Xhon Dillinger, supergrabitësi që u vra nga FBI pas shpine me pesë plumba

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

22 korrik 1934

Nga Leonard Veizi

Për jetën e tij është realizuar një film i jashtëzakonshëm, dhe roli kryesor interpretohet nga një aktor po aq i jashtëzakonshëm. Në filmin “Armiqtë Publikë” (Public Enemies), i publikuar në vitin 2009 me regji nga Majkëll Man (Michael Mann), roli i Xhon Dillingerit luhet mjeshtërisht nga Xhoni Dep (Johnny Depp).

Rolin e Melvin Përuisit (Melvin Purvis) – agjenti i FBI-së që udhëhoqi operacionin për kapjen e Dillingerit – e interpreton Kristian Bejl (Christian Bale), ndërsa Marion Kotijar (Marion Cotillard) luan rolin e Bili Fërshetit (Billie Frechette), të dashurës së Dillingerit.

Filmi është një dramë kriminale bazuar në ngjarje reale dhe pasqyron periudhën kur Dillinger ishte “armik publik nr. 1”, duke shpalosur përndjekjen e ashpër nga FBI-ja, aktivitetin e tij kriminal, marrëdhëniet e tij personale dhe fundin tragjik.

Filmi është vlerësuar për stilin vizual tërheqës, të realizuar me kamera digjitale, dhe për përpikmërinë në rikrijimin e atmosferës së viteve ’30 në SHBA. Performanca e Xhoni Depit është veçanërisht e spikatur, pasi ai sjell në ekran një figurë karizmatike, por njëkohësisht të rrezikshme.

Kush ishte Xhon Dillinger?

Xhon Herbert Dillinger, një nga figurat më famëkeqe të krimit në SHBA, lindi më 22 qershor 1903 në Indianapolis, Indiana. I njohur për grabitjet e tij spektakolare të bankave dhe për stilin e tij elegant, ai u bë simboli i gangsterit të epokës së Depresionit të Madh.

Hapat e parë drejt krimit

Në moshën 20-vjeçare, më 6 shtator 1924, ai kreu grabitjen e tij të parë në një dyqan ushqimor pranë shtëpisë. Edhe pse u arrestua, u lirua falë ndërhyrjes së njerkës së tij. Ky episod ishte vetëm fillimi i një jete plot krime, grabitje dhe arratisje dramatike.

Pas një tjetër arrestimi në Dejton, Ohajo, ai u transferua në burgun e Miçiganit. Aty lidhi kontakte me kriminelë të tjerë dhe më pas arriti të arratisej. Rikthimi në botën e krimit e bëri gjithnjë e më të njohur, veçanërisht për pamjen e tij të kuruar: gjithmonë me kostume elegante dhe kapelë, ai krijoi një imazh mitik.

Nën vëzhgimin e FBI-së

Nën drejtimin e Xhon Edgar Huverit (John Edgar Hoover), FBI-ja e shpalli Dillingerin “armik publik numër 1”. Në sytë e një pjese të opinionit publik, ai shihej si një lloj “Robin Hudi” modern, sepse gjatë grabitjeve digjte regjistrat ku shënoheshin borxhet e qytetarëve të varfër – një akt që, në një kohë krize të thellë ekonomike, e bëri të fitonte simpatinë e shumë njerëzve.

Lexo edhe :  Kampioni i muskujve dhe karakterit, Endri Pandazi drejt Arabisë Saudite

Izolimi dhe rënia

Me kalimin e kohës, edhe vetë bota e krimit filloi ta shmangte, nga frika se mos tërhiqte pas vetes autoritetet. Ndërkohë, FBI po përparonte me metodat e reja hetimore dhe ishte gjithmonë një hap pas tij.

Dillinger tentoi të zhdukte gjurmët e gishtave me acid, por kjo nuk e shpëtoi. Në mars 1934 u arrestua në një hotel në Tuson, Arizona, por vetëm pak ditë më pas arratiset përsëri – këtë herë nga burgu i Kraun Pointit (Crown Point), në Indiana. Ai madje vjedh makinën e drejtorit të burgut dhe kalon kufirin shtetëror, duke kryer një krim federal – që i jep FBI-së të drejtën të ndërhyjë me fuqi të plotë.

Fund i përgjakshëm

Më 22 korrik 1934, Xhon Dillinger u tradhtua nga Ana Cumpanas – e njohur më vonë si “Gruaja me të Kuqe”, për shkak të fustanit që kishte veshur për ta identifikuar tek agjentët federalë. Ajo i dha informacion FBI-së në përpjekje për të shmangur dëbimin e saj në Rumani, por megjithatë u dëbua.

Dillinger ndodhej në Çikago, ku kishte ndjekur filmin “Melodrama e Manhattanit” (Manhattan Melodrama) në kinemanë Biograph Theater. Pasi doli nga salla, u qëllua pas shpine nga agjentët federalë – pesë plumba e lanë të vdekur në vend. Ishte vetëm 31 vjeç.

Ndikimi kulturor

Xhon Dillinger mbetet një figurë kontradiktore: kriminel i rrezikshëm për një pjesë, por hero i pashpallur për një tjetër, që sfidonte një sistem ekonomik të pabarabartë. Në SHBA, ekziston një muze kushtuar jetës dhe aktivitetit të tij kriminal.

Ai është portretizuar në shumë filma, ndër më të njohurit janë:

“Dillinger” (1945) – me regji nga Maks Nosek

“Dillinger: Armiku Publik Nr. 1” (1991), me aktorin Mark Harmon

“Armiqtë Publikë” (2009), me Xhoni Dep, regji e Majkëll Man

Epilogu

Nëse jeta e Xhon Dillingerit ishte një shfaqje e dhunshme në skenën amerikane, vdekja e tij mbetet një epilog i errët që përmbyll mitin e gangsterit më legjendar të viteve ’30.

Të fundit

Rusia nis eksportin e avionëve luftarakë Su-34M

Një avion Su-34M i konfiguruar për eksport, i lyer me një ngjyrë kamuflazhi të dallueshme, u vu re në...

Po gjuante për kafshë të egra, 53-vjeçari vret nga pakujdesia një shtetas

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në fshatin Bogdan të Beratit. Një 53-vjeçar dyshohet se ka qëlluar me armë gjahu me qëllim për të vrarë...

Reagon Ter Stegen, jep sqarimin pas akuzave mediatike

Pas kaosit të krijuar, heqjes së shiritit tē kapitenit, moslargimit dhe operimit, reagon portieri i Barcelonës, Ter Stegen. Deklarata e Marc-André Ter Stegen: “Këto muajt e...

Zjarr masiv në Kaliforni, evakuuohen mijëra njerëz

Një zjarr i madh që po përhapet me shpejtësi në veriperëndim të Los Anxhelosit ka shkaktuar evakuime të detyrueshme për mijëra banorë, pasi nxehtësia...

INSTAT: Një në dy shqiptarë ka një makinë

Një në dy shqiptarë ka një automjet. Të dhënat e INSTAT tregojnë se aktualisht në rrugët e Shqipërisë qarkullojnë mbi 1 milion mjete. Ndër to,...

Lajme të tjera

Web TV