Sërish vjen 10 shkurti

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Enver Robelli

Listat për deputete e deputetë u bënë publike pak para se ky vit të përfundojë. Fushata elektorale ka filluar, ndonëse jo zyrtarisht. Polarizimi, tashmë në nivel shumë të lartë, mund të marrë përmasa edhe më të mëdha në javët në vijim. Bazuar në atë që është parë e dëgjuar viteve të fundit, është e mundur që sulmet personale (“goditjet”), do të vazhdojnë me intensitet të shtuar. Secili tabor do të tentojë të plasojë të vërtetën e vet, e cila në rastin më të mirë është gjysma e së vërtetës.

Po ashtu, secili tabor do të përpiqet të mobilizojë propagandistët e vet. Do të “kuptojmë”, siç nuk kemi kuptuar, se kush është tradhtar e kush patriot, kush punon për armikun dhe kush do të punojë për armikun, kush është i korruptuar dhe kush do të korruptohet, kush shitet në bursën e thashethemeve dhe kush e ka ndërmend të shitet, kush përdor fjalët më vulgare dhe kush është poterexhiu më i pistë.

Nga ky diskurs, nga kjo kakofoni nuk do të përfitojë shoqëria kosovare!

Pjesëmarrësit në garën elektorale nuk duhet të harrojnë një gjë: në jetë secili shihet me secilin dy herë. Një ditë pas zgjedhjeve, më 10 shkurt, fituesit dhe humbësit duhet të jenë në gjendje t’ia shtrijnë dorën njëri-tjetrit. Ata që fitojnë duhet ta kenë të qartë se pjesë e garës politike mund të jetë edhe humbja, kurdoherë. Ata që pësojnë humbje, nuk duhet ta shohin këtë si tragjedi. Në demokraci, humbësit e sotëm janë fituesit e nesërm. Sidomos në botën tonë të vogël shqiptare ka politikanë që demokracinë e pranojnë vetëm nëse fiton partia e tyre. Kur humbin, atëherë nuk pajtohen me verdiktin e qytetarëve.

Ky është një keqkuptim i madh i rregullave të lojës demokratike. Ndoshta kjo vjen nga shkaku se të qenit në pushtet në viset tona është shpesh çështje mbijetese. Në listat për deputete e deputetë të të gjitha partive ka edhe kandidate e kandidatë që, po të mos ishin në Parlament, nuk dihet se ç’do të bënin tjetër. Të tillët mos i dërgoni në parlament. Aty vetëm do të përdorin vokabular toksik. Do të shahen me kolegë të pozitës apo opozitës së ardhshme. Do të grushtohen, në rastin më të keq.

Nuk janë të pakta forcat që duan të dëmtojnë demokracinë kosovare – me gënjeshtra të paskrupullta, me fajësime të pafaktuara, me deformime të realitetit. Për dallim nga shumë vende të rajonit, në Kosovë ka qenë dhe besoj do të jetë i mundur transferi paqësor i pushtetit. Në vende të tjera, autokratët kanë arritur ta shkatërrojnë pothuaj plotësisht opozitën.

Lexo edhe :  Një Donald Trump ndryshe

Asnjë shoqëri nuk mund të përparojë pa mendim kritik. Që mendimi kritik të merret seriozisht, ai duhet të ushtrohet nga njerëz me kredibilitet publik. E kam fjalën sidomos për politikanët. (Vlen edhe për gazetarët, natyrisht). Elektorati duhet të ketë kujdes nga premtimet marramendëse të partive. Më 10 shkurt nuk fillon zgjidhja e të gjitha problemeve të këtij vendi. As shporrja e tyre me magji.

Magjistarët e kanë vendin në cirk, bashkë me palaçot. Nuk mund t’u besohet politikanëve që thonë: “Kurrë s’ka qenë më keq”. Po aq s’mund t’u besohet politikanëve që thonë: “Kurrë s’ka qenë më mirë”. Ka politikanë që e kalojnë jetën e tyre duke u ankuar për problemet e shumta në vend se të ofrojnë zgjidhje. Kjo është pjesa më e vështirë e politikës (krahas aftësisë – shpeshherë të munguar – për të dëgjuar, edhe kur një mendim s’të pëlqen).

Secili dhe secila që merr pjesë në garën politike, duhet t’ia shtrojë vetes pyetjen: çfarë trashëgimie politike dua të lë? Vetëm urrejtje e gënjeshtra? Apo një kontribut konstruktiv për të mirën e vendit? Politika dhe gjithçka rreth saj do të duhej të ishte një garë argumentesh. Kush i ka argumentet më të mira, le të fitojë. Tendenca për të sulmuar çdo propozim për zgjidhje të një problemi pa ofruar një alternativë serioze e bën politikën qëllim në vetvete. Por politika nuk duhet të jetë kurrë qëllim në vetvete.

Në debatet e ashpra (ndonjëherë edhe tmerrësisht të egra) në viset shqiptare sikur harrohet se po jetojmë në kohët më të rrezikshme pas vitit 1945. Siç e tha këto ditë ambasadori amerikan Jeff Hovenier, ka aktorë të huaj që duan ta sabotojnë e dëmtojnë demokracinë kosovare. Ky paralajmërim nuk është aq befasues, por i rëndësishëm është gjithsesi, sepse e vë shoqërinë kosovare para një sprove gjatë së cilës duhet të tregojë sa e çmon demokracinë, rrjedhimisht edhe lirinë. Njëra pa tjetrën s’kanë kuptim. “Jemi kundërshtarë, por s’jemi armiq”. Nuk besoj se ndonjë parti kosovare do të jetë e gatshme ta përdorë këtë slogan në fushatën elektorale. Por, çfarë nuk e bëjnë partitë, bëje ti – si qytetare, si qytetar i Kosovës. – Urime Vitin e Ri!/

Të fundit

Horoskopi ditor / E shtunë 1 Shkurt 2025

Dashi Sot Hëna në Gaforre do të apelojë sërish për qetësi. Do të jenë ditë intensive dhe të tensionuara, sidomos...

Plani i ri i tatimeve për vitin 2025: Kë do të prekë aksioni antiinfomalitet?

Aksioni antiinfomalitet dhe përmirësimi i shërbimeve për tatimpaguesit janë dy nga prioritetet kryesore të administratës tatimore për vitin 2025. Në një intervistë për SCAN TV,...

Katër ankesat më të shpeshta që gratë kanë për burrat e tyre

Studimet kanë treguar se ankesat që burrat dhe gratë ndajnë me këshilltarin ose psikoterapistin e tyre të martesës ndryshojnë sipas gjinisë. Por cilat janë ankesat më të zakonshme...

Norvegjia ndalon një anije të dyshuar për dëmtimin e kabllove nënujore

Policia norvegjeze njoftoi se ka ndaluar një anije vendëse por me ekuipazh rus, e cila dyshohet se është përfshirë në sabotimin e kabllove nënujore...

Punonjës pa kontrata dhe të pasiguruar, më shumë biznese u gjetën në shkelje gjatë 2024

Punonjës të pasiguruar, pa kontrata individuale por dhe mungesë të kushteve, janë këto shkeljet që Inspektorati i Punës ka konstatuar gjatë vitit 2024. Janë...

Lajme të tjera

Web TV