“Shkova të grabisja se më duheshin para për të nxjerrë tim vëlla nga burgu”. Kjo është deklarata e bujshme e autorit të një vrasje që u bë 15 vite më parë ndërsa në bashkëpunim me një mikun e tij kishte shkuar të grabiste shtëpinë e një shoku, bashkëmoshatari dhe të një bashkëqytetari.
Autori dhe viktimat e atij sulmi me armë vinin që të dy nga i njëjti rreth, Dibra! Historia e asaj vrasjeje të bujshme për kohën kaloi në një sërë betejash gjyqësore, ndërkohë që njëri nga autorët u arrestua pak çaste pas krimit të rëndë, ndërsa tjetri mundi të largohej.
Ndonëse me urdhër arrest ndërkombëtar ai mundi të hynte edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës derisa u ra në gjurmët e tij. I akuzuar, hetuar dhe gjykuar për një krim të trefishtë, me një të vdekur dhe dy të plagosur, shqiptari Arlind Hyseni, është deportuar nga Amerika!
Është sjellë në Shqipëri vend ku sipas të dhënave pritet të kryejë edhe dënimin për krimin e rëndë, një prej ngjarjeve të tronditëse të vitit 2004, edhe pse koha ishte e mbushur me krime monstruoze, vrasje e Genci Sades, plagosja e dy prindërve të tij dhe mënyra se si u vijua ngjarja bëri që ky krim të ishte një prej më të njohurve për kohën.
Deportimi i Arlind Hysenit
Policia e shtetit ditën e sotme bëri me dije se në sajë të një operacion i përbashkët mes Interpol Tirana dhe DSS-OCI u bë i mundur depërtimi nga SHBA të një shqiptari të arratisur. Arlind Hyseni, alias Shpend Mazari, 34 vjeç, lindur në Pukë ishte në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, me vendim numër 641, datë 02.06.2005 e ka dënuar me 25 vite burgim, për veprat penale “Vjedhja, me pasojë vdekjen” e kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.
Policia nëpërmjet një reagimi ka përmbledhur edhe detajet nga akti i rëndë i para 14 viteve duke treguar se për çfarë ishte i akuzuar i riu pukjan. Më datë 12.07.2004, rreth orës 03:00, në vendin e quajtur rruga “Besa”, Tiranë, shtetasi Arlind Hyseni, në bashkëpunim me shtetasin F. M. ka tentuar të kryejë vjedhje me armë në banesën e shtetasit M. S. Pas rezistencës së bërë nga banorët, autorët kanë shtënë me armë zjarri, duke vrarë shtetasin G. S. dhe plagosur rëndë shtetasit M. S. dhe H. S.
Po kush janë personazhet e kësaj historie?
Pas arrestimit në SHBA të Arlind Hysenit nisi të hidhej dritë edhe mbi ngjarjet për të cilat akuzohej i riu. Ndalimi i tij është kryer në vitin 2013, ndërkohë që çështja gjyqësore ndaj tij kishte mbërritur në Gjykatën e Lartë. Pas arrestimit në Amerikë, me akuzën e vrasjes, autoritetet amerikane thanë se kishin zbuluar implikimin e Arlind Hysenit në grabitjen e dy bankave atje.
Por ngjarja për të cilën ai është akuzuar në vendin tonë ka ndodhur më datë 12 korrik 2004, në orën e parë të kësaj dite. Prokuroria në përmbledhjen hetimore e ka fiksuar kështu atë ngjarje:
“Arlind Hyseni me të njohurin e tij Florian Muça, pasi kanë diskutuar me njëri-tjetrin, kanë shkuar te shtëpia e Myrteza Sades dhe, pasi kanë vënë në kokë kapuçat, kanë kapërcyer murin rrethues dhe janë futur në oborrin e banesës private, konkretisht në rrugën “Besa” në Tiranë. Florian Muça mbante në dorë një thes, ku kishte futur automatikun e tij, një copë litar, një thikë dhe një ngjitëse, të cilat ia kishte dhënë më parë Arlind Hyseni, ndërsa ky i fundit ishte i armatosur me një pistoletë.
Pasi kanë lënë thesin në oborr, ata i janë drejtuar hyrjes së banesës dhe Arlind Hyseni, pasi ka hapur derën, ka hyrë në dhomën e gjumit, ndërsa Florian Muça me automatik në dorë ka qëndruar në korridor, ku po flinte viktima Genci Sade.
Kur Arlind Hyseni ka hyrë në dhomën ku flinin të dëmtuarit Myrteza dhe Hatixhe Sade, personi tjetër pjesëmarrës në krim ka dëgjuar të bërtiturat e një gruaje, prej të cilave është zgjuar viktima Genci Sade, i cili ka kapur automatikun që mbante në dorë grabitësi.
Në kohën që Arlind Hyseni ka dalë nga dhoma e gjumit të çiftit Sade, duke u përleshur me to, bashkëpunëtori në grabitje ka mbushur automatikun dhe ka qëlluar, sepse viktima Genci Sade nuk po ia lëshonte armën.
Më pas, Floriani ka dëgjuar të shtëna arme pranë vendit ku ishte parkuar makina e pronarëve dhe më pas ka parë viktimën, Genci Sade, që është rrëzuar përtokë. Pasi kanë kapërcyer murin rrethues të banesës, dy personat kanë dalë në rrugë dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të bregut të lumit, ku kanë hedhur armët dhe kanë djegur rrobat, në mënyrë që të fshihnin gjurmët e krimit.
Gjatë rrugës, Arlind Hyseni i ka treguar bashkëpunëtorit tjetër se personat me të cilët ishte përleshur, i kishin hequr maskën, prandaj ai kishte qëlluar dhe në oborrin e shtëpisë i kishte mbetur njëra atlete, ndërsa Floriani i ka treguar të akuzuarit tjetër se thesin që kishte me materiale e kishte lënë në oborrin e banesës.
Të nesërmen, i gjykuari Florian ka shkuar në Elbasan te shtëpia e xhaxhait të tij, ku edhe është arrestuar, ndërsa Arlind Hyseni që nga ajo ditë i është fshehur drejtësisë.
Hetimet
Policia ka marrë njoftim në lidhje me ngjarjen e ndodhur në korrik 2004 dhe, pas kryerjes së veprimeve të para hetimore, ka rezultuar se nga kjo ngjarje e rëndë ka mbetur i vdekur viktima Genci Sade, është plagosur rëndë i dëmtuari Myrteza Sade dhe është e plagosur lehtë e dëmtuara Hatixhe Sade.
Në përfundim të hetimeve, prokuroria ka dërguar në gjyq Florian Muçën dhe Arlind Hysenin, duke i akuzuar ata për veprat penale të vjedhjes me pasojë vdekjen të kryer në bashkëpunim, vjedhjes me dhunë të kryer në bashkëpunim dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake.
Për këto akuza, ata u dënuan respektivisht: Arlind Hyseni u dënua me burg përjetë, por nga gjykimi i shkurtuar dënimi zbriti në 25 vjet, kurse Florian Muça u dënua me 25 vjet heqje lirie.
Vendimi i Gjykatës së Lartë
Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë u bashkuan në vitin 2011 për të shqyrtuar çështjen e vrasjes së Genci Sades. Me një trupë gjyqtarësh që kryesohej nga Shpresa Beçaj çështja pati përplasje të forta edhe në kolegj, ndërkohë që kaloi në disa gjykime në të tria shkallët e gjyqësorit!
Sipas vendimit të shpallur të këtij vendimi të Kolegjit Penal është fiksuar fakti që Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin e datës 01.02.2006, ka vendosur: -Prishjen e vendimit datë 02.06.2005 të Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë, dhe dërgimin e çështjes për rigjykim po asaj gjykate, por me tjetër trup gjykues.
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, me vendimin datë 03.10.2007, ka vendosur: Prishjen e vendimit të datës 01.02.2006 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe kthimin e akteve për rishqyrtim në po atë gjykatë, por me tjetër trup gjykues.
Gjykata e Apelit Tiranë, pas rigjykimit të çështjes, me vendimin datë 16.05.2008, ka vendosur: Lënien në fuqi të vendimit datë 02.06.2005 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Kolegjet e Bashkuara patën përplasje në lidhje me objektin e veprave penale për të cilat ishin hetuar dhe gjykuar dy të rinjtë, ndërsa si Muça vijoi të vuante dënimin në Shqipëri, ndërsa i deportuari Hyseni tashmë do të përballet me drejtësinë për të mësuar se cila do të jetë masa e dënimit për aktin e vrasjes së Genci Sades./Fjala.al/