Ndërsa kreu i PD-së Sali Berisha po pretendon me denoncime çdo ditë për “farsën elektorale” të 11 majit nga mazhoranca, në atë humbje të thellë historike që mori, brenda partisë ka nisur edhe ‘lufta’ me akuza për vjedhje të votës preferenciale.
Deri tani janë katër kandidatë humbës të PD, që kanë kërkuar rinumërim të votave në Tiranë e Durrës: Ilir Alimehmeti, Lisandër Hoxha, Aulon Kalaja dhe Mimoza Hajdarmataj.
Ata nuk kanë pretendime për votat e partisë, por akuzojnë se u janë vjedhur votat brenda llojit. Lidhur me këtë, Sali Berisha u pyet sot (30 maj) nga gazetarët në konferencë, teksa dha një koment, duke thënë se “nuk ka dy standarde si Edi Rama”.
“Farsë elektorale nuk flas unë, është realitet i pamohueshëm. Kjo që thoni ju, 2,3,4,5 verifikime, parregullsi, këto nuk hedhin asgjë poshtë, as në këto që themi. Përkundrazi. Kurse përsa u përket kandidatëve, unë nuk e di sa kanë kërkuar rinumërimin apo sa kanë kërkuar procedurën, por cilido që dëshiron është i lirë ta bëjë, ne nuk bllokojmë asnjë njeri që të bëjë transparencën, fare”, u shpreh ai.
Madje theksoi se nëse ka pasur njerëz që kanë deformuar rezultatin brenda partisë, si në rastin ku Alimehmeti pretendonte se në një kuti kishte marrë 27 vota, por i ishin shënuar zero, do të përgjigjeshin ligjërisht.
“Nëse ka pasur njerëz të pandërgjegjshëm ata do identifikohen dhe do mbahet qëndrim ligjor, padiskutim. Ne nuk kemi këtu dy standarde. Nuk kemi standardin e Edi Ramës që ndalon transparencën, atë s’e bëjmë kurrë ne. Besoj se e qartë përgjigja. Nuk e di sa janë. Edhe para dy ditësh kam përsërit udhëzimet, ku çdo kandidat qe kërkon transparencë, duhet ta mbështesim plotësisht nga partia, sepse ashtu e kërkon ligji”, tha Berisha. m.p.