Zbulimi i Inteligjencës së SHBA: Virusi nuk është krijuar në një laborator kinez

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Agjencitë amerikane të inteligjencës po hedhin poshtë të paktën një teori në lidhje me origjinën e koronavirusit, duke thënë se provat tregojnë se virusi nuk është krijuar në një laborator kinez.

Por zyrtarët thonë se ata ende po shqyrtojnë nëse shpërthimi, i cili filloi në Kinë, u shkaktua nga kontakti njerëzor me kafshët apo nëse u përhap si rezultat i ndonjë aksidenti shkencor.

Komuniteti amerikan i inteligjencës “pajtohet me konsensusin e gjerë shkencor që virusi COVID-19 nuk është prodhuar nga njeriu dhe as është diçka e modifikuar gjenetikisht,” tha të enjten zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare në një deklaratë publike, diçka e rrallë kjo kur është fjala për një çështje që vazhdon të hetohet.

“Siç bëjmë në të gjitha krizat, ekspertët e komunitetit të inteligjencës veprojnë duke rritur ndjeshëm burimet dhe duke nxjerrë të dhëna me rëndësi kritike mbi çështje jetike për sigurinë kombëtare të SHBA,” thuhet në deklaratë.

“Komuniteti i inteligjencës do të vazhdojë të shqyrtojë me rreptësi informacionin dhe të dhënat në zhvillim për të përcaktuar nëse shpërthimi filloi përmes kontaktit me kafshë të infektuara apo nëse ishte rezultat i një aksidenti në një laborator të Wuhanit,” thuhet aty.

Shtëpia e Bardhë ka kërkuar një hetim më të plotë mbi origjinën e COVID-19. Presidenti Donald Trump ka hedhur vazhdimisht dyshime mbi deklaratat e bëra nga Kina dhe nga Organizata Botërore e Shëndetit.

Të mërkurën, Presidenti Trump u tha gazetarëve se ai kishte parë disa prej gjetjeve në hetimin e bërë nga komuniteti i inteligjencës.

“Hetimi është duke ardhur dhe mua po më sjellin pjesë të tij. Ne nuk jemi aspak të kënaqur… Jemi deri tani kontribuesi më i madh i OBSH-së, i shëndetit botëror dhe ata nuk na treguan të vërtetën,” tha ai.

Lexo edhe :  Përmbytjet në Rumani kërcënojnë një nga minierat më të mëdha të kripës në Evropë

“Tani për tani, ata me plot gojën një zëdhënës i Kinës. Kështu e shoh unë,” shtoi zoti Trump.

Edhe Sekretari i Shtetit Mike Pompeo vuri në dyshim transparencën e Kinës, dhe la të kuptohet se Pekini mund të jetë duke vazhduar ta vërë botën në rrezik.

“Ne nuk e dimë saktësisht se nga lindi ky virus. Ka shumë laboratorë që po vazhdojnë të kryejnë punë,” tha ai. “Ne nuk e dimë nëse ata po veprojnë në nivelet e duhura të sigurisë për të mos lejuar që kjo të ndodhë përsëri.”

Thëniet se virusi COVID-19 është krijuar në një laborator kinez, ose ka shpëtuar nga një laborator, vazhdojnë prej javësh. Po ashtu edhe teoritë e tjera, shumë prej të cilave janë diskredituar si thashetheme ose si pjesë e fushatave dezinformuese.

Por deklarata e së enjtes nga Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare tregon me sa duket se zyrtarët amerikanë të inteligjencës kanë arritur ta kuptojnë më mirë origjinën e pandemisë.

Dy javë më parë, një zyrtar amerikan i inteligjencës i tha Zërit të Amerikës se agjencitë ishin “duke ndjekur në mënyrë aktive dhe të fuqishme çdo informacion”, por komuniteti i inteligjencës “nuk kishte arritur në një mendim të vetëm për ndonjë teori të caktuar.”/VOA

Të fundit

Bardhi kërkesë urgjente Begajt: Ndaloni përfshirjen e Presidencës në procesin zgjedhor

Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, i ka kërkuar Presidentit të Republikës Bajram Begaj që të mos...

‘Më 12 maj do vijë era shtet’, VIDEO e Flamur Nokës bëhet virale në rrjet

Sali Berisha dhe Flamur Noka betoheshin para zgjedhjeve, se nuk do të lejonin asnjë shkelje në 11 maj dhe do të fitonin zgjedhjet. Madje, Flamur...

Mbi 7 mijë vizitorë në vit, Llixhat e Elbasanit shtojnë turizmin kurativ

Banjat e Elbasanit, të njohura ndryshe edhe si llixhat, nga vit në vit po tërheqin gjithnjë e më shumë vizitorë, kryesisht mosha e tretë,...

“Kisha është e plagosur”/ Papa Leo XIV u drejtohet priftërinjve: Jini të besueshëm

Në mesazhin e tij në Meshën për shugurimin e njëmbëdhjetë priftërinjve të rinj të dioqezës së Romës, Papa Leo XIV i kërkoi të gjithë...

Sali Berisha dhe Ilir Meta koalicion?/ Ja përgjigja e Kreut të PD

Kreu demokrat tha se Meta, të cilin e cilëson të burgosur politik, ka të drejtë të bëjë zgjedhjen e vetë. Ai tha se koalicioni...

Lajme të tjera

Web TV