Bashkimi Evropian ndodhet në një krizë të rëndë identiteti, teksa Britania e Madhe po largohet nga Unioni, Franca është e përfshirë nga protestat e shumta, Gjermania po mban me sforco situatën e emigrantëve dhe ekonominë e vetë Evropës. Duke qenë në këtë gjendje, BE shumë pak e ka mendjen tek Shqipëria dhe procesi i anëtarësimit të saj.
Ish-ministrja franceze për çështjet evropiane, Nathalie Loiseau, kërkon që vendet e Ballkanit Perëndimor, ku bën pjesë edhe Shqipëria duhet të jenë të përgatitura mirë për të qenë pjesë e familjes evropiane.
“Ajo ç’ka i kërkojmë ne vendeve është përgjegjësia që duhet të kenë në vendosjen e ligjit, luftën kundër korrupsionit, luftë kundër krimit të organizuar,” thotë Loiseau për emisionin e Tim Sebastian ‘Conflct Zone’ në Deutsche Welle.
Por, kur vjen çështja tek Shqipëria situata nuk duket aspak optimiste. Ngritja e institucioneve të reja të drejtësisë dhe funksionimi i tyre po lë për të dëshiruar, ku anëtarë bandash janë liruar nga burgu dhe lufta kundër korrupsionit ka shënuar një përkeqësim të ndjeshëm.
Raporti i Transparency International e renditi Shqipërinë në vendin e 106, duke treguar rënie të vazhdueshme nga viti në vit sa i përket luftës ndaj këtij fenomeni.
Për këtë arsye, ish-ministrja franceze dhe aktualisht deputete në Parlamentin Evropian saktëson se Bashkimi Evropian nuk dëshiron të bëjë gabime të atilla duke pranuar vende gjysmake.
Loiseau fillon të përgjigjet duke marrë shembull Serbinë dhe Hungarinë. “Shihni Serbinë. Serbia dukej të ishte në proces të suksesshëm. Por, a u distancua Serbia nga Rusia? Asnjë sekondë.”
Ajo shtron në vazhdim pyetjen: “A mendoni se bisedimet e pranimit në BE janë receta e duhur për t’i bërë vendet që të distancohen nga Rusia? Shihni Hungarinë. Nuk funksionoi. Ne duhet të korrigjojmë të gjithë procesin e bisedimeve të hyrjes, sepse nuk është duke funksionuar. Të mbyllim sytë dhe të bëjmë sikur kemi politika, kur kemi vetëm burokracira?”, pyet ish-ministrja duke theksuar, se ‘çështja e zgjerimit të BE me Ballkanin Perëndimor është çështje shumë serioze dhe nuk duhet lënë në duart e burokratëve.’
Kontradikta franceze
Gazetari Tim Sebastian duke përmendur çështjen e zgjerimit citon presidentin Macron, i cili i kërkoi Evropës në muajin gusht në Paris që të “riinvestojë gjeografikisht në Ballkanin Perëndimor”, duke paralajmëruar se nëse Evropa nuk e bën këtë atëherë “fati i rajonit mund të vendoset nga SHBA, Rusia dhe Turqia”.
Por dy muaj më vonë, thotë Tim Sebastian, Macroni i bllokoi këto vende, duke vonuar futjen e tyre në BE.
“Kjo është kontradiktore. Ju nuk mundeni që, nga njëra anë ta mbroni Ballkanin Perëndimor nga fuqitë e tjera që janë duke u interesuar për të nga dhe nga ana tjetër, të mos e lini që të pranohet.”
Sipas tij, “Vetoja e Francës kundër fillimit të bisedimeve të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ka ndryshuar shumë përmbajtjen e zgjidhjes së problemeve bilaterale në Ballkanin Perëndimor”.
Nga ana e saj, ish-ministrja franceze, anëtare e partisë “La République En Marche”, partia “Për një republikë funksionuese”, këmbëngul se pranimi në BE: “Nuk është çështje sloganesh. Nuk është se duam të jemi të mirë dhe shkojmë të bëjmë biznese me disa vende. Puna është se ne duam që vendet të përgatiten për t’u futur në BE. Të mos dështojnë dhe të venë në rrezik projektin BE”./Fjala.al/