Fatura pandemike që po fundos kulturën kombëtare

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi 

Fondet që ishin kanalizuar për jetën artistike në vend janë pezulluar tashmë, sepse është pezulluar njëkohësisht i gjithë aktiviteti kombëtar në këtë lëmë. Në pamje të parë ky duket si një lajm i vjetër dhe aspak joshës. Por kostoja morale e tij po thellon një gropë po aq të zezë sa dhe deficitet e tjera të krijuara në këtë rast.

Përbindëshi “Sars Cov-2” po ha nga paratë tona. Dhe kjo punë nuk mbaron me kaq.

Ajo që merr faturën më të lartë në rast krizash e trazirash, por dhe në raste luftërash e pandemish, pa diskutim që është kultura. Po të plasi bomba në derën e shtëpisë, pa dyshim që fillimisht do të mendosh si të shpëtosh kokën, duke tërhequr pas vetes ndonjë thes me miell, me qëllimin për të bërë një krodhe bukë, në qoftë se do t’i mbijetosh shpërthimit e do të qëndrosh i fshehur për ditë të tëra në ndonjë transhe.

Ky është një nga instinktet bazë të njeriut.

Por nuk është parë e dëgjuar që në panik e sipër ndokush të kujtohet të marrë me vete një libër apo ndonjë vegël muzikore, me shpresë që në çastet e qeta të një armëpushimi të përkohshëm, të qetësojë mendjen e trullosur të njerëzve që gjithë ankth mendojnë si t’i shpëtojnë sulmit të radhës.

I vetmi “aventurier” që kërkoi të vinte jetën në rrezik për të shpëtuar dorëshkrimin e përkthimit të Rubaive ishte Fan Noli, tek largohej dhunshëm nga posti i kryeministrit, pasi në Tiranë po mbërrinin forcat e armatosura të Ahmet Zogut. Por këtë mund ta bënte vetëm një i marrosur si Noli, i cili, edhe pse e kishin informuar se shqiptarë e serbë bashkë hipur mbi kuaj e me mauzerë hedhur në sup po rrethonin kryeqytetin, preferoi të luante në flautin e tij, të cilin jo pa qëllim vite më vonë në ca kujtime të lançuara audio do ta cilësonte “fyell”.

Kultura shqiptare si dhe e shumë vendeve të tjera të botës u fut në kolaps që në fillim të marsit kur u dha kumti se një virus keqbërës, i barabartë me fuqinë e një bombe bërthamore, por e cilësuar si armë biologjike, u shfaq në horizont. Kush kishte një biletë kinemaje në dorë, e grisi. Për bileta teatri nuk bëhej fjalë, sepse në godinën e moçme ndërtuar nga italianët, prej kohësh ishin aneksuar aktivitetet artistike, në pritje të fadromave për ta shembur. Por dhe kauza për të mbrojtur godinën e Teatrit Kombëtar nga shënjestra, mbeti pezull, e ku si qëndrestar i fundit u dallua aktori Neritan Liçaj, i cili në vazhdimësi postonte foto në Facebook, duke u kujtuar të tjerëve që ai do të qëndronte aty deri në fund.

Në teatrot e rretheve, gjithashtu nuk funksionon asgjë. Fondet për shfaqet janë anuluar, përveç faktit që rrogat do të jepen për të listuarit si pjesë e ekipeve, deri në fund të vitit, edhe në rastin se nuk do të ketë asnjë vënie në skenë.

Këtë periudhë, Teatri Kombëtar, si dhe disa institucione të tjera të artit e kulturës, janë munduar të punojnë me sistemin online për të mos u shkëputur nga publiku. Por, gjithsesi, projekti “The  show must GO ON”, nuk mund ta zëvendësojë shenjtërinë  e skenës dhe as atë të spektatorëve në plate, prandaj ajo mund të rivalizojë me çdo emision tjetër televiziv por jo me teatrin, si koncept klasik.

Lexo edhe :  100% të sigurt të huajt, 83% vendësit

Kalimi i trupës së Teatrit të Operës dhe Baletit në godinën e rindërtuar të Pallatit të Kulturës, pas shëtitjes së gjatë katërvjeçare skenë më skenë, si “çifuti nëpër shkretëtirë”, sërish mbeti pa urë. Me gjasa, trupa teatrore dhe vetë orkestra simfonike do të mund të hyjë aty në fillim të sezonit të ri, në qoftë se do të ketë një të tillë nga vjeshta.

Shtëpitë botuese ndaluan së botuari libra, sepse jo vetëm shtypshkronjat me offset ndaluan procesin, por edhe libraritë u mbyllën. Ndërkohë Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, e drejtuar nga Alda Bardhyli, ka ndërmarrë një iniciativë të cilën e ka bërë publike si: “Konkursi për librin e karantinës”, me qëllimin që të mbajë gjallë jetën letrare në vend, edhe pse për të thënë të vërtetën, jeta letrare e çdo shkrimtari është krejt e pavarur nga konkurset dhe çmimet.

Kultura vazhdon të jetë në kolaps dhe çaku i filmave artistikë të cilët ishin në realizim e sipër, mbeti pa e marrë kërcitjen e fundit. Fondet e filmave janë akorduar, por ende nuk ka një protokoll se si do të vazhdojë puna për realizimin e tyre. Duhet pasur parasysh se nga çasti i aprovimit të një buxheti deri te dorëzimi i punës, përfshihet një periudhë kohore prej dy vitesh. Është koha e parapërgatitjes, faza e xhirimit të filmit, postproduksioni dhe vetë premiera. Por kinematë janë të mbyllura dhe një Zot e di se kur do të lirohen rripat për ata që e adhurojnë kinemanë, duke parë filmin në ekranin e gjerë e me një tas kokoshkash para.

Muzetë gjithashtu janë të mbyllura, dhe po ashtu shumë nga vendet që cilësohen si atraksion turistik. E bashkë me to edhe ekipet e arkeologëve apo restauratorëve kanë ndalur.

Në krizë janë përfshirë edhe kolonitë e piktorëve, të cilat në periudhën e pranverës kanë pasur numrin më të lartë të veprimtarive. Të mbyllura janë dhe galeritë e artit ku ekspozohen punimet.

Janë pezulluar gjithashtu edhe aktivitetet sezonale folklorike. Listës së statistikave i shtohet pa dyshim edhe cirku i vetëm në vend, ai i Tiranës.

Të vetmet që e mbajtën gjallë kulturën ishin televizionet që vazhduan të prodhonin spektakle, por pa spektatorë.

Në Shqipëri nuk bëhet fjalë për pasarela mode që ndryshojnë shijen e njerëzve, por nëse kryeqendra botërore e modës, Milano, u përfshi nga jeta e karantinës, pa dyshim do të shkëputeshin të gjitha hallkat që e lidhnin me filialet, pra dhe me Tiranën, në rastin më të fundit dhe ekstrem.

Teksa masat e rrepta ndaj pandemisë po ndryshojnë javë pas jave, po hapen ndërmarrjet prodhuese dhe njerëzit mund të lëvizin me makina, kultura është lënë për në fund. Vërtet u liberalizua shitja e librave, por ky është vetëm një fragment i jetës kulturore të një qyteti. Ndërkohë që fillimi i jetës artistike në dimensionin tërësor të saj vazhdon të jetë në një pikëpyetje të madhe. Së fundi është planifikuar të rifillojnë nga puna baret dhe restorantet, sepse byrektoret dhe sufllaqeritë kanë nisur tashmë. Por as që flitet për hapjen e sallave të kinemave dhe teatrove ca më pak.

Në këtë mënyrë mund të themi se pandemia e koronavirusit vërtet po trondit nga themelet ekonominë e shumë vendeve, ashtu siç tronditi dhe sistemin mjekësor, por sektorin e kulturës po e fundos më shumë nga të gjithë./Fjala.al

Të fundit

Më 11 qershor mblidhet Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste

Më 11 qershor në orën 17:00 do mblidhet Asambleja e Kombëtarë e Partisë Socialiste. Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste...

Meloni mund të jetë Kingmaker në BE, po Tirana ku është?

Nga Frrok Çupi: Sot është dita e dytë e zgjedhjeve për në Parlamentin Europian, në 21 shtete. Partitë e djathta pritet të fitojnë shumicë. Në...

‘Mashkulli Alfa’/ Këta burra të zodiakut duan të kenë kontroll mbi çdo gjë

DASHI Dashi është një lider i lindur. Ai ka ardhur në këtë botë për të udhëhequr. Ai dëshiron të jetë i pari në gjithçka. Imagjinoni...

Begaj pret gjeneralin turk, vlerëson dhënien e dronëve Bajraktar dhe ndihmën ndaj Kosovës

Presidenti i vendit Bajram Begaj, ka dhënë vlerësime ndaj Turqisë për kompletimin e ushtrisë shqiptare me dronët Bayraktar, si dhe ndihmën e dhënë ndaj...

Flet babai i recepsionistit që u vra në Dhërmi: Djalin e lutën të punonte atje

Babai i recepsionistit 31-vjeçar, Eraldo Nevruzit, i cili u vra në Dhërmi nga pronari i hotelit ku punonte, ka dhënë detaje mbi të shkuarën...

Lajme të tjera

Web TV