë ndërmarrë për ndalimin e epidemisë, shoqëria shqiptare ka kaluar në karantinë. Dhe, si pasojë e kësaj, sot spikasin dy sulme kundër zhvillimit shoqëror në Shqipëri. Sulmi i parë është ai i pandemisë së Corona virusit, e cila ka refleksion me vdekjen dhe frikën ose shqetësimin shoqëror në funksion të saj.
Aspekti i dytë është aspekti ekonomik, i cili si pasojë e karantinës dhe e izolimit ka goditur punën. Duke e parë çështjen në këtë prizëm, kuptohet se kriza aktuale ekonomike vjen si pasojë e bllokimit të punës.
Të dy këta aspekte vijnë dhe reflektojnë drejtpërdrejt në tregun shqiptar, në arsim dhe në funksionimin normal të një shoqërie. Në aspektin ekonomik vjen dhe merr pjesë domosdoshmërisht edhe politika. Politika aktuale, domethënë qeveria ka dy ingrendientë në të cilët mbështet veprimtarinë e saj: politika e forcës dhe e argumentit shkencor për të ndaluar epideminë, dhe ingrendienti tjetër është kriza ekonomike e imponuar. Për sa i përket aspektit të parë, qeveria duket se ka punuar realisht mirë, sepse epidemia është frenuar dhe po shkon drejt rënies. Ky rezultat ka ardhur si pasojë e masave bllokuese: karantinës dhe instruksionit mjekësor për distancimin shoqëror. Të dy këta faktorë e kanë dhënë rezultanin e vet pozitiv në funksion të frenimit dhe çuarjes drejt shuarjes së epidemisë së Corona virusit.
Po ekonomia?
Qeveria shqiptare aktualisht ndodhet në një situatë me aspekt të dyfishtë shoqëror dhe politik: për të frenuar dhe shuar epideminë politikës aktuale të qeverisë i është dashur që të bllokojë shoqërinë në karantinë, e cila ka goditur punën dhe kapitalin. Kjo ka sjellë në mënyrë evidente krizën ekonomike.
Deri tani, në mendimin teorik për analizën e gjendjes ekonomike shohim se frenimi dhe shuarja e epidemisë me masa izoluese, të cilat kanë karakter shkencor që vjen nga epidemiologjia, sjellin krizën ekonomike në funksion të punës dhe prodhimit, të cilat kanë ndaluar.
Në situata të tilla, në çdo fenomen të këtij lloji dalin përpara dy të kundërta, sepse me masat drastike që do duhen për të bllokuar dhe shuar fenomenin parësor shoqëror krijohet një fenomen negativ në një aspekt tjetër të jetës shoqërore. Prandaj, shikojeni se çfarë ndodh: masat që merren për të ndaluar fenomenin parësor që është epidemia e Corona virusit krijojnë një fenomen negativ në funksion të tregut dhe ekonomisë. Kriza në shëndet që sjell epidemia, shkakton krizë ekonomike që vjen nga masat për të ndaluar dhe shuar epideminë. Domethënë, masat drastike për të siguruar jetën individuale të çdo qytetari në Shqipëri, e cila rrezikohet me vdekjen; sjellin krizë ekonomike të një spektri të gjerë që mund ta çojë shoqërinë deri në uri.
Me një arsye të thjeshtë treguam se fenomeni aktual negativ që rrezikon jetën e qytetarëve nuk mund të ndalojë pa krijuar fenomenin e krizës ekonomike; sepse epidemia e Corona virusit nuk mund të ndalohet dot me vaksinë, por me izolim. Atëherë, çfarë duhet bërë?
Pikërisht duke u nisur nga ky arsyetim realist na duhet të theksojmë se, qeveria shqiptare duhet të jetë shumë e vëmendshme për të gjetur një rrugë të mesme, e cila është në një fill shumë delikat. Kjo vijë e mesme duhet që me politikë t’i realizojë të dyja: të mposhtë epideminë dhe të ruajë brenda një koncepti normal parametrat e ekonomisë, domethënë tregun.
A ka shenja që qeveria po ecën drejt kësaj metode?
Deri tani, kjo metodë nuk ka funksionuar në lidhje me tregun dhe ekonominë. Sot, në një krah kemi bllokimin e epidemisë pa vaksinë dhe deficitet e mëdha që po krijon tregu.
Para dy ditësh qeveria tregoi realisht se do të paguante pagat e punëtorëve ose punonjësve, të cilët i ka kapur reforma e izolimit. Po ta shohësh me vëmendje, mungesa e pagave të këtij spektri punonjësish ka krijuar mungesën e parasë në treg. Qeveria e ka konstatuar këtë dhe pagoi pagat për sferat ekonomike që nuk dalin dot në punë.
Ne aktualisht nuk e dimë sesa është mungesa e parasë në treg si masë monetare, por ne e dimë që pagat e punonjësve të izoluar që nuk janë dhënë në një muaj përbën masën monetare që mungon në treg. Pyetja që ngrihet këtu është kjo: për faktin që kemi mungesë të një sasie mase monetare e cila nuk është në treg – sa është rënia e konsumit në mallrat e tregut shqiptar? Këtë nuk e dimë. Prandaj, nuk mundemi dot t’i japim një përgjigje reale që: sasia e parasë që qeveria ka hedh në treg si paga të papaguara, çfarë përqindje plotëson në rënien e konsumit?
Na duhet të theksojmë se qeveria shqiptare dhe kryeministri Rama kanë qenë kundërshtarë të informacionit që u duhet opinionit publik, kështu që ne nuk mund ta dimë se çfarë ka përmirësuar qeveria shqiptare me masën monetare që ka hedhur në treg, duke paguar pagat e papaguara të një mase punonjësish, të cilat kanë qenë dhe janë të izoluar në funksion të punës.
Kjo është gjendja aktuale e shoqërisë shqiptare si mjekësi në përmirësim të parametrave për rënien dhe shuarjen e epidemisë së Corona virusit, dhe ndërhyrjes që qeveria bëri në treg me një masë monentare të caktuar për pagimin e rrogave të papaguara.
Në qoftë se qeveria nuk arrin të kuptojë që tregu kërkon para me të cilat të plotësohet konsumi brenda kapacitetit të tregut dhe ekonomisë shqiptare, atëherë gjendja do rëndohet. I vetmi solucion që e shpëton këtë gjendje të tregut shqiptar është hedhja e parave në treg nëpërmjet pagave të papaguara. Përsa i përket çështjes së prodhimit, i cili ka qenë i destinuar për eksport në vendet perëndimore siç është Italia, ku dominancën e kanë fasonet, qeveria duhet të ketë një skemë reale për mbajtjen e tyre, sepse kanë një numër shumë të madh punonjësish, në një kohë që tregu italian dhe tregu evropian në përgjithësi do të jetë i bllokuar në një kohë të pacaktuar.