Paolo Liguori, drejtor i mediat italiane “Tgcom24”, ka bërë një deklaratë të fortë sa i përket koronavirusit që lindi në Kinë dhe po përhapet në të gjithë botën. Duke cituar një burim të besueshëm, Liguori deklaroi se koronavirusi është prodhur në një laborator ku realizohen eksperimente ushtarake në Wuhan të Kinës.
“Kam marrë informacion nga një burim shumë i besueshëm se gjithçka ka lindur nga një laborator në Wuhan, ku studiohen virusët më të rrezikshëm në botë. Në vitet e fundit, ky laborator ka nisur edhe eksperimente ushtarake, që janë shumë sekrete. Një nga teknikët, në fillim të dhjetorit, është prekur nga virusi. Nuk është kuptuar kjo gjë dhe nga aty është përhapur. Pra, virusi ka ardhur nga një laborator i Wuhanit, ku bëheshin eksperimente të modifikimit të SARS-it për qëllime ushtarake. SHBA, Kina dhe Rusia bëjnë të tilla eksperimente në rast se do i duhen armë biologjike në një luftë të mundshme”, ka deklaruar Paolo Liguori.
Deklarata e drejtorit të Tgcom24 jep një version të ri për mënyrën se si u shfaq ky virus në Kinë. Deri më tani besohet se virusi është përhapur në një treg shpendësh dhe më pas është transferuar te njerëzit.
Ndërkohë, dy mjekë raportohet se kanë humbur jetën si pasojë e infektimit me koronavirus. 56 është numri total i viktimave nga virusi, ndërsa 16 qytete në Kinë janë izoluar.
Virusi është përhapur edhe në vende