Debate në mbledhje/ KQZ nuk miraton projektvendimin e afateve për zgjedhjet në Himarë

Ka përfunduar mbledhja e Komisionit Rregullator në KQZ pa miratimin e projektvendimit për organizimin e zgjedhjeve në Himarë.

Anëtarët votuan 3 pro dhe 2 kundër miratimit në parim. Kryetarja mbylli mbledhjen pasi për miratimin e projektvendimit duhej një shumicë votash 4 me 1.

Debatet nuk kanë munguar në mbledhje, ku anëtari i Komisionit Rregullator Muharrem Çakaj u shpreh se vendimmarrja e KQZ për heqjen e mandatit të Fredi Belerit është e pavlefshme. Çakaj deklaroi se edhe dekreti i presidentit Begaj për shpalljen e zgjedhjeve më datë 4 gusht është i pavlefshëm pasi duhej pritur të kalonte afati për ankimin e vendimmarrjes së KQZ.

Në përgjigje ndaj tij përfaqësuesi i PS në KQZ, Eridian Salianji tha se Komisioni rregullator po tejkalon kompetencat duke gjykuar një vendim të KQZ për heqjen e mandatit dhe dekretin e Presidentit për shpalljen e zgjedhjeve, duke thënë se janë në kufijtë e shpërdorimit të detyrës. Sipas Salianjit, po pengohet procesi zgjedhor.

Çakaj tha se ky është intimidim dhe kërcënim dhe kërkoi nga kryetarja të merren masa për Salianji.

DEBATI: 

SalianjiMe atë çka ne gjykojmë, që ka të bëjë me llogaritjen e afateve, jeni jashtë objektit dhe kompetencës që të gjykohet një vendim i komsionerit, jemi në tejkalim të kompetencave. Po diskutojmë afatet, të drejtën e këtij komisioni për të rregulluar organizmin e zgjedhjeve, ku organ s’ka punë fare me diskutim për ligjin e dekriminalizimit. Diskutohet dekreti i Presidentit, atë e bën gjykata. Nuk pengohen zgjedhjet, kjo që miratoni ju është kalendar, zgjedhjet i bën kodi zgjedhor, kjo është që ju të ndihmoni procesin, doni ta pengoni, pengojeni por nuk është kjo rruga. Po shkelni ligjit, mund të diskutoni vetëm afatet, por mund të merrni një vendimmarrje që s’ka lidhje me ju ta hidhni në tavolinë. Tentoni të merrni kompetencat e institucioneve të tjera. S’mund të pengoni procesin zgjedhor jashtë kompetencave”, tha Salianji.
Anëtari Muharrem Çakaj tha se ky është intimidim dhe kërcënim dhe kërkoi nga kryetarja të merren masa për Salianji.

Çakaj: Ajo që sapo tha Salianji, ishte intimidim dhe kërcënim. E ftoj të ruajë qetësinë dhe ta përdorë jashtë kësaj salle. Jeni të lirë të thoni çfarë të doni, nuk funksionon në këtë sallë. Sapo përmendi shpërdorim detyre, e ftoj ti thotë, por jashtë kësaj salle. Atë qasje është i lirë ta përdorë jashtë kësaj salle. S’mund të përdorë shprehje intimiduese apo kërcënuese. Nëse ne e kapërcejmë kompetencën ka një organ tjetër që shprehet, jo juve. Më bën çudi se si paskeni lëvizur ju nga qëndrimi, kur në këtë sallë, në 2019, ju keni mbështetur një ish kolegun tonë të asaj kohe, që e ka quajtur nul dekretin e presidentit. Pikërisht se po pezullimi në gjykatë i efekteve të dekreteve, përsëris që ky akt është i nxituar. Nuk cenon njeri procesin, por duhet që gjërat ti marrim brenda ligjshmërisë. Kemi nja 8 muaj që i kemi bërë me dije KQZ për uzurpim kërkesash dhe ankesat tona kanë rënë në vesh të shurdhër. Ruani etikën.  

Salianji: Nuk e di ku e pa intimidimin, nuk imtimidova.

Çakaj: Kanë zgjedhur të bëjnë teatër këtu, 4 gusht data e zgjedhjeve, dhe e marrin vendimin me 5 gusht, refuzoj të kem këtë qasje për zbatimin e kodit zgjedhor, refuzoj të kem çfarëdolloj presioni, inditimdimi, shantazhi nga çdo lloj përfaqësues. Merrni masa për atë çfarë deklaroi Salianji këtu, përndryshe e kemi shkelur rregulloren.

Më 5 korrik KQZ vendosi t’i heqë mandatin kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës Fredi Belerit. Atë ditë, Beleri, i pranishëm në mbledhje, por dhe mbrojtësit e tij, mbështetën idenë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk mund të shprehej për këtë rast, pa një vendim të Qeverisë që e shkarkonte atë nga detyra. Por sipas kreut të KQZ, Ilirjan Celibashi, vendimi mbështetej në të ashtuquajturin Ligj të Dekriminalizimit. Me urgjencë, Qeveria kërkoi më pas shpalljen e zgjedhjeve të reja në Himarë, nga presidenti, i cili po ashtu me shpejtesi dekretoi 4 gushtin si ditën e votimit.  /   S.M