Nga Nikoleta Kovaçi/
Dhuna në familja kërkon ndërhyrje në ligjin ekzistues. Janë katër shtesa që i bashkëngjiten këtij ligji dhe që pretendohet se do i përfarojnë me legjislacionet në fuqi në vendet e BE-së. Ka qenë një studim i bërë një vit më parë nga OSBE që vuri alarmin për gjendjen e dhunës në familje. Për pasojë i vuri detyrë qeverisë shqiptare të ndërhynte për të ndryshuar ligjin me të cilin do të rregulloheshin një sërë probleme me të cilat ndeshet shoqëria shqiptare. Projektligji është hartuar dhe pritet të kalojë edhe në parlament ndërkohë që pretendohet se do t`i jepet fund probleme kryesisht me urdhrin e mbrojtjes. Shumë gra janë vrarë pikërisht pse nuk është zbatuar si duhet vendimi i urdhrit të mbrojtjes.
Referuar studimit të INSTAT-it, duke marrë në konsideratë rezultatet e vitit 2018-2019, kategoritë më të dhunuara janë ato të grup-moshave 18-55 vjeç me 53.7%, ku ndër të tjera theksohet faktori i mungesës së arsimimit. Në një qasje krahasuese do të evidentojmë se kushtet për kultivimin e dhunës janë kryesisht zonat rurale, duke qenë se ushtrimi i dhunës kryhet më lehtësisht, ndryshimet mentale janë më të vështira të ndodhin, niveli ekonomik është më i ulët si dhe maskilizmi nuk e lejon emancipimin e gruas. Gjithsesi, duhet theksuar se në zonat urbane ky fenomen është gjithashtu i pranishëm me shifra goxha të larta.
Ndërhyrja në ligj
Neni 1-Dispozita parashikon si masë të parë dhe kryesore e mbrojtjes ndaj dhunës në familje, largimin menjëherë të paditurin (dhunuesin/en) nga banesa për një afat kohor të caktuar me urdhër të gjykatës dhe moslejimin e tij të rihyjë në banesë pa autorizimin e gjykatës. Kjo dispozitë merr në konsideratë dy aspekte të rëndësishme: nga njëra anë të drejtën për strehim të dhunuesit dhe nga ana tjetër të drejtën për garantimin e jetës dhe shëndetit të viktimës si një prej të drejtave themelore të njeriut. Në fakt e drejta për strehim është e drejtë e njeriut, por si çdo e drejtë e ngjashme, nuk mund të jetë e pakufizuar. Neni 17 /1 i Kushtetutës parashikon se “kufizime të të drejtave dhe lirive të parashikuara në këtë Kushtetutë mund të vendosen vetëm me ligj, për një interes publik ose për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve. Në rastet e dhunës në familje, nisur nga situatat alarmante dhe shifrat në rritje, justifikohet marrja e kësaj mase si proporcionale me problematikat e hasura, dhe si e tillë duhet parashikuar në ligj. Për këtë çështje nevojitet një diskutim për angazhimin e Bashkive, që në tilla raste në programet e strehimit të krijohet mundësia e strehimit të përkohshëm të dhunuesve, pasi nuk mund të lihen pa strehim në rastet kur kanë potencial për ridhunim. Programe të përbashkëta për rehabilitimin dhe strehimin e dhunuesve duhen marrë në konsiderate nga ministria përgjegjëse për çështjet sociale dhe bashkitë.
Neni 2-Nëpërmjet kësaj dispozite sanksionohet detyrimi i dhunuesve për të ndjekur programe rehabilitimi, që në momentin e ndalimit (para se të procedohen), gjatë kryerjes së dënimit dhe pas vuajtjes së dënimit. Kjo masë parashikohet si një mundësi në ligj dhe vendoset nga gjykata, por për të rritur mbrojtjen dhe evituar përsëritjen e dhunës çmojmë se duhet parashikuar si e detyrueshme ne ligj. Dispozita parashikon që përgjegjësit e programit të rehabilitimit të raportojnë përpara koordinatorit vendor për referimin e rasteve të dhunës në marrëdhëniet familjare, pjesëmarrjen e të paditurit në program dhe ecurinë e tij, në mënyrë periodike si dhe në përfundim të programit, në të cilin të përfshihen rezultatet e rehabilitimit të dhunuesit.
Neni 3-i këtij projektligji parashikon që në urdhrin për masat paraprake të mbrojtjes së menjëhershme, që nxirret nga titullari i strukturës përgjegjëse të Policisë së Shtetit, në juridiksionin e së cilës është raportuar dhuna, të parashikohet si masë edhe urdhërimi për largimin e dhunuesit/es nga banesa derisa gjykata të nxjerrë urdhrin e menjëhershëm të mbrojtjes ose urdhrin e mbrojtjes. Kjo masë nuk cenon të drejtën e dhunuesit për një proces të rregullt ligjor, pasi është në çdo rast gjykata e cila brenda 48 orëve vlerëson masat paraprake të mbrojtjes së menjëhershme.
Neni 4- është edhe detyrimi i organit të policisë, ku viktima paraqitet për herë të parë si ankuese, për të referuar rastin për ndjekje penale në organin e prokurorisë. Kjo do të bëjë që prokuroritë të marrin në hetim çdo rast dhe nisur nga rëndësia e shkeljes së pretenduar të kërkojnë më shpesh masën e arrestit për dhunuesit me rrezikshmëri për përsëritje apo për kryerjen e veprave penale më të renda. Këto situata do ndikojnë në izolimin e dhunuesve dhe në të njëjtën kohë do shërbejnë si shembuj frenimi për të tjerë që janë të prirur drejt dhunës. /Fjala.al/