Pas më shumë se 30 vitesh, duket se Pallati i Kongreseve ka hyrë në një fazë amortizimi. Por ndoshta për dëmtimin e strukturës kanë ndikuar edhe tërmetet e fundit. Plateja e Pallatit të Kongreseve, aty ku spektatorët do të ndjekin Festivalin e 58 të Këngës, rrezikohet nga rënia e ndonjë masivi allçie që mund të bjerë nga lart. Alarmin e ka dhënë skenografi i njohur Bashkim Zahaj
“Nuk do flas për skenografinë e festivalit të RTSH, se ajo duket, do kemi rast… por për format e mëdha të allçiut që rrezikojnë jetë njerëzish. Këtë shqetësim e kam ngritur edhe herë tjetër për entin përkatës pasi pllakat në tavan janë mjaft të amortizuara në lidhjet e tyre, mjafton një tronditje që të bien në sallë (kjo ka ndodhur disa vite para, gjatë provave) por askush nuk u interesua. Uroj të mos ndodhi në publik, nesër do jetë vonë”, shkruan Zahaj në faqen e tij në Facebook, duke postuar njëkohësisht edhe një foto ky shihet qartë dëmtimi që rrezikon.
Pallati i Kongreseve u ndërtua për organizimin e kongreseve të Partisë së Punës, por edhe të festivaleve apo eventeve të tjera të kohës. Punimet për ndërtimin e tij filluan në vitin 1982 dhe përfunduan katër vite më pas, në vitin 1986. Për ndërtimin e tij punuan ndërmarrjet më të mira në vend. Por modernizmi i godinës nga jashtë vazhdonte edhe brenda saj. Ambientet brenda saj u bënë një mënyrë që pallati të ishte edhe shumëfunksional dhe çdo gjë e vendosur atje të përshtatej me aktivitetet që do te zhvilloheshin, një funksion që Pallati i Kongreseve vazhdon ta ruajë edhe sot pas 33 vitesh.
Pallati ka një shtrirje rreth 70 metra paralel me shëtitoren dhe lartësi 18 deri në 23 metra. Qëllimi ka qenë harmonizimi i mirë me objektet ekzistuese përreth si me Muzeun Arkeologjik, stadiumin “Qemal Stafa”, Kryeministrinë e Radio-Televizionin Shqiptar.
Mjedisi kryesor është salla e madhe prej 2100 vendesh e kompozuar për të plotësuar kërkesat funksionale, artistike dhe akustike për zhvillimin e kongreseve, konferencave e koncerteve.