Mbi librin “Në rrjedhën e jetës së një jetimi”
Nga QAZIM SHEHU
Koha gjithnjë e sjell nevojën e sfidës me të,sidomos një kohë e vështirë, që vihet në provë nga kufizimet që ajo mbart por, kur këto pengesa kalohen me vetëdije të kthjellët dhe kujdesin e treguar apo syçeltësinë e sprovës, ato bëhen një “minierë e artë” për të treguar në një kohë tjetër të mëvonshme ,e cila shumë gjëra i merr si të tejkaluara ose si të pandodhura,por për njohësin dhe mbushamendësin e atij që shkruan, gjërat bëhen të besueshme dhe kështu bëhet një ndërlidhje midis kohërave dhe del në pah formati i personalitetit të njeriut. Dihet se njeriu nuk e zgjedh kohën, (kohën metonimike me ngjarjet, njerëzit, ndodhitë apo reflektimet e mendësive të saj), por njeriu i vërtetë, krahas kohës shoqërore, politike dhe kalendarike, krijon kohën e tij të brendshme kohën e rritjes përmes e nëpërmjet virtytit, lartësimit profesional e ndershmërisë. Këtë ndjesi e provova teksa lexova gati me një frymë librin e Muhamet Derrit, një libër i shkruar për vete, por jo vetëm , shkruar me rrjedhshmëri nga pena e stërvitur e një krijuesi, gazetari, por edhe e një intelektuali të bindur ndaj parimeve dhe normave të larta intelektuale, shkruar me një fjali të çiltër e plot kumbime ndjesish e të jehonave të largëta dhe të afërta, një libër ku mësohet shumëçka e nuk mund të lësh jashtë kësaj asgjë, duke përfillur njëherit çdo fakt, episod e portretizim të njerëzve, të vendeve dhe të atyre viteve që përbëjnë romantikën e një jete rinore plot pasion e mençuri. Muhamet Derri, ekonomist, shkrimtar, poet, gazetar, në librin e tij na tregon se kalimi nga një pikë në tjetrën i jetës, nga një dëshirë drejt një qëllimi dhe një realizmi të saj, nuk ka qenë për të një udhë e lehtë, diçka që, kur e merr nëpërmjet letrës së shkruar, mund të përbëjë një këshëri apo një intrigë dramatike ngjarjesh prej të cilave mund të thuret një roman.
Jo. Përkundrazi. Ai na tregon rrugën e një jetimi mbetur pa baba, një rrugë e vështirë që ta kujton poezinë e famshme të Naim Frashërit për jetimin. Por ai nuk është as një hero nga ata që mitizonte letërsia socrealiste me Pavël Korçaginin në romanin “Si u kalit Çeliku” të Nikolla Ostrovskit. Fëmijëria e vështirë “e përvuajtur dhe mallëngjyese”, siç shprehet ai, nuk është veçse një thirrje e vetëdijes së tij aso here, për të qenë syçelët ndaj jetës, për të krijuar atë që quhet mprehje dhe pjekuri e mendimit para kohe dhe këtu na vjen ndërmend vargu i Migjenit: “Mjerimi pjek fëmijën para se të burrnohet/don ta mësojë t`i hiki grushtit që i kërcënohet”
Natyrisht, në jetë, një jetim gjen ftohmat e ndjenjës së dehumanizmit, por edhe ndjelljen e ngrohtë të humanizmit nga njerëz të rastësishëm, të njohur dhe të panjohur, e kjo ka rëndësi për të kuptuar edhe natyrën e shoqërisë sonë në ato vite të vështira ku vëmendja dhe indiferenca përbënin tendosje dhe çtendosje të panatyrshme. Në fillim të librit, Muhamet Derri bën një përshkrim të Smokthinës e veçanërisht të fshatit Bashaj, një krahinë e një fshat me tradita patriotike e zëlëvduar për liri në shërbim të çështjes kombëtare, ku spikasin figura të tilla si: Sali Nivica, Zigur Lelo, Qeriba Derri Heroinë e Popullit”, e cila dha jetën për liri. Shkurt e saktë me një stil të kursyer,pasi nuk është ky synimi i tekstit libror,autori na ka dhënë me pak fjalë historinë e kësaj krahine, traditat, duke përvijuar bindshëm ato vlera të qenësishme të krahinës së vet në sfondin kohor në kapërcell të periudhave historike të gjysmës së pare e të dytë të shekullit XX. Është e rëndësishme të hetojnë dhe ta pikëzojmë këtë libër,duke e parë atë në disa kënde shikimi.Së pari ,në vështirësitë e jetës së një krahine që ka jetuar kryesisht me mbarështimin e bagëtive, por që koopetrativa u mori të gjitha fiseve të fshatit Bashaj, gati 40 000 krerë bagëti. Së dyti, me entuziazmin e kohës që vinte edhe nga çlirimi i Shqipërisë dhe me besimin se e mira do vinte, edhe pse propaganda nga dita në ditë po rezultonte zhgënjyese. Së treti, me dëshirën për arsimim dhe kërkimi i fitimit të një profesioni për t`i shërbyer atdheut. Të gjitha këto kënde të shikimit nuk ngjyrosen bardh e zi as mbyllen dhe hapen sipas një vështrimi të mjegullt apo mllefi personal, përkundrazi ato shihen me realizëm dhe materializohen bindshëm prej njohjes dhe përgatitjes jetësore, kulturore dhe filozofike, që autorit nuk i mungojnë dhe që i shtron drejt e besueshëm me një narrativë konkrete e të lavdërueshme. Është për tu theksuar, dhe kjo përftohet si një përshtypje tronditëse nga libri, kur autori na rrëfen se atij i është dashur të përballet me njerëz dredharakë,kuadro të paaftë dhe që të bënin gjëmën ,në saj të indoktrinimit ekstrem që ata kishin dhe veçmas prej paaftësisë së tyre, e cila shpëtohej dhe merrte udhë prej këtij indoktrinimi që i thellonte dhe i marroste më tej prapësitë e tyre.Një kënd i veçantë që vjen prej një vështrimi shoqëror dhe etik, prej të cilit shoqëria jonë nuk ka shpëtuar edhe sot edhe pse koha ka ecur përpara ku i afti shpesh ndodhet në kurthet e të paaftit.
Ka një moment nga më tronditës në libër, (f.115) ku autori na rrëfen sesi shkruheshin fletërrufetë kundër profesorëve të nderuar të Fakultetit të Ekonomisë dhe nënshkruheshin nga një grup studentësh. Ai na tregon sesi marrëzia kolektive injektohej çdo ditë nga udhëzimet dhe sloganet e udhëheqjes së lartë… Në fund të fundit, një sistem i tillë nuk mund të mbijetonte veçse në formën e ndëryersjes së ligësisë e mllefit të injektuar dhe të goditjes së mendimit. Ka gjëra që, sot një lexues i cili se ka jetuar atë kohë , mund t`i marrë si të pabesueshme dhe si një trill artistik të autorit dhe në të vërtetë po t`i shkëpusësh nga e ndodhura ,ato përbëjnë një trill të bukur dhe krijojnë figurën e një grotesku.Por nuk duhet të harrojmë se nga paranoja lind grotesku dhe kur grotesku ndodh në realitet, ai është i trishtë e, kur sendërtohet në letërsi, mbetet i bukur. Individi dhe koha në këtë libër përbëjnë një binom të pandarë.Varet nga raportet që vendosen. Si do ta përballosh trysninë e kohës me mbrapshtitë absurde që ajo zgjedh,duke iu përshtatur asaj, apo me ndershmëri? Muhamet Derri zgjodhi ndershmërinë, prandaj edhe sot është krenar dhe ka ç`të rrëfejë e të na japë një libër të veçantë, ku me optikën e një intelektuali mendjemprehtë depërton në çdo ind të kohës që shkoi,por edhe të kohës së sotme të demokracisë, duke na sjellë përqasje midis dy kohëve ,dy sistemeve që nuk dëshironim të ndodhnin,por ja që ato manifestohen, edhe pse koha e sotme është koha e lirisë së individit dhe natyrisht me një pësim nga e shkuara, dhe më e pjekur. Ka autorë që kërkojnë ta ngacmojnë imagjinatën e lexuesit me interpretime e qasje komplekse të ideve ngërthyese,ndërsa Muhameti e ngacmon lexuesin me pasurinë e fakteve të gjalla, me dëshmitë autentike për kohërat,çastet dhe kthesat e rrëmbyeshme të tyre,ku shkon në fill të tyre individin jo vetëm si përjetues dhe spektator soditës,por edhe individin si aktor, aq sa ia lejojnë këtë gjë rrethanat dhe mundësitë. Ai i vështron të ndodhurat nga pozicioni i të sotmes, ndërsa në të vërtetë ky është një libër me një kronologji ku zgjidhet majaja e ngjarjeve, që kanë shërbyer në formëzimin e një personaliteti i cili ka çarë në jetë me zotësi dhe me devotshmëri ndaj asaj që e ka menduar më të mirë, pavarësisht nga gjykimi kohor i sotëm. Muhamet Deerri ka një krijimtari të pasur letrare duke shkruar 25 vëllime me prozë, poezi, tregime, romane. Krijimtaria e tij ka marrë vlerësime të shumta dhe mirënjohje nga lexues të shumtë, pikërisht për forcën jetësore që ajo ka,për mbështetjen në frymën e folkut të Jugut, për gjuhën e pasur të popullit dhe trajtat shkrimore të fjalëve me akcentin jugor e mbi të gjitha për dramat që përçon e që reflektojnë krenari dhe jo dëshpërim të theksuar. Po kështu, ai ka ditur të japë vlerësime për profesor doktor Bardhosh Gaçen ,që është një zë i fuqishëm i studimit letrar në vend, për Dilaver Goxhajn ish-zëvëndës shef shtabi i UÇK-së-patriot dhe njeri mjaft i njohur ndër shqiptari, për shkrimtaren gjermane Valtraud Trunger etj.
Me librin e tij monografik (klasifikimi në këtë zhanër duhet të shihet me rezervë, sepse libri ndërthur disa zhantre të krijimit dhe të shtjellimit, por po e quajmë kështu), Muhamet Derri shpreh identitetin e një brezi që lë gjurmë në kohë dhe në veçanti identitetin individual të një njeriu që nuk i dorëzohet pritshmërisë, por arrin ta formatojë veten në udhën e një suksesi moral dhe profesional ,aq sa ia lejojnë kriteret e mjegullta të kohës. Libri lexohet me kënaqësi për stilin e rrjedhshëm të përshkrimit ,për analizat objektive, për memorialistikën e qartë dhe të saktë, për vendosjen e faktit në kufij të besueshëm logjikë, për sinqeritetin e një proze të kthjellët, e cila krijon besim dhe afrim, sikundërse paraqet një periudhë historike mbresëlënëse dhe dramatike, por edhe me nevojën për reflektim të drejtë të sotëm ndaj saj.