Investimet e huaja po rriten/Nga blerjet e pronave, frenohen në energji, bien në industri

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Investimet në tregun e pasurive të paluajtshme kryesuan investimet e huaja në ekonominë shqiptare për të dytin vit radhazi.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, vitin e kaluar, investimet e të huajve në pasuri të paluajtshme në Shqipëri arritën vlerën e 325 milionë eurove, në rritje me 12% më shumë krahasuar me vitin 2022. Pasuritë e paluajtshme sollën pothuajse 22% të vlerës totale të Investimeve të Huaja Direkte për vitin e kaluar. Tremujori i fundit i vitit solli edhe vlerën më të lartë të investimeve të huaja në këtë sektor, me 71 milionë euro, 8% më shumë krahasuar me tremujorin e fundit të vitit 2022. Cikli i rritjes së shpejtë të çmimeve të pasurive të paluajtshme në Shqipëri në vitet pas pandemisë po mbështetet në masë të konsiderueshme prej kërkesës që vjen nga investitorët e jashtëm.

Investimet e huaja në prona janë tipike sidomos për zonat bregdetare, ku, pavarësisht rritjes së çmimeve, ato ngelen mjaft konkurruese krahasuar edhe me vendet e tjera bregdetare të rajonit. Rritja e fortë e çmimeve të pronave në vitet e fundit i ka bërë pasuritë e paluajtshme edhe një alternativë më tërheqëse dhe ka rritur numrin e blerësve që kanë blerë prona për qëllime investimi. Banka e Shqipërisë vlerëson se në fund të vitit 2023 stoku i investimeve të huaja në tregun e pasurive të paluajtshme në Shqipëri arriti në 1.56 miliardë euro, në rritje me 40% krahasuar me një vit më parë.

Në dekadën e fundit, stoku i investimeve të huaja në pasuri të paluajtshme pothuajse është rritur me më shumë se 20 herë. Bazuar në metodologjitë e përdorur për matjen e investimeve të huaja, flukset e tyre vlerësohen me kursin e këmbimit mesatar të periudhës, ndërkohë që stoku vlerësohet me kursin e ditës së fundit të periudhës. Sipas Bankës së Shqipërisë, rritja në stokun e investimeve nuk ka ardhur vetëm nga flukset e reja, por në të duhen llogaritur edhe ndryshimet nga kursi i këmbimit, ndryshimet nga çmimi dhe ndryshimet e tjera. Kjo nënkupton se stoku i investimeve të huaja rivlerësohet në mënyrë periodike, duke reflektuar edhe ndryshimin e çmimit të aseteve.

Sektori i dytë për nga pesha specifike kundrejt totalit të Investimeve të Huaja Direkte vitin e kaluar ishte industria nxjerrëse. Ky sektor solli investime në vlerën e 270 milionë eurove ose 18% të totalit. Investimet në këtë sektor u rritën me më pak se 1% krahasuar me një vit më parë. Stabilizimi i çmimeve të naftës bruto në tregjet ndërkombëtare e ka frenuar rritjen e investimeve në nxjerrjen e naftës, pas rritjes së ndjeshme që ato shënuan në vitin 2022.

Lexo edhe :  Banka e Shqipërisë uli normën bazë të interesit, eksperti: Lajm i mirë për ata që...

Rritje të lartë vitin e kaluar shënuan investimet në sektorin e shërbimeve financiare, që prekën vlerën e 239 milionë eurove, në rritje me 51% krahasuar me një vit më parë. Investimet në këtë sektor përbënin 16% të fluksit total të investimeve të huaja direkte për 2023. Sektori bankar sjell në vazhdimësi flukse të konsiderueshme investimesh, të mbështetura nga fitimet e larta vjetore dhe nga rritja e kërkesave rregullatore për kapital në vitet e fundit. Investimet në sektorin energjetik për vitin e kaluar pësuan rënie në vlerën e 159 milionë eurove, 9% më pak krahasuare me vitin 2022. Rënia e vitit të kaluar mund të jetë ndikuar nga cikli i projekteve madhore, parku fotovoltaik i Karavastasë, ku vlera më e madhe e investimit u përqendrua në vitin 2022. Megjithatë, energjetika dhe në veçanti ajo diellore vazhdon të tërheqë vëmendje të lartë të investitorëve të huaj, por edhe atyre vendas. Stoku i investimeve të huaja në energjetikë ka kaluar tashmë vlerën e 3.3 miliardë eurove.

Një tjetër sektor ku vitin e kaluar pati rënie të investimeve të huaja direkte është industria përpunuese. Investimet e huaja në këtë sektor zbritën në 124 milionë euro, 15% më pak krahasuar me një vit më parë. Investimet e huaja në industrinë përpunuese kanë qenë kryesisht të përqendruara në sektorët e fasonerisë, përfshirë degën e industrisë automotive. Megjithatë, duket se rritja e pagave dhe forcimi i Lekut po e bën më pak tërheqës këtë sektor për investime të reja.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, investimet e huaja direkte vitin e kaluar arritën një shifër rekord prej 1.49 miliardë eurosh, niveli më i lartë historik. Vlera e investimeve të huaja u rrit me 9% krahasuar me një vit më parë./ Revista “Monitor”

Të fundit

Pse të gjithë në PD janë në garë për ‘bustin’ e Berishës?

Nga Namir Lapardhaja Pas zgjedhjeve të 11 majit, në vend që Partia Demokratike të prodhonte një debat të brendshëm për...

Guvernatori Sejko takim me Ambasadorin e ri të Spanjës: Ekonomia, në trend pozitiv!

Guvernatori Gent Sejko, priti në një takim zyrtar në Bankën e Shqipërisë, Ambasadorin e ri të Mbretërisë së Spanjës në Shqipëri, Gabriel Cremades Ventura. Gjatë...

Urbani merr flakë me pasagjerë brenda, momente paniku në kryeqytet (VIDEO)

Policia e Tiranës ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me ngjarjen e ndodhur paraditen e kësaj të hëne, ku një autobus i linjës...

Tym në pjesën e pasme të kabinës, aeroplani zviceran bën ulje emergjente në Gjermani

Kompania ajrore Swiss International Airlines dhe Deutsche Lufthansa deklaruan sot se një aeroplan që fluturonte nga Beogradi për në Zyrih bëri një ulje emergjente...

Ylli i Liverpool refuzon Barcelonën: Dua të luaj te Bayern

Më në fund një lajm i mirë për Bayern! Ylli i Liverpool, Luis Diaz, ka refuzuar ofertat e Barcelonës dhe ka vendosur të transferohet në...

Lajme të tjera

Web TV