Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, në bashkëpunim me Policinë e Krimit Ekonomik, ka zhvilluar kontrolle në një pikë grumbullimi në Divjakë pas sinjalizimit për një ngarkesë me spec djegës të refuzuar në Kroaci, me destinacion Slloveninë.
Ngarkesa prej 8,216 kilogramësh, e mbledhur nga zonat e Mollasit dhe Cërrikut në Elbasan, u nënshtrua analizave laboratorike, ku u zbuluan tre lloje pesticide mbi normat e lejuara: Flonicamid, Chlorfenapyr dhe Tebufenpyrad.
Si rezultat, produkti u bllokua dhe u dërgua për asgjësim të sigurt, për të parandaluar rrezikimin e shëndetit publik. Autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rastit dhe theksojnë se kontrollet do të vijojnë për të garantuar sigurinë ushqimore.