Historia tragjike e policit 27-vjeçar Mariglen Mestani që u nda nga jeta pas sëmundjes së rëndë, i prekur nga meningokoksemia. Gjashtë vitet si polic i qarkullimit rrugor dhe ëndrra e prerë në mes. Kujtimet nga kolegët dhe ikja e djalit të vetëm të familjes me shumë probleme.
Nga Sebi Alla
Biri i familjes, djali i vetëm, kolegu energjik dhe gjithnjë i buzëqeshuri Mariglen Mestani, nuk është më. Prindërve edhe lotët kanë nisur t’u thahen, motra jeton me kujtimet e fundit, ndërsa kolegët dhe të njohurit nuk kanë forcë për ta besuar se 27-vjeçari nuk do të jetë më mes tyre. “Shef, nuk jam mirë, nuk po lëviz dot nga makina, më dhembin këmbët, trupi i gjithë”. Kjo ishte fjala e fundit me një buzëqeshje të përhershme, para se të dilte për të mos u kthyer kurrë më në oborrin e Policisë së Qarkullimit Rrugor në Tiranë. Shkoi të qetësohej, me idenë se “gripin” do ta kalonte, në banesën e tezes së tij, ku jetonte prej vitesh, por shpejt vjen lajmi i trishtë: “Marigleni është shumë rëndë, në rrezik për jetën, ra në koma”. Efektivi i Rrugores ishte prekur nga meningjiti ose meningokoksemia, një infeksion i rëndë, që ka një evolucion tepër të shpejtë dhe rezultoi fatal për jetën e tij. Kush ishte Marigleni, ëndrrat dhe jeta e tij, që mbetën në kujtimet e miqve dhe të afërmëve. Problemin e mbyste me buzëqeshje, punën e ktheu në pasion, jetën e deshi, por vdekja ia preu në mes ëndrrën djaloshit që për gjashtë vite shërbeu në sektorin e Qarkullimit Rrugor. Lot edhe në Komisariatin e Policisë Rrugore, me kolege dhe kolegë që ndau profesionin, kohën, dashamirësinë, problemin, por edhe gëzimin, siç ai dinte ta gjente gjithnjë. Mort i hidhur i 7 janarit 2020…
Aty s’do jesh…
Për gjashtë vite, Marigleni punoi kryesisht në qarkullimin rrugor në zonën e bulevardit “Dëmshorët e Kombit”, në kryqëzimin pranë Rrugës së Elbasanit deri në afërsi të lagjes “Ali Demi”. Kur kortezhi me trupin e Mariglenit kaloi përgjatë bulevardit, qytetarë që e njihnin si fytyrë, por edhe të tjerë që kurrë nuk e panë, u përlotën. Vdekje ka shumë, çdo e tillë është dhimbje më vete për familjen dhe të afërmit, por ikja e Mariglenit, policit të ri, dhemb dyfish. Sot kujtohemi për atë efektivin që rri 12 orë pa shkëputje në mes të vapës përvëluese të verës, të shoqëruar me smogun e automjeteve, zhurmën e burive vend e pavend dhe shpesh edhe “sharjet” nëpër dhëmbë apo të drejtpërdrejta të shoferëve të cilët nervozohen me rregullin që kërkon njeriu me uniformën e shtetit. Po aty do ta gjenim Mariglenin edhe në mes të shiut e të ftohtit bashkë me kolegët e tij, pasi rregullin e kërkojmë, por llogaridhënien për shkeljet nuk i “durojmë”. Sot, bulevardi “Dëshmorët e Kombit” nuk e ka më “dëshmorin e heshtur”. Sëmundja, pa më të voglën besë, e ligështoi në pak kohë, pavarësisht sfidës që ia bëri gjithnjë me energji e buzëqeshje në kulmin e rinisë, në mesin e ëndrrave dhe në rritjen profesionale. Vdekja e mori, por historinë e tij, kujtimin e shumëçka la pas në atë jetë të shkurtër nuk e mbulon dot asnjë pirg dheu. E ndoshta as ky shkrim nuk do të ishte, nëse në rrjetin social, zëdhënësi i Policisë së Shtetit, Genti Mullai, nuk do të linte një postim që preku këdo për ikjen e papritur të një djaloshi me uniformë.
Me kokën pas
Në të përditshmen rutinë, qoftë edhe monotone apo të zymtë në vendin ku jetojmë, thjesht shohim një polic, si shumë të tjerë, por nën atë petk të uniformës së Policisë së Shtetit ka një njeri, një histori familjare, një problem ekonomik, një ëndërr që nuk e realizon. Dhe Marigleni ishte i tillë, që mbartte secilin problem nga pak dhe shumëkush prej kolegëve e mësoi kur ai nuk ishte më mes tyre. Familja e Mariglenit, prindërit dhe një motër më e vogël jetojnë në fshatin e thellë Shijon të Ersekës. Mes qindra problemeve ekonomike, larg zonës urbane, por të bindur që të sakrifikonin për të ardhmen e fëmijëve, prindërit u dhanë mundësinë që të shkolloheshin. Sapo përfundoi gjimnazin, Marigleni konkurroi në kursin njëvjeçar të Akademisë së Policisë. E fitoi atë studim dhe dita e parë e punës nën uniformë qe e veçantë për të. “E donte shumë atë punë, e kishte pasion, jo vetëm një mënyrë për të jetuar. Jam rritur me Mariglenin, kemi një moshë dhe në vitet e fundit të gjimnazit fliste për dëshirën e madhe që të bëhej polic”, – thotë për gazetën “Fjala” Brisildo Destani, kushëriri i tij. Tri ditë para se Marigleni të ndahej nga jeta, Brisildo ishte nisur drejt Gjermanisë, ku sapo e lajmëruan se Marigleni ishte rëndë. U nis me urgjencë për ta gjetur ende me frymë, por për pak orë, pasi ai u kthye në lajmëtarin e kobshëm: “Marigleni nuk jeton më!”
Me kujtimin e kolegëve
Tre burra takojmë para Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Janë efektivë policie me uniformë, larg hijes së rëndë, të çlirët në rrëfim dhe na e bëjnë të lehtë të kuptojmë më shumë kush ishte Marigleni. Prej 25 vitesh në polici (një çerekshekull) nën uniformë, Gazmend Sinani ishte një prej shokëve dhe miqve të tij. “Marigleni të bënte të mos e ndjeje diferencën në moshë, përshtatej, ishte aq energjik dhe i komunikueshëm, sa shpejt u bëmë shokë e miq familjeje”, – thotë Sinani, ndërsa shtanget për një moment dhe me heshtjen i bashkohen edhe dy shokët e Mariglenit. “Nuk arrijmë ta besojmë, na erdhi kaq papritur, ka momente që shohim në rrugë gati me iluzionin se ai do të shfaqet, si çdo ditë kur kryente shërbimin”, – shprehet Irdi Bilali, edhe ai një djalë i ri, bashkëmoshatar me Mariglenin, që i bashkoi jo vetëm uniforma, por edhe miqësia. Biseda bëhet disi e zymtë, janë ato raste të rralla ku nuk gjen fjalë për ta thyer heshtjen, që natyrshëm shkon në shpërthim lotësh. Por Marigleni meritonte të kujtohet për atë si jetoi, jo vetëm si u nda nga jeta.
“Festën e fundvitit e kaluam të gjithë bashkë në një lokal në periferi të Tiranës. Marigleni ishte më energjiku, qeshte pa fund, gëzonte”, – tregon një tjetër mik e koleg i mirë i tij, Edison Bajraktari. E ndoshta sot i japin shpjegim asaj nate në festën e ndërrimit të viteve; ishte një shenjë që po ndahej nga jeta pa e kuptuar dhe një lloj lamtumire që dhemb shumë, për aq kohë sa ngjarja ka prekur të gjithë kolegët, që nga eprorët deri te shokët e grupit. “Nuk ishte kurrë konfliktual në kontakt me qytetarët drejtues automjetesh, por mjaft i prerë në detyrë dhe bindës në çdo veprim”, – tregon Gazmendi. E këtu thyhet disi monotonia edhe nga kolegët e tjerë, duke nisur rrëfime: “E mban mend kur Marigleni…, po kur…”, – dhe biseda vijon me ngjarje, episode, momente të gëzueshme, aq sa sot e cilësojnë si ikjen e “harmonisë së grupit”. Po të njëjtat kujtime ndajnë edhe kolegë të tjerë, fort të prekur nga humbja e Mariglenit, si Shefki Topçiu apo homologë të 27-vjeçarit.
Karriera dhe një shtëpi që s’e bleu kurrë
Me ardhjen në Tiranë, Marigleni nisi punën pas përfundimit të studimeve në Akademinë e Policisë, por krahas rritjes profesionale qëllim kishte edhe blerjen e një shtëpie, krijimin e familjes së re të tij, por edhe ndihmën për prindërit dhe motrën që ende jetojnë në Ersekë. Shumë qëllime, pak mundësi, por shpresën e mbajti gjithnjë, edhe atëherë kur sëmundja e rëndoi. Vlerësimi profesional për Mariglenin kishte nisur menjëherë pas filloi punë. I përkushtuar, i paankueshëm edhe kur qëndronte me orë të zgjatura përtej kohës së shërbimit dhe i kudogjendur në çdo rast që kishte një ngjarje. “Ka vlerësime shumë pozitive në ecurinë e punës. Kjo vdekje na ka prekur të gjithëve. Nuk arrij ta besoj si ai fizik dhe njeri optimist të shuhej në pak kohë”, – thotë komandanti i Trafikut të Tiranës, Taulant Gjoka. Jo më kot, në dy vitet e fundit kishte kaluar si autopatrullë, i pajisur me mjete, drager dhe kontroll shërbimi lëvizës. Një vlerësim profesional ky për Mariglenin. E megjithatë, Gjoka ka një dhimbje edhe më të theksuar, kur kujton momentet e fundit, teksa i thotë: “Komandant nuk jam mirë, s’e di çfarë kam, por nuk po lëviz këmbët”. “I thashë: ‘Vazhdo, qetësohu dhe bëj ndonjë vizitë’”, – rrëfen Gjoka. Nuk kaloi gjatë dhe pas disa orësh e njoftojnë se Marigleni ishte rëndë. “Shkova menjëherë në spital bashkë me shefin e Qarkullimit, Erion Ahmetajn. Komunikuam me mjekë, të afërm dhe bëmë gjithçka mundej, por sëmundja e rëndoi në pak orë. Vdekja e tij na ka tronditur të gjithëve”, – shprehet për gazetën “Fjala” komandat Gjoka. Është vetëm një copëz e një historie njerëzore, e një djaloshi nën uniformën e Policisë së Shtetit, që nuk do të renditet ndër emrat e mbi 200 dëshmorëve të atdheut të rënë në krye të detyrës në përballjen me krimin, por edhe Marigleni ishte dhe është ai heroi i heshtur që u desh një sëmundje e rëndë për të shuar një ëndërr dhe një inspektor policie.