Shpendi Topollaj
Në kujtesën e qytetarëve durrsakë, ka mbetur ende e pashlyer përshtypja që linte çifti simpatik i intelektualëve Teuta dhe Avni Mulaj, dy bashkëshortë dhe krijues të mrekullueshëm, por mbi të gjitha, njerëz të mbushur me mirësi dhe respekt për të tjerët. Ishin të lumtur në jetën e tyre, qoftë këtu, qoftë atje në Las Vegasin e largët ku u vendosën pas vitit 1998, por fati i trishtë e deshi që Avniu të ndahej nga jeta në moshën 62 vjeçare. U pikëlluam të gjithë për humbjen e këtij miku e poeti, që me vlerat e tij të rralla, si mençuria, thjeshtësia, dituria, butësia dhe edukata prej fisniku të vërtetë, u bë përfaqsuesi tipik i atyre virtyteve që mbartin brenda tyre bijtë e Tropojës kreshnike, kudo që të ndodhen. Megjithatë, Avni Mulaj, ai burri me ata sytë e zjarrtë dhe zemrën aq të ndjeshme, dhe mbi të gjitha, ai poeti i lindur, në memorien tonë do të mbetet përherë i gjallë e buzagas. Se ashtu si mbi varrin e Saonit që kish rënë në atë gjumin e shenjtë, mund të përsëriten edhe për të fjalët e Kalimakut “Mos thuaj “vdiq” për njeriun e mirë”.Dhe mbi të gjitha, atë e bën të pavdekshëm krijimtaria e gjerë poetike në librat që na la, pa lënë mënjanë dhe dy dramat e tij “Gërsheti i luftrave” dhe “Vrasja e dytë e Azem Galicës”, pasi është ashtu sikurse thosh Borgesi se “Fjala gojore është e shkurtër, por do të thotë se fjala e shkruar është e përjetëshme.” Gjatë gjithë jetës së tij, Avniun e ndoqi pas imazhi i vendlindjes, çka bie në sy qysh te libri i parë i tij “Valbona e kaltër”, botim i vitit 1974, që nis me poezinë “Bjeshkët” që s`mund t`i harrojë kurrë, dhe që i quan me krenari nëna të fëmijërisë sime. Ai pohon se ka ndjerëqë “diçka është formuar tek unë”, pikërisht nga fëshfërima e barit, halës së pishës, gurgullimit të ujrave, vetmisë së shpellave, tingullit të lahutës, zërit të rapsodit, heshtjes së gurit, ku ai sheh me syrin e padukshëm duar stërgjyshërish, duke ngritur atë diçkanë e madhe që quhet Shqipëri. Ishte rritur me shumë mungesa, aq sa i kish mbetur në mendje ajo fotografia e vëllait me xhaketën e vjetër me mëngët e shkurtra, por edhe besonte se ditë më të mira do të vinin, pasi Komuna e Parisit që e mbështjellë nga gjiri i historisë, flinte e lumtur, ende rrezatonte shpresë për drejtësi. Në vazhdim, deri në vitet 90 – të, poezia e Avniut, në përmbajtje nuk ndryshon nga ajo e të gjithë shkrimtarëve tanë, të cilët me dashje, pa dashje ishin të detyruar të ecnin me hapin e kohës, siç e quan Boris Pasternaku, konformizmin naiv të njerëzve të ndershëm. Por ai në formë, guxon disi më shumë se disa të tjerët, duke lëvruar kurdoherë,pa rënë në manierizëm, vargun e çrregullt, ose më drejtë të lirë, të cilin jo vetëm që nuk e largon asnjëherë deri në fund, por e sofistikon atë deri atje, sa edhe pse pa asnjë rregull metrik, të ngërthen deri në magjepsje. E njeh mirë rrymën e belgjianit Verharen, vazhduar nga rusi A. Bllok, përqafuar me aq sukses nga Migjeni ynë dhe përhapur kaq shumë anë e kënd botës mbarë. I jep gjithashtu një peshë të veçantë organizimit të intonacionit të vargut, pra melodiozitetit, me ato ngritje – uljet që krijojnë spektrin e të kuptuarit të fjalës. Dhe e gjithë kjo vjen nga forca e mendimit, nga rrjedhshmëria dhe bukuria e