Zyrtari i lartë i Partisë Djathtas 1912, Rezart Kthupi, ka folur për refuzimin e ftesës së Lulzim Bashës për një koalicion politik, gjatë një interviste të dhënë në emisionin “Ngjarja Kryesore” në RTSH 1 nga gazetarja Sonila Agostini.
Ai theksoi se ishte propozuar një ofertë, e cila, për mendimin e tij, nuk ishte e drejtpërdrejtë dhe përmbante kushte që nuk lejonin ndërtimin e një koalicioni me vlera të barabarta.
Sipas Kthupit, ftesa e bërë kishte në thelb një propozim të papranueshëm për Partinë Djathtas 1912, pasi kjo ofertë do të linte gjithçka në duar të një partie të vetme, duke shpërfillur kontributin dhe peshën që secila palë mund të sillte në koalicion.
“Patëm një ofertë që në gjykimin tonë është e pranueshme nëse donim të ndërtonim një koalicion me vlera të barabarta, nuk u pranua si ofertë, u soll mbrapsht një ofertë që i lihej gjithçka vetëm një partie që ishte në koalicion dhe teorikisht e papranueshme nëse hyjmë me logjikën e një koalicioni ku të gjithë palët japin kontributin e tyre në raport me peshën që ato kanë”, u shpreh Rezart Kthupi./ S.M