Fituesi i heshtur i 11 majit quhet Sali Berisha

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

B. KAJSIU – Zgjedhjet e 11 majit dhanë një rezultat të qartë në planin institucional: Edi Rama dhe Partia Socialiste siguruan një fitore solide, me 83 mandate dhe mandatin e katërt qeverisës radhazi. Por në dimensionin personal, strategjik dhe politik, zgjedhjet kanë prodhuar një tjetër fitues, më pak të dukshëm, por jo më pak të rëndësishëm: Sali Berishën.

Në një realitet politik ku ai ishte i izoluar ndërkombëtarisht, nën hetim penal, në arrest shtëpie dhe pa një drejtim të njohur formalisht të partisë, Berisha jo vetëm që mbijetoi, por në shumë aspekte fitoi. Ja pse.

1. Konsolidimi absolut në krye të PD-së

Berisha rimori kontrollin formal dhe real të Partisë Demokratike, duke e nxjerrë atë nga një periudhë përçarjeje, çorganizimi dhe mungese drejtimi. Marrja e vulës nuk ishte vetëm një çështje juridike, por një akt politik që rivendosi legjitimitetin e tij si lider. Një akt që shumëkush e sheh si produkt të heshtjes ose pëlqimit të Edi Ramës.

2. Dalja nga arresti – një kthesë politike

Vendimi për ta lënë të lirë nga arresti shtëpiak përkoi me rikthimin në krye të partisë dhe përfshirjen aktive në fushatë. Liria fizike u kthye në liri politike. Berisha u shfaq sërish në terren, para bazës, duke marrë rolin e liderit të pakontestuar të opozitës reale.

3. PD nën drejtimin e tij është forca e dytë politike

Rezultati zgjedhor i 11 majit e konfirmoi Partinë Demokratike, nën Berishën, si forcën e dytë politike në vend, me 50 mandate — shumë larg partisë së tretë që siguroi vetëm tre. Në një klimë ku nuk kishte asnjë mundësi reale për të marrë pushtetin, ky rezultat është politikisht një fitore.

4. Grupi parlamentar i kontrolluar

Grupi i deputetëve të PD-së është, në shumicë, besnik ndaj Berishës. Strukturat qëndrojnë në llogoren e tij politike dhe të disiplinuara.Çdo zë ndryshe neutralizohet në mënyrë të butë, përmes presioneve morale apo sugjerimeve “profesionale” për tu tërhequr nga politika. Ky kontroll e bën të qartë se Berisha ka jo vetëm partinë, por edhe instrumentet për ta trashëguar atë sipas dëshirës.

Lexo edhe :  Lëvizjet maoiste të ‘njerëzve të pastër’ në PD

5. Rimodelimi i marrëdhënieve me SHBA-të

Berisha nuk e hoqi dot “non gratën”, por amerikanët nuk janë më aktivë në raport me të. Nuk ka më deklarata, as përjashtime, as përpjekje për izolim publik. Në një farë mënyre, heshtja është ajo që ai kërkonte: të mos përjashtohej dot, por të injorohej në mënyrë të heshtur. Për të, kjo është fitore.

6. Mandati, mburojë për betejën me drejtësinë

Ndërsa betejën me SPAK e zhvendos në sallat e gjykatës, Berisha e zhvillon atë si deputet dhe si kryetar partie. Me ritmin e drejtësisë shqiptare, procesi mund të zgjasë katër vjet ose më shumë. Deri atëherë, ai mbetet aktiv, i pranishëm dhe i mbrojtur institucionalisht.

7. Mbrojtja e interesave familjare

500 mijë vota janë një kapital politik që e ndihmon jo vetëm për të ruajtur pozitën si lider, por edhe për të mbrojtur interesat e familjes. Në Shqipëri, forca politike është edhe mjet për të shmangur goditjen penale. Në këtë aspekt, Berisha ka siguruar përkohësisht mbrojtjen që i nevojitet.

8. Bashkëjetesa me Ramën

Berisha nuk është më kundërshtari i pandalshëm i Ramës, por pjesë e një ekuacioni të heshtur ku të dy palët bashkëjetojnë për interesat e tyre. Rama merr mandatin e pestë; Berisha mban PD-në dhe pozicionin si faktor. Mungesa e përplasjes reale mes tyre është vetë treguesi më i fortë i këtij ekuilibri të ri.

Në përfundim: Nëse zgjedhjet e 11 majit do të ishin një betejë për pushtet, Berisha nuk kishte asnjë shans për ta fituar. Por zgjedhjet nuk prodhojnë vetëm qeverisje — ato japin legjitimitet, pushtet politik, imunitet moral dhe kontroll mbi instrumentet e opozitës. Në të gjitha këto aspekte, Berisha është fituesi i heshtur, por i padiskutueshëm i 11 majit. (Shkruar ne Lexo.al) m.p

Të fundit

Qëllohet me thikë 16-vjeçari shqiptar në Itali, dalin dyshimet e para

Një 16-vjeçar me origjinë shqiptare është plagosur rëndë në Itali, pas një sulmi me thikë. Ngjarja ka ndodhur në qytetin...

Përqafim i përzemërt pas 30 vitesh, Mirel Josa takon ndihmëstrajnerin e Serbisë

Kombëtarja e Shqipërisë në futboll barazoi 0-0 kundër Serbisë të shtunën në "Arenën Kombëtare". Pjesë e stafit serb si trajneri i portierëve është edhe...

Shkarkohet trajneri i Italisë, zbulohen dy emrat në garë për stolin

Luciano Spalletti nuk është më trajneri i kombëtares italiane të futbollit. Ndërkohë mediet në Itali kanë dhënë edhe dy zëvendësuesit e mundshëm që janë ish-trajneri...

Referendumi për shtetësinë italiane, Meloni u kërkon italianëve të mos marrin pjesë

Italianët votojnë sot në referendume mbi lehtësimin e rregullave të marrjes së shtetësisë dhe fuqizimin e mbrojtjes për punëtorët mes shqetësimeve se pjesëmarrja e...

Kombëtares i mungon kapiteni! Në Letoni nisemi pa Gjimshitin

Nuk ka pushim për kuqezinjtë...Kombëtarja shqiptare e futbollit është rikthyer në fushë dhe ka nisur menjëherë përgatitjet për ndeshjen ndaj Letonisë. Trajneri Silvinjo e ndau...

Lajme të tjera

Web TV