artikulimit, nga këndvështrimi i pazakontë që ai ka për sendet, njerëzit dhe fenomenet e jetës. Dhe kjo, ndofta më mirë se kudo bije në sy te libri i botuar post mortem nga shtëpia botuese OMBRA GVG, me titull “Njeriu në Pen Station”. I kanë thënë mendimet e tyre për këtë libër si poetja Luljeta Lleshanaku emiku i tij i ngushtë Pirro Dollani, ashtu edhe miku im shkrimtari Zija Çela, i cili e ka shpjeguar edhe qartësimin e poetit Avni Mulaj pas zhvillimeve demokratike dhe asaj që përjetoi atje ku shkoi se “…e ka pjekur ndërgjegjen krijuese dhe, i moralshëm si gjithnjë, ka shmangur çdo nuancë moralizuese dhe barrierë ideologjish.”Kështu që e shoh të tepërt të ndalem te metamorfoza e poezisë së Avniut që tek e fundit është metamorfoza që pësoi e gjithë shoqëria shqiptare. Madje është shumë domethënëse poezia e tij “Historia e një poeti eurolindor me statujën e Lirisë”. Rëndësi ka që ai ka mbetur i njëtrajtshëm jo vetëm në talentin e tij përsa i përket strukturës së ndërtimit të godinës së tij poetike, mençurisë me të cilën operon, por edhe nxjerrjes së temës të madhe nga gjëra në dukje krejt të vogla dhe sidomos nga sinqeriteti me të cilin ai e sheh botën në gjithë zhvillimet e saj, në dritë – hijet që ciklikisht nuk – ndahen asaj. Është sipas tij një botë që rilin nga sibilat, ku ato mund të parathonë gjithçka, por që ai nuk trembet nga përgjigjet e tyre edhe sikur t`i ndjellin vdekjen; “Vdekja një e vërtetë e natyrshme si çdo e vërtetë; / nuk ka pse të shpallet armike.” Me këtë mendësi filozofike, Avniu e kthen poezinë në postulat. Në këtë pikpamje, poezia e tij, duke iu afruar shpesh hajkut, bëhet sentencë, veç ai nuk e fsheh përmbajtjen e tyre në ndonjë kolegjium priftërinjsh, por i shpall, që t`i lexojnë, t`i mësojnë e t`i përdorin të gjithë.Por, për të qenë tërësisht të saktë, duhet thënë se në gjithë universalitetin e poezisë së tij, ai ruan diçka për vete. Dhe kjo është poezia erotike që thuajse mungon fare në librin e tij, pasi mesa duket, ai ka parasysh se dashurisë i jep forcë pikërisht fshehtësia lasgushiane, të cilën ai për gruan e tij bukuroshe, do ta marrë me vete atje ku pushon pa kthim. Edhe tek e vetmja poezi kushtuar dyshimit për dashurinë e dy aktorëve, ku njera ishte e famshmja Elizabet Tejlor, ai kurreshtjen për shesh xhirimin ku ata luajtën me aq pasion, ua lë turistëve. Avni Mulaj, mbi gjithçka hyjnizon vendlindjen. Ai ruan thellë vetes pastërtinë frymëzuese të natyrës, nostalgjinë për eposin e saj, duke e identifikuar atë edhe te njerëzit fare të thjeshtë si bariu Sejdi Shyti me atë këmborën që s`dihet se ku e farkëtoi Hefesti, mallin për nënën e tij që dinte Fishtën përmendësh, motrën që e krihte dhe ai e mërziste me ato “pse pe andej e pse pe këndej”, disidentët e vërtetë, tëmarrët e qytetit, të vetmit që shanin me zë të lartë regjimin,ëmbëlsinë e kujtimeve që i zgjon bora e ftohtë, gështenjat që ushqenin ata njerëz në atë varfëri etj. etj. Nën tingujt e muzikës së Elvis Prislit, teksa qëndron i ulur në kopsht, ai gjithçka e sheh dhe e transfiguron poetikisht. Kështu, kur qeni fut në bark fletët e shkruara nga ai, ai shpreson që ai të kthehet në Pegas. Por ky kali me fletë ku hipën hyjnesha e agimit Eoja, nuk ishte ai që goditi me thundra malin Helikon, prej