Protestat mund të ndihmojnë tiranë si Trump, por kjo s’është arsye të qëndroj në shtëpi

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Zoe Williams

Kur Donald Trump u zgjodh për herë të parë president i Shteteve të Bashkuara, veprat e filozofes gjermano-amerikane Hannah Arendt u shitën në mënyrë të jashtëzakonshme. Nuk ishte një lajm tërësisht i mirë – edhe “Elegjia e Hillbilly-t” e JD Vance po përjetonte një rritje popullariteti, ndërkohë që Trump po përgatitej të merrte detyrën. Por vepra më e njohur e Arendt-it, Origjina e Totalitarizmit (1951), po shitej me një ritëm 16 herë më të lartë se zakonisht, çka do të thotë se kur shpërthyen protestat kundër inaugurimit në janar 2017, disa nga ata njerëz e kishin lexuar me të vërtetë librin.

Arendt kishte një qëndrim kompleks ndaj demonstratave popullore. Ajo e kuptonte mirë se si sundimtarët autoritarë përdorin protestat publike si një justifikim për të shfaqur fuqinë fizike të shtetit, të mishëruar në polici, duke e shndërruar shtetin në një ushtri kundër qytetarëve të vet. Marrëdhënia ndërmjet popullit dhe qeverisë ndryshon rrënjësisht: nëse nuk është më qeverisje me pëlqim, është sundim me forcë – dhe ata kanë gjithë arsenalin. Ajo citon aktivistin francez David Rousset për të përshkruar Gjermaninë e viteve ’30: “Sa vetë besojnë ende se protestat kanë ndonjë rëndësi historike? Kjo është vepra më e madhe e SS-së. Ata kanë shkatërruar çdo ndjenjë solidariteti njerëzor. Këtu nata ka rënë mbi të ardhmen.” Është një situatë që Arendt e vizaton me elegancë si pa rrugëdalje: nëse humbet vullnetin për të protestuar, je “vrarë moralisht”; nëse proteston, i jep argument tiranit.

Megjithatë, protestat e Grave në janar 2017 nuk provokuan dhunë policore. Nuk u bë asnjë arrestim, ndonëse në rrugë kishin dalë 2 milionë vetë në qytete si New York, Uashington, Çikago, Los Anxhelos dhe Seattle. Disa komentues e shpjeguan këtë mungesë agresiviteti me natyrën paqësore të grave dhe aleatëve të tyre, ndërsa studiuesit sollën në vëmendje kontrastin me qindra arrestimet gjatë protestave në Ferguson në vitin 2014 (nën presidencën Obama). Studiuesja Abby Harrington e përshkroi diferencën si “tanke dhe plumba gome përballë kapeleve rozë dhe përqafimeve”, duke argumentuar se trajtimi ndryshe i protestuesve kishte në thelb një motiv racor. Do të ishte gabim, madje edhe seksist, të thuhet se gratë nuk u shtypën dhunshëm ngaqë nuk përfaqësonin një kërcënim të vërtetë. Po ashtu, do të ishte gabim të thuhet se ato nuk lanë gjurmë – protestat u mbajtën në 408 qytete amerikane, me mbi 4 milionë pjesëmarrës, dhe shpërthyen në formë solidariteti në të gjitha kontinentet, përfshirë edhe një në Antarktidë.

Por ajo lëvizje kishte kërkesa të gjera dhe të paqarta: protestuesit kërkonin “komunitete të gjalla e të larmishme” si thelb të forcës kombëtare, të drejta riprodhuese, tolerancë, barazi gjinore e racore, mbrojtje nga dhuna, dinjitet për punëtorët – në thelb, kërkonin njerëzi. Dhe një lider si Trump, i pamëshirshëm përballë decencës, nuk ndjeu aspak nevojën të përgjigjej.

Lexo edhe :  4000 trupa amerikane rrethojnë Amerikën Latine, nis zbatimi i planit të Trump

Sot, qyteti i Los Anxhelosit ndodhet në një realitet të ri: presidenti është në luftë të hapur me qytetarët. Gjithçka nisi të premten e kaluar rreth orës 9 të mëngjesit, kur agjentët e patrullës kufitare u grumbulluan jashtë një depoje Home Depot në Paramount, një zonë me popullsi kryesisht latine. Deputeti lokal José Luis Solache Jr ndodhej aty pranë dhe postoi pamjet që dukeshin si një operacion ushtarak, ditë para se të vinte Garda Kombëtare. Protestuesit nuk ishin shumë në numër, por të vendosur në qëllim: të pengonin atë që dukej si bastisje imigracioni mbi njerëz që po shkonin në punë. Kishte ndodhur më herët arrestimi i një lideri sindikal në Distriktin e Modës, si dhe një baba ishte arrestuar para syve të djalit të tij 8-vjeçar. Mesazhi ishte i qartë: nuk po synohen kriminelë të rrezikshëm, por fqinjët dhe kolegët tanë.

Kërkesa e protestuesve ishte po aq e thjeshtë: mos arrestoni miqtë dhe fqinjët tanë që nuk përbëjnë kërcënim për askënd. Por si përgjigje, janë vendosur në qytet 700 marinsa dhe është dyfishuar numri i forcave të Gardës Kombëtare në 4 mijë. Situata rikujton veprën tjetër të Arendt-it, Mbi Dhunën, ku ajo argumenton se fuqia dhe dhuna janë të kundërta: shteti krijon një fuçi baruti kur humbet pritshmërinë e bindjes publike. Nëse protestat janë vetëm simbolike, mund të shërbejnë si justifikim për shtypje konkrete. Por këto protesta nuk janë simbolike – alternativa është të rrish në shtëpi dhe t’i lësh fqinjët të zhduken.

Kolumnistja ruso-amerikane Masha Gessen përmend një dallim të rëndësishëm në shkencat politike: besimi është kur beson se drejtësia do të vijë vetvetiu, ndërsa shpresa është kur merr pjesë dhe vepron. “Nuk mund të veprosh pa shpresë – por gjithashtu nuk mund të kesh shpresë pa veprim,” shkruan ajo në New York Times. Çdokush ka një vijë të kuqe që, kur kapërcehet, e shtyn drejt veprimit – s’ka njeri që nuk do të hidhej para një furgoni qeveritar, nëse brenda tij po merrej fëmija i tij nga njerëz me maska. Pra, mjeshtëria e një shteti autokratik nuk qëndron vetëm në dobësimin e institucioneve mbrojtëse, por në krijimin e frikës dhe dëshpërimit përpara se një shumicë kritike të arrijë pikën e durimit.

Dhe sot, mbetet ende e paqartë: është kjo dhunë spektakël i qëllimshëm për të frikësuar, apo është thjesht pasojë e një rrëmuje që kërkon zgjim kolektiv?

*Zoe Williams është kolumniste në “The Guardian”/ Përgatiti për botim: Leonard Veizi

Të fundit

Trump komplimenton Zelenskyn për veshjen

Mes diskutimeve intensive mbi luftën dhe paqen, një moment i gëzuar ndodhi pikërisht tani në Zyrën Ovale, ndërsa zgjedhja...

Trump: Nuk kemi nevojë për armëpushim. Dua direkt paqe

Donald Trump thotë se nuk ka nevojë për një armëpushim në Ukrainë. Një marrëveshje paqeje mund të arrihet ndërsa Ukraina dhe Rusia janë në luftë,...

“Kam një letër për gruan tuaj”, Zelensky befason Trump

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky gjatë konferencës me gazetarët ka falenderuar Trump për mundësinë e armatimeve që Ukraina po vazhdon të blejë përmes një...

Zbulohen detaje nga aksidenti ku humbën jetën 3 shqiptarë

Tre shqiptarë kanë humbur jetën tragjikisht e një tjetër ka mbetur i plagosur rëndë pas një aksidenti të ndodhur ndodhur mesditën e sotme në...

Hamasi pranon propozimin për armëpushim në Gaza

Hamasi ka rënë dakord me propozimin e fundit nga ndërmjetësuesit rajonalë për një armëpushim në Gaza dhe një marrëveshje për lirimin e pengjeve me...

Lajme të tjera

Web TV