Ministria e Financave ka hapur tenderin për Promovimin dhe Tërheqjen e Investimeve Strategjike me fond 56.6 milion lekë . Referuar dokumenteve të tenderit, Qeveria e Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve, kërkon propozime nga firmat e konsulencës me përvojë ndërkombëtare, të cilat ndërthurin ekspertizën ligjore dhe financiare në ofrimin e konsulencës mbi promovimin dhe tërheqjen e investimeve të huaja.
Referuar të dhënave zyrtare të QKB, rezulton se për vitin 2018 janë regjistruar rreth 11 mijë e 187 kompani të cilat janë aktive dhe operojnë në sektorë të ndryshëm të ekonomisë shqiptare. Krahasuar me vitin paraardhës ka pasur një rritje prej 36%.
Potencialet sipas sektorëve strategjikë
Pavarësisht trendit pozitiv, të dhënat orientojnë se Shqipëria ofron kapacitete më të mëdha, për të cilat nevojitet metodologji studimi dhe shfrytëzimi e mirë menduar dhe strategjike.
Transporti dhe logjistika
Pozicioni gjeografik, zhvillimet historike, dhe mundësitë aktuale orientojnë drejt prioritizimit të investimeve publike në veçanti, por jo ekskluzivisht në rrugë dhe të transportit detar, ku pjesa më e madhe e mallrave të importuara dhe eksportuara janë shërbim. Ndërlidhja, në përputhje me Procesin e Berlinit, është një prioritet kyç për Shqipërinë. Hub-et logjistike mundësojnë mekanizma të vlefshme për biznesin: Logjistika e shpërndarjes – funksionet e ndërmjetme – funksionet plotësuese.
Turizëm – Marina
Turizmi në Shqipëri është karakterizuar nga dinamika të forta gjatë dekadës së fundit.
Shqipëria i përket vendeve mesdhetare të baseneve të cilat janë zhvilluar mjaft herët, kështu ekzistojnë mundësi të mëdha (edhe gjeografike) për të zhvilluar këtë sektor. Sipas Strategjisë Europiane për Rritje dhe Punësim në Transportin Maritim dhe Turizëm, këto segmente të turizmit janë aktivitetet më të mëdha detare në Evropë dhe do të punësojë pothuajse 3,2 milion njerëz, duke gjeneruar një total prej 183 miliardë euro në vlerë bruto, duke përfaqësuar mbi një të tretën e ekonomisë detare.
Agrikulturë
Prodhimi i agrobiznesit dhe produktiviteti mund te rriten dukshëm me anë të investimeve strategjike, duke pasur parasysh: disponueshmërinë e tokës bujqësore dhe potencialin e rritjes së eksporteve bujqësore nga Shqipëria drejt BE-së dhe më gjerë. Produktiviteti vlerësohet ndjeshëm tek: agro-përpunim, peshkim dhe akuakulturë, shpërndarje e marketing i teknologjive, integrimin vertikal i prodhimit dhe përpunimit. Qasja në tregjet e jashtme vlerësohet se do të përmirësohet së bashku me miratimin e standardeve të higjenës dhe sigurisë ushqimore të BE-së, dhe me investime në shpërndarje dhe marketing.
Objektivat:
Në mënyrë që të arrihen investime konkrete në këta sektorë strategjikë, nevojitet konsulencë e specializuar për të promovuar në tregje ndërkombëtare minimalisht tridhjetë (30) mundësi investimesh në projekte me rëndësi kombëtare, të identifikuar nga secila ministri përgjegjëse për sektorët strategjikë të lartpërmendur, si dhe për të tërhequr investitorë të huaj të suksesshëm për të investuar në këto projekte.
Qëllimet e kontratës janë të tërhiqen investitorë potencialë ndërkombëtarë për të investuar në këto projekte, rritja e numrit dhe vëllimit të investimeve të huaja duke përdorur burimet e disponueshme në sektorët strategjikë të zhvillimit të shtetit: turizmi, energjia dhe minierat, transporti dhe infrastruktura, agrikultura, zonat e zhvillimit teknologjik dhe ekonomik (TEDA) si dhe zonat me përparësi zhvillimi si dhe të asistohet AIDA në promovimin e mundësive të investimit në projekte madhore kombëtare.
Detyrat e kompanisë do të jenë përgatitja e Fishave të 30 Projekteve, Promovimi në tregjet ndërkombëtare i projekteve të identifikuara, identifikimi i listës me 100 investitorë/ fonde investimi që kanë ekspertizën dhe potencialin për të investuar në projektet e identifikuara dhe të kontaktohet me ta si dhe të organizohen takime prezantuese minimalisht 28 (7 çdo dy muaj) mes këtyre investitorëve potencialë dhe stafit të AIDA në Tiranë. Po ashtu,kompania duhet të ofrojë asistencë në negocimin e marrëveshjeve të investimit.