nga doli burimi Hipokrenë, por kali që hingëllinte shpateve të papërsëritshme të Shkëlzenit, ku qe rrëmbyer Tanusha, nga i cili rridhte madhërishëm Valbona. Në gjithë shtrirjen poetike të Avniut, lexuesi përballet me të papritura dhe paradokse e kontraste, shpesh sarkastike, nga më të çudishmet, dhe në subkonshiencë duket i pëshpërit vetes: “Po unë si nuk e kam vënë re?” se edhe në poezi ngjet si me macet që natën shohim më shumë ato të bardhat e ditën ato të zezat. Apo, fjala vjen; ai futet në kazino dhe menjëherë vëren ata që dikur, të kapardisur ndër foltore, mbanin leksione kundër mënyrës borgjeze të jetesës.Në etydin për burrin që qan, ai shpejt na kujton se “Retë gjithmonë shkarkojnë mbi shkëmbinj.” Pluhuri që le punëtori i lodhur i ndërtimit në ndenjësen e vagonit, atij i duket si poleni që lënë lulet. Te krahët e zogjve që sillen rrotull nesh, ai sheh thirrjen për të peshuar shpirtin. Kur shkon në Grand Canyon, poeti pyet në e patikëtu studion Da Vinçi që bëri këtë mrekulli dalta magjike e erës? Por, më shumë se këto, në krijimtarinë e pareshtur të Avniut, dallon kultura e lartë e këtij mercologu, ku mjaft të përmendim huazimet nga mitologjia apo afrimin me piktorët apo përfaqsuesit e shquar të artit botëror. Te efekti Pigmalion i vetpërmbushjes, atij skulptori qipriot që jetonte i vetmuar dhe realizoi në fildish vajzën Galatë, të cilën Afërdita, kur pa se qe dashuruar marrëzisht i dha jetë asaj, poetisheh “tiparin esencial të ekzistencës së materies”. Ose: “Më madhështore se vetë zjarri / Përralla e vjedhjes së zjarrit.”Kurse aventura e rrugëtimit legjendar të Odisesë, ende nuk ka mbaruar; ai tani udhëton me avionë, por i duhet ta lerë krenarinë e dikurshme të Itakës dhe të ndihet iposhtëruar nga kontrollet e rrepta të aeroporteve. Por edhe vetë poeti që kërkon siç thotë te “Fluturim mbi oqeanin Atlantik”, të zbulojë vetveten, në rrugëtimin e tij nga qyteti i ndaluar, për të cilin të ndaluara ishin të gjitha qytetet e botës, tallet deri në përqeshje me ata “baballarët” e dikurshëm të varfërimit të proletariatit. Shihni si e përshkruan ai portretin e sapopërfunduar të gjeneralisimit Stalin në mur, një ditë para mitingut, pasi: “U hoqën skelat / Sheshi u bë gati për tubimin solemn / Aty nga mëngjesi retë nxituan të tuboheshin / më përpara se njerëzit / Filloi një rrebesh i tmerrshëm, bojërat kulluan / Atëherë u shfaq përbindëshi i vërtetë / Stalin…” Mjaft interesante është Trilogjia e Kosovarit, por ajo që të prek është fati i vetë poetit që e kishte marrë vdekjen aq lehtë si filozoz, kur jeta paska dhe kthesa të befta, dhe drejt spitalit për kimio, ndërsa në qiell vazhdon tangua e qetë e shpendëve. Megjithatë, edhe këtu, ai gjen rast për shaka. Por nuk është krejt e tillë ajo, ku ai shprehet: “Krevat i ngushtë plot butona, sinjale / Si shtrat topi kundërajror.” Nuk është shaka, pasi edhe vdekja, duke e ditur se ai gjithë jetën kishte qenë një shpirt, kishte vendosur ta çonte atje lart në qiell, për të parë fatin e poezive të tij të shkruara me zjarrin e zemrës, këtë bir të përbashkët të Bajram Currit magjiplotë, që ai equante “mozaik i thukët me diamante / në relievin e Alpeve” dhe Durrësit ku ai kishte lidhur varkën e jetës për aq kohë sa kurrë të mos harrohet.