Gjykata e Posaçme e Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar riktheu për gjykim në shkallën e parë çështjen ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, dhe ish-kreut të Policisë së Vlorës, Jaeld Çela. Shpërthen ish-ministri: Jam përballur si qytetar, jo si vemjet e tjera
Dhënia e vendimit të formës së prerë për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, duket sikur do të zgjasë pafundësisht. Gjykata e Posaçme e Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rikthyer për gjykim një nga dosjet më të bujshme në këto vitet e fundit. Saimir Tahiri, i akuzuar për trafik droge në kuadër të grupit të strukturuar criminal, do të rigjykohet edhe një herë nga Gjykata Speciale në Shkallë të Parë.
Në një seancë që zgjati më pak se 20 minuta, Gjykata e Posaçme arsyetoi që në Shkallën e Parë, e cila e dënoi Tahirin vetëm për shpërdorim detyre, ishin bërë gabime procedurale, për këtë arsye, çështja në ngarkim të tij do të rigjykohet nga një trupë tjetër. Një nga këto problematika ishte rikualifikimi i veprës penale, duke dënuar Tahirin për shpërdorim detyre, akuzë e cila nuk iu komunikua më herët, por u njoh ditën që u shpall vendimi.
“Gjykata ka zbatuar gabim nenin 375 të kodit të procedurës penale, se në këtë rast gjykata nuk ka rivlerësuar të njëjtin fakt që i atribuohet nga prokuroria të pandehurit, por de facto ka ngritur një akuzë të re, për të cilën Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela as nuk janë hetuar dhe, për më tepër, nuk u është atribuar kultivimi i narkotikëve apo dhe përhapja e kultivimit në Shqipëri.
E lidhur kjo me episode konkrete të sekuestrimit dhe asgjësimit të narkotikëve në datat 13.09.2016, 04.10.2016 dhe 18.10.2017. Në lidhje me këto episode dhe kultivimin e narkotikëve, prokurorët janë shprehur se nuk kanë ngritur akuzë ndaj të pandehurve Saimir Tahiri dhe Çela, por janë referuar duke mbështetur ekzistencën dhe qëndrueshmërinë e grupit të strukturuar kriminal, pjesë e të cilit akuzohet se janë edhe dy të pandehurit.” – thuhet në një pjesë të arsyetimit të vendimit.
Më tej shkalla e dytë e gjyqësorit konstaton se Gjykata e Krimeve të Rënda, ndonëse e vlerësoi si kontradiktor këtë qëndrim të prokurorisë, në vijim, duke iu referuar episodeve që lidhen me sekuestrimin dhe asgjësimin e bimëve narkotike në 2016-17, rikualifikon faktin penal të atribuar të pandehurve në lidhje me trafikimin e narkotikëve në 4 episode konkrete, duke e cilësuar si shpërdorim detyre.
Gjithashtu, Apeli i GJKKO ka rrëzuar pretendimet e Tahirit se ai është shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Katanias. Kujtojmë se më 19 shtator të vitit 2019, ish-gjykata e Krimeve të Rënda e Shkallës së Parë i dha pafajësi Tahirit për akuzat e trafikimit të narkotikëve dhe grupit të strukturuar kriminal dhe e dënoi atë për veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Gjykata i dha Tahirit 5 vjet burg, i cili u reduktua në 3,4 vjet, për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Gjithashtu, gjykata vendosi që ky vendim të konvertohej në shërbim prove. Ndërkohë, përballë Gjykatës së Posaçme të Apelit, si Tahiri ashtu edhe përfaqësuesit e Prokurorisë u qëndruan argumenteve të dhëna në shkallën e parë. Prokurorët Vladimir Mara dhe Dritan Prençi kërkuan dënimin e Tahirit me 12 vjet burg, duke u qëndruar akuzave për trafikim droge në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, ndërkohë që ish-ministri Tahiri dhe Çela kërkuan pafajësi.
Tahiri: Jam përballur si qytetar, jo si vemjet e tjera
Ish-ministri Tahiri vendimin e djeshëm e ka quajtur si të padrejtë. Për të ky është një rikthim në pikën zero. Tahiri doli nga dyert e gjykatës rreth gjysmë ore pas dhënies së vendimit. Pas vendimit për mediat ai ka thënë se është përballur si qytetar dhe jo si vemjet e tjera, që janë fshehur pas pushtetit.
“Unë në këmbë do të jem prapë, sido që të jetë, i lirë apo jo. Ia ka vlejtur të përballem si qytetar, jo si vemjet që janë përballur si pushtetarë, këmbët e mia më mbajnë, edhe pa pushtet. Nuk kam bërë asnjë lloj kompromisi me askënd. Ju garantoj nuk kam bërë asnjë faj, kam kusuret e mia, pa asnjë diskutim në politikë, por kurrë nuk kam bërë faj”, tha Tahiri.
Ai shtoi se çdo javë i dërgonte presidentit të emra të gjyqtarëve që shkelnin ligjin, kur drejtonte Ministrinë e Brendshme.
“Në veting janë gjyqtarët që më gjykojnë, më intereson drejtësia, kam luftuar, edhe pse kam bërë gabime”, deklaroi ish-ministri. Më herët tha se mendonte se pas tre vitesh historia do të merrte një drejtim, cilido qoftë.
“Rikthimi në pikën zero, është padrejtësi. Nëse ka një njeri tjetër të tillë që zvarritet kështu gjykatave, më vjen ndot dhe turp për detyrën si ministër dhe deputet që kam mbajtur. Është e pakuptimtë për mua që të vazhdojë më. Beteja fillon nga e para, Gjykata e Lartë nuk funksionon. Më duket e qartë si drita e diellit se zvarritja është padrejtësi. Drejtësia e vonuar është padrejtësi”,-e mbylli deklaratën e tij ish-ministri i Brendshëm.ka.ta/Fjala.al/