Karantina me efekt negativ, ja pse u arrestua lojtari i Partizanit

Izolimi për shkak të pandemisë ka rritur dhunën në familje dhe ka shtuar numrin e denoncimeve në Tiranë, e sipas shifrave të ministrisë, jo të gjitha raportohen. Këtë fundjavë bëri bujë shoqërimi i futbollistit latin të Partizanit, Romero. Lojtari shkoi në paraburgimin e Komisariatit numër 2 por futbollisti venezuelian insiston se nuk ka baza për këtë. Sipas burimeve, karantina në shtëpi dhe përplasjet verbale me partneren e tij simpatike, janë diçka normale për lojtarin.

Në favor të futbollistit të Partizanit është si për ironi, pozicioni i vajzës që nuk ka pranuar të bëjë denoncim. Por policia ka udhëzuar lojtarin të qëndrojë larg partneres, duke krijuar një tjetër problem, sesi do të jetojë çifti i ndarë kur jeta e tyre është nën një çati. Romero, si të mos mjaftonte kjo, stërvitej para pandemisë me të rinjtë e Partizanit, dhe do të jetë lojtari i parë që do të largohet nga Demat e Kuq, në merkaton e kësaj vere.