Me 98 vota pro është zgjedhur sot nga Parlamenti drejtuesi i Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë. Artur Metani do të mbajë detyrën e rëndësishme të kreut të ILD-së, që me reformën në drejtësi merr kompetenca të theksuara.
8 deputetë votuan kundër zgjedhjes së Metanit, i cili ishte pikëzuar i pari për këtë pozicion nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), me 89.6 pikë. Ndërsa kandidati i renditur i dyti nga KED, me 89 pikë, Sokol Stojani, mori votat e vetëm 16 deputetëve, ndërsa 68 të tjerë votuan kundër.
Artur Metani ka mbajtur postin e Avokatit të Shtetit, si dhe ka shërbyer si këshilltar për presidentët Alfred Moisiu dhe Bamir Topi. Pikërisht këto pozicione e kanë shtyrë Partinë Demokratike që në muajin gusht të vitit të kaluar ta cilësonte të paligjshëm kandidimin e Metanit. Sipas PD-së, Metani kishte mbajtur poste politike si këshilltar i presidentit deri në vitin 2012 dhe se kjo duhej ta kishte skualifikuar atë automatikisht.
Sa i përket Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë, ky organ ka për detyrë të kontrollojë punën dhe veprimtarinë e çdo gjyqtari dhe çdo prokurori në Republikën e Shqipërisë. Ai do bëjë verifikimet, kontrollet dhe do paraqesë masat për secilin gjyqtar dhe prokuror. Gjithashtu, në bazë të propozimeve të tij do të shkarkohen apo promovohen të gjithë anëtarët e gjykatave dhe të prokurorisë.