Shumë prej jush që po lexoni këtë artikull, ndoshta po gëzoheni prej faktit që macja apo macet që keni në shtëpi mund të mos vuajnë gjatë nga dhimbjet, pasi falë inteligjencës artificiale kjo gjendje është e mundur të dallohet shpejt.
Inteligjenca artificiale (IA) mund të zbulojë nëse macja juaj ka dhimbje dhe kjo duke skanuar fytyrën e kafshës me një aplikacion të krijuar nga veterinerët dhe kërkuesit në Japoni.
Aplikacioni u provua te gjashtë mijë imazhe të maceve dhe ekspertët thonë se ka një saktësi mbi 95%.
“Veterinerët tashmë mund të tregojnë deri në një masë nëse një kafshë ka dhimbje. Më shumë se 70% e maceve në moshë të madhe vuajnë nga artriti ose dhimbjet e kockave, por vetëm 2% e tyre shkojnë në spital,” tha profesor Edamura, kreu i “Animal Medical Centre” në “Nihon University”.
“Pra, në vend të një diagnoze përfundimtare, ne përdorim aplikacionin si një mjet për t’i bërë të ditur pronarëve të maceve nëse situata është normale apo jo,” shton ai.
Më shumë se 230 mijë njerëz e kanë përdorur aplikacionin që nga prezantimi i tij në Japoni vitin e kaluar. Mayumi Kitakata jeton në Tokio me macen e saj, 14-vjeçare Chi. Ajo përdor aplikacionin për të lexuar fytyrën e maces çdo ditë.
”Macja ime është në një moshë ku do të shfaqen gjithnjë e më shumë sëmundje. Kështu që të shkuarit në kohën e duhur te veterineri është shumë e rëndësishme për të dhe për mua,” shtoi Kitakata.
Aplikacioni ka nisur të përdoret edhe në Europë dhe pritet të gjejë më shumë mbështetje në çdo cep të botës./E.Ç