Tetë testet e mëdha të Friedrich Merz
Kancelari i ri i Gjermanisë, Friedrich Merz, e pranon se ka vetëm 2 vjet kohë për të pasur sukses në punën e tij të re, përpara se të përballet në vitin 2027 me testet më të forta dhe jetike. Ai ka përpara sfidat e mëdha të mbajtjes së bashkuar të BE-së, stabilizimit të marrëdhënieve të dëmtuara me SHBA-në, rindërtimit të ushtrisë gjermane përballë një Rusie kërcënuese, si dhe ringjalljes së një ekonomie prej disa vitesh në agoni.
Kryetari i Bashimit Kristian Demokrat (CDU), që fitoi zgjedhjet parlamentare të 23 shkurtit, do të marrë detyrën më 6 maj në krye të një tjetër “koalicioni të madh”. Ky do të jetë i katërti, dhe potencialisht më problematiku, në 20 vitet e fundit mes CDU-së, partisë së saj simotër të Unionit Kristian Social bavarez dhe Socialdemokratëve (SPD) të kancelarit të mundur Olaf Scholz.
Pra Merz nuk do të shijojë ndonjë muaj mjalti. Një nga pikëpyetjet më të mëdha me të cilat përballen tregjet financiare, është nëse rritja e planifikuar e shpenzimeve dhe huamarrjes gjermane, mund të përballohet pa shkaktuar një rritje të diferencave të tregut të obligacioneve në bashkimin ekonomik dhe monetar. Kjo mund të detyrojë një ndërhyrje të re për rritjen e sasisë së obligacioneve nga Banka Qendrore Evropiane. Në tërësi, Merz do të përballet me 8 teste të mëdha.
1. Ka pak kohë në dispozicion për të rindërtuar besueshmërinë e dëmtuar
Ai u tërhoq nga qasja e kujdesshme ndaj buxhetit, si një çmim që duhej të paguante për marrëveshjen me partnerët e tij të ardhshëm në qeverisje të SPD-së, për një paketë të përgjithshme shpenzimesh shumëvjeçare deri në 1 trilion euro për mbrojtjen dhe infrastrukturën.
Statusi i tij i dobësuar midis votuesve konservatorë, të fiksuar pas stabilitetit fiskal, ka qenë një nga arsyet e një rënies së mbështetjes së CDU/CSU në 24 për qind, gati në një nivel me partinë Alternativa për Gjermaninë (AfD) e ekstremit të djathtë, sipas sondazheve më të fundit. AfD është tani partia e dytë më e madhe në parlamentin gjerman pas dyfishimit të rezultatit të saj në zgjedhje.
2. Një plan kohor më i ngadaltë se sa pritej për uljen e taksimit të korporatave, nuk do ta ndihmojë ecurinë e ekonomisë
Një rritje e pritshme e investimeve, do të sigurojë kompensim për një vonesë 2-vjeçare në uljen e taksave kryesore mbi korporatat. Merz e pranoi afatin 2-vjeçar për forcimin e rritjes ekonomike gjatë një intervistë për televizionin shtetëror ARD në 13 prill. Ai ka vendosur një objektiv: rritjen e ekonomike vjetore në 2, nga 0.4 për qind që është aktualisht. Por kjo do të jetë shumë e vështirë të arrihet pa përmirësime të mëdha në sektorët e prodhimit.
3. Reformat duhet të kenë ndikim në dy vitet e para të legjislaturës 2025-2029
AfD ka premtuar një fushatë për zgjedhje të parakohshme pas 2 vjetësh, nëse Gjermania nuk do të arrijë të shënojë një kthesë në çështjet vendimtare të emigracionit dhe ekonomisë. Një arsye tjetër për rëndësinë e vitit 2027 janë zgjedhjet presidenciale në Francë. Mandati i dytë dhe i fundit i Emmanuel Macron përfundon me zgjedhjet e prillit 2027.
Franca do të ushtrojë presion maksimal mbi Merz që të ndërmarrë reforma që rritin rezultatet, për t’u siguruar që Franca të shmangë hyrjen në Elize të një kandidati të ekstremit të djathtë.
Shumica e masave që premtojmë rritje përmes shpenzimeve më të larta, të mbështetura nga Franca dhe Italia, do të kundërshtohet nga mbështetësit konservatorë të Merz.
4. Problemi i brendshëm më i vështirë i Merz, është gati pamundësia e kombinimit të qasjeve të CDU/CSU dhe SPD për të mbështetur rritjen ekonomike
SPD do ketë ndikim të madh në qeverinë e re. Në zgjedhjet e 23 shkurtit, mori përqindjen e saj më të ulët të votave me 16.4 për qind (12 për qind prapa CDU/CSU). Por në qeverinë e re, po merr ministritë kryesore. Këtu përfshihet Ministria e Financave, që pritet të drejtohet nga Lars Klingbeil, bashkë-kryetari ambicioz i SPD.
Merz tha më 13 prill se negociatat gati u ndërprenë për shkak të dëshirës së SPD-së për rritje të reja taksash, të cilat Merz ia doli t’i refuzonte nën dritën e kërcënimeve ndaj rritjes globale nga rritja e tarifave të SHBA-së. Gjithsesi deputetët e SPD, mund të mos jenë të prirur të mbështesin Merz gjatë përballjeve pothuajse të pashmangshme mbi shpenzimet sociale, mbështetjen e industrisë dhe migracionin.
Kjo mund të rrisë gjasat për zgjedhje të parakohshme, nëse SPD mendon se shanset e saj rriten duke shkëputur lidhjet me CDU/CSU dhe duke rifilluar një aleancë me të Gjelbërit.
5. Merz do të përballet me vështirësi të mëdha për të arritur kompromise mbi migracionin
Kjo ishte çështja më e diskutuar gjatë fushatës zgjedhore, kjo edhe për shkak të një morie sulmesh terroriste në qendrat urbane gjatë vitit të kaluar. Në gjetjen e zgjidhjeve për refuzimin e azilkërkuesve në kufi apo riatdhesimin e anëtarëve të familjes, Merz do të duhet të gjejë një ekuilibër midis respektimit të ligjeve dhe rregulloreve evropiane, kënaqjes së shqetësimeve humanitare të SPD, dhe fitimit të konsensusit të përgjithshëm nga popullata gjermane, ku AfD ka nxitur shqetësime për lidhjet midis kriminalitetit dhe hyrjes së paligjshme të emigrantëve.
6. Në Evropë, Merz do të jetë një lojtar kyç në reagimin ndaj ndryshimeve në marrëdhëniet me SHBA-në dhe Kinën
Ai duhet të jetë nismëtar i masave speciale për një rritje ekonomike më dinamike në Evropë, pa nxitur ankthin e bazës së mbështetësve për rritjen e pa balancuar dhe inflacionin e lartë. Kjo do të përfshijë përpjekjet për të fituar njëfarë mbështetjeje për rekomandimet e ish-kryeministrave italianë Mario Draghi dhe Enrico Letta në raportet zyrtare të Brukselit gjatë 2 viteve të fundit, të cilat në përgjithësi janë neglizhuar nga klasa politike gjermane.
7. Merz duhet të gjejë të mesmen e artë midis mbrojtjen e Ukrainës dhe rritjes së sigurisë së Gjermanisë
Ai dëshiron të mbështesë industrinë vendase me shpenzime shtesë të planifikuara për mbrojtjen, të kënaqë dëshirat e SHBA-së për të “blerë produkte amerikane” dhe të krijojë një dimension mbarë-Evropian, duke përfshirë edhe vendet jo anëtare të BE-së. Më 13 prill, Merz përmendi spontanisht popullsinë 50 milionëshe të Britanisë së Madhe, duke ia shtuar 450 milionëve që ka aktualisht BE-ja.
Ai bëri thirrje për koordinim të NATO-s me Gjermanisë dhe partnerët evropianë për furnizimin e Ukrainës me raketa gjermano-suedeze me rreze të mesme, Taurus, të cilat do të forcojnë mbrojtjen e Ukrainës kundër bombardimeve në qendrat e banuara.
8. Merz duhet ta bëjë euron një alternativë të vërtetë ndaj dollarit në tregjet financiare botërore
Kjo kërkon promovimin e mjeteve huamarrëse në mbarë Evropën, dhe rritjen e aftësisë evropiane në përdorimin e “aseteve të sigurta”. Merz mund të jetë i kufizuar në mbështetjen ndaj mekanizmave evropianë për huamarrje shtesë për projekte dhe sisteme të përbashkëta të mbrojtjes, e cila përfshin zgjerimin e fondit të Brezit të Ardhshëm të BE-së përtej vitit 2026, por me një emër tjetër.
Një huamarrje më e madhe e qeverisë gjermane për infrastrukturën dhe mbrojtjen, pa prishur tregjet e tjera evropiane të kapitalit, do të jetë një detyrë madhore. Ajo mund të përfshijë zgjidhje të reja për një bashkim të mirëfilltë pan-evropian të tregjeve të kapitalit së bashku me Britaninë./ S,M