Vijon tensioni për çështjen e prishjes së godinës të Tetarit Kombëtar. Artistët dhe politika në ballë të konfrontimit. Vijnë reagimet nga BE-ja që kërkon dialog dhe konsensus. Kryedemokratit Basha i vendoset gjobë dhe “i hiqet” patenta…
Nga Silvana Tresa
Në dukje është vetëm një godinë, por çështja e Tetarit Kombëtar është më shumë se kaq. Politika ka zbritur në “oborrin” e saj, SPAK nisi hetimet ndaj Bashkisë Tiranë, policia kundërpërgjigjet me gjoba, ndërkombëtarët po reagojnë, edhe nga zyrat komode të Brukselit, apo selitë diplomatike në kryeqytetin tonë. Vendimi i Këshillit Bashkiak të Tiranës për prishjen e Teatrit Kombëtar, i miratuar të enjten në mbrëmje gjatë një mbledhjeje online, ka sjellë një valë reagimesh të ashpra nga komuniteti i artistëve dhe mjaft figura të njohura të artit dhe të politikës. Prania ditën e enjte e kryetarit të opozitës, Lulzim Basha, në ambientet e Teatrit Kombëtar, në mbështetje të artistëve, ka bërë që kreu i opozitës të ndiqet penalisht së bashku me 39 protestues të tjerë. Sipas njoftimit të policisë, në zbatim të Aktit Normativ, shërbimet e policisë kanë proceduar me masat administrative përkatëse, gjobë dhe tërheqje të lejes së drejtimit, pas protestës te Teatri Kombëtar. Policia thotë se ata janë grumbulluar përtej fashës së orarit të lejuar në kushtet e pandemisë së COVID-19, duke shkelur kështu masat e nevojshme. Për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, gjatë ditës së djeshme mbajti qëndrim edhe komisionerja e KE-së për kulturën, Mariya Gabriel, e cila, me anë të një postimi në tëitter, u ka bërë apel palëve që para se të merret një vendim i pakthyeshëm për prishjen e Teatrit, institucionet përkatëse kombëtare të përfshihen në një dialog konstruktiv. “Ne inkurajojmë fuqimisht të gjitha institucionet përkatëse kombëtare që të përfshihen tani në një dialog konstruktiv me palët e trashëgimisë”, – shkruan në reagim zyrtarja e BE-së. Edhe ambasada britanike ishte në të njëjtën linjë. “Dialogu nuk është kurrë i pavlerë, veçanërisht në këto kohë të trazuara”, thuhet ndër të tjera faqen zyrtare të ambasadës britanike. Nuk ka munguar edhe thirrja e ambasadorit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luiggi Soreca, i cili u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të respektojnë rregullat në fuqi, në mënyrë që i gjithë komuniteti të dalë sa më shpejt nga kjo krizë. “Ne duhet të jemi rezistentë dhe të disiplinuar në luftën kundër COVID-19. Të gjithë duhet të respektojmë rregullat në fuqi për të ndihmuar gjithë komunitetin të dalë nga kriza. Evropa do të vazhdojë t’i ofrojë ndihmë thelbësore Shqipërisë. Dorëzimi tjetër i pajisjeve është planifikuar javën e ardhshme”, shkruan Soreca, në postimin e tij në tëitter, duke lënë të “kuptohet qartë” se thelbësore është lufta kundër koronavirusit dhe jo grumbullimet në protesta.
Të gjithë në lojë…
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka reaguar sërish ditën e djeshme, ku ka lëshuar akuza të forta ndaj Bashkisë së Tiranës lidhur me aktet e miratuara së fundmi nga Këshilli Bashkiak, duke i cilësuar ato si një veprimtari e mirëstrukturuar kriminale që po provokon paqen sociale. Duke kujtuar padinë e depozituar ditën e djeshme në Gjykatën Kushtetuese kundër shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar, presidenti Meta i cilësoi si marrëzi të jashtëzakonshme përpjekjet për prishjen e Teatrit pa shteruar rrugën kushtetuese dhe ligjore të kësaj çështjeje. Pas reagimeve të bëra nga ndërkombëtarët, presidenti Meta tha se kjo çështje tashmë ka marrë dimensione ndërkombëtare dhe evropiane. Në një prononcim për mediet, teksa ndodhej për një vizitë në Kavajë, Meta kujtoi se vendi vazhdon të gjendet ende në situatë pandemie, duke lënë të kuptohet se kjo nuk është periudha më e mirë për të marrë vendime të tilla. Ai solli në vëmendje prishjen e objekteve të kultit gjatë periudhës së komunizmit, duke thënë se vendimi për prishjen e Teatrit Kombëtar do të cenonte përpjekjet që po bën vendi për t`u integruar në Bashkimin Evropian. “Aktet e fundit të bëra publike flasin për një veprimtari të mirëstrukturuar kriminale. Na mjaftojnë kazmat e komunizmit ndaj kishave e objekteve të kulturës. Në këtë situatë ende pandemie, në vend të merremi me menaxhimin më të mirë të saj, do t’u vinim kazmën edhe përpjekjeve tona për integrimin e vendit, si dhe do të ishte një provokim mjaft serioz për paqen sociale”, – tha Meta.
SPAK-u nis hetimet
Pas kallëzimit të kryer nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ka nisur hetimet për shpërdorim detyre ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe nënkryetarit Arbër Mazniku. Ky kallëzim vjen pasi të enjten në mbrëmje qarkulloi në media një dokument që mban firmën e kryetarit të Këshillit Bashkiak Tiranë, Toni Gogu, i cili kishte firmosur vendimin për prishjen e Teatrit, vendim i cili pritej të diskutohej në mbledhjen e së hënës së këshillit. Godina e Teatrit Kombëtar, me një vendim të Këshillit të Ministrave ka kaluar së fundmi në pronësi të Bashkisë së Tiranës. Procesi është regjistruar, por ende nuk ka një vendim nga SPAK-u për ecurinë e mëtejshme të çështjes.
Rama: Sjellja e Bashës, e papërgjegjshme.
Mos merrni shembull nga kryetari i PD-së!
Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar si të papërgjegjshme sjelljen e kreut të opozitës, Lulzim Basha, i cili mbrëmjen e së enjtes iu bashkua artistëve të Teatrit Kombëtar, në kauzën e tyre për të mos lejuar prishjen e godinës së këtij teatri. Sipas kryeministrit, një person që ka përgjegjësi publike nuk mund të bëjë një veprim të tillë. Kreu i qeverisë solli në vëmendje edhe procedimin administrativ të kreut të opozitës Lulzim Basha nga policia e Durrësit, i cili gjatë një takimi me bizneset në këtë qytet shkeli rregullat e distancimit social, duke u ulur në një tryezë me disa përfaqësues të këtij biznesi. Duke qenë se vendi po shkon drejt hapjes së madhe, kryeministri Rama u bëri apel qytetarëve që të vazhdojnë ta ruajnë distancimin social, pasi sipas tij, gjithçka varet nga sjellja e tyre. “Gjithcka varet nga sjellja jonë. Nuk mund të ndodhë, siç ndodhi me zotin Basha, apo me ata që dolën në protestë. Janë rregulla të njëjta që do të funksionojnë edhe për kryetarin e PD-së. Këto janë sjellje të papërgjegjshme. Mos merrni shembullin e kryetarit të Partisë Demokratike. Mund të jeni dakord me temat e tij, por jo me sjelljen e tij. Nuk e bën kurrë në botë askush atë gjë, aq më pak një person publik”, – tha Rama./Gazeta Fjala/