Në çfarë faze gjendet hetimi i 4 vrasjeve që u quajtën shtetërore?! Në ç`fazë të zbulimit gjendet vrasja e Aleks Nikës, vrasja që sot e asaj dite është pa autor? Dhe çfarë fsheh marrëveshja e mirëkuptimit mes familjarëve dhe qeverisë?
Nga Nikoleta Kovaçi
Kujtimet jo vetëm shërojnë po edhe hapin plagë! Kështu ndodh edhe me çdo 21 janar të pas 2011-s! Edhe sivjet, si çdo 21 janar, të këtyre 8 viteve, u krye i njëjti përkujtim procedural: Familjarët e viktimave u bashkuan në godinën e kryeministrisë, dolën në vendin e protestës së asokohshme, vendosen lulet e paera në vendvrasjet e njerëzve të tyre të afërt dhe më pas ikën në shtëpitë e tyre, ashtu si çdo 21 janar tjetër. Bashkë me familjarët që nuk e refuzojnë ftesën e organizatorëve të ceremonialit ishin edhe disa deputetë të Partisë Socialiste, bashkë edhe me kryebashkiakun e Tiranës, të cilët në mungesë të protagonistit të ‘21 janarit’, Edi Ramës, u përpoqën të mbushin boshllëkun kryeministror të mësuar me të viteve të fundit!
Po ndërsa çdo 21 janar kujtohen të bashkohen familjarë të viktimave dhe të majtët që gjenden në pushtet, pakkush kujtohet se në çfarë faze gjendet hetimi i 4 vrasjeve që u quajtën shtetërore?! Pakkush kujtohet të verifikojë se në ç`fazë të zbulimit gjendet vrasja e Aleks Nikës, vrasja që sot e asaj dite është pa autor?
Pak kush, në mos hiç, kujtohet se si dhe pse flitet gjithnjë e më pak për zbardhjen e një prej ngjarjeve më të rënda të ndodhura në vendin tonë, ku gjatë një proteste u vranë 4 protestues dhe u plagosen dhjetëra të tjerë? Çfarë ka ndodhur me procesin që shkoi deri në Strasburg dhe që prej afër 1 viti nuk ka më asnjë të dhënë për vijimin e hetimeve? A do rihapet procesi ashtu siç ka premtuar gjithnjë dhe gjithmonë qeveria aktuale?
Dështimet e prokurorisë
Por si nisi gjykimi i çështjes dhe si gjykata e mundi prokurorinë në lidhje me akuzat kyçe të ‘vrasjeve me dashje’? Historia gjyqësore pësoi transformim që nga shkalla e parë deri në të fundit, ku ish-kreu i Gardës, Ndrea Prendi u shpall fajtor për atë ngjarje, konkretisht për vrasjen nga pakujdesia të demonstruesit Faik Myrtaj. Ndërkohë që vartësi i tij, Agim Llupo, për vrasjen e Ziver Veizit. Të dy, epror dhe vartës bashkë, u dënuan në total me katër vite burg, por gjykimi për vrasjen e 4 qytetarëve njohu një sërë dështimesh.
Dështimi i parë nisi në Gjykatën e Tiranës. Ishte koha kur Prokurorisë i ra poshtë akuza e ‘vrasjes me dashje’ në rrethana cilësuese, akuzë që në fakt do të mbante gjallë gjithë procesin dhe do ta çonte drejt zbardhjes. Ndonëse Prokuroria në përfundim të hetimeve kërkoi gati 50 vite burg, të dy të akuzuarit dhe hetuarit u shpallën të pafajshëm për këtë akuzë.
Kreu i trupit gjykues doli në konkluzionin se Prokuroria nuk solli asnjë provë bindëse!
Edhe në shkallën e dytë, prokuroria pësoi të njëjtin dështim duke mos ia dalë mbanë që ta bindë Gjykatën e Apelit, shkallë e cila i shpalli fajtor të dy ish-zyrtarët e Gardës për “vrasje nga pakujdesia”! Ky vendim nuk u ndryshua as në shkallën më të lartë, e madje aty edhe u vulos përfundimisht ky fakt. Por për gjatë gjithë zhvillimit të procesit gjyqësor, organi i hetimit pretendoi se ka zbardhur edhe vrasjen e Hekuran Dedës, vrasje që ndonëse asnjëherë nuk u vërtetua u tha se i dyshuar ishte Agim Llupo. Në fakt, u tha se predha që i kishte marrë jetën Dedës nuk u gjet kurrë. Për pasojë autorësia shkoi te Llupo vetëm për shkak drejtimi, nga ku u pretendua se u plagos njëri nga të mbijetuarit e asaj ngjarjeje. Për pasojë gjykata e pati të lehtë ta rrëzonte hamendjen e prokurorisë për këtë vrasje duke mos gjetur armën nga kishte dalë predha që i mori jetën.
Ndërsa ndryshon historia në lidhje me hetimet për vrasjen e Aleks Nikës, ku organi i hetimit nuk ka ende asnjë emër, pavarësisht ekspertizave të shumta që u bënë mbi predhën që u gjet në kokën e tij, mbi drejtimin në të cilin u qëllua lezhjani e po ashtu edhe të një sërë dëshmish që u mblodhën në vendin e ngjarjes!
Po ku gjendet çështje 9 vite më vonë?
Duket se palët janë ndarë në lidhje me këtë çështje, ndërsa një marrëveshje pajtimi duket se ka prishur thuajse gjithë balancën e së drejtës për të vijuar kërkimin për çuarjen para drejtësisë të autorëve të vrasjeve të ndodhura 9 vite më parë. Ndërhyrja e Gjykatës Ndërkombëtare e të drejtave të Njeriut në Strasburg e ka futur këtë çështje në një tjetër rrjedhë, ndërkohë të gjitha palët e familjarëve kanë edhe pretendimet e tyre. Avokati mbrojtës tha kohë më parë se kjo gjykatë po shqyrton padinë e dytë, pasi padia e parë në fakt është bërë publike në vitin 2018. Padia e dytë ka në thelb hetimin që i është bëre çështjes si dhe përgjegjësinë e shtetit për të garantuar jetën e qytetarëve. Në vendimin përfundimtar, Gjykata e Strasburgut, e konsideronte çështjen si një marrëveshje mirëkuptimi mes palëve, shkak për të cilin nuk ka nevojë për një ekzaminim të mëtejshëm të padisë së të afërmve të 21 janarit: “Gjykata vlerëson se duke parë dakordësinë e paditësve me deklaratën e bërë nga qeveria, çështja duhet konsideruar si një marrëveshje me mirëkuptim mes palëve”, thekson vendimi përfundimtar i Strasburgut. Gjykata e Strasburgut nuk është shprehur ende për padinë e familjarëve të Aleks Nikës, vrasja e të cilit nuk ka autor, sikurse edhe e Hekuran Dedës. Por pavarësisht marrëveshjes së mirëkuptimit, familjarët e viktimave kur flasin me mediat thonë se nuk pranojnë të heqin dorë nga kërkimi i drejtësisë.
Somario
Në vendimin përfundimtar, Gjykata e Strasburgut, e konsideronte çështjen si një marrëveshje mirëkuptimi mes palëve, shkak për të cilin nuk ka nevojë për një ekzaminim të mëtejshëm të padisë së të afërmve të 21 janarit: “Gjykata vlerëson se duke parë dakordësinë e paditësve me deklaratën e bërë nga qeveria, çështja duhet konsideruar si një marrëveshje me mirëkuptim mes palëve”, thekson vendimi përfundimtar i Strasburgut. /Fjala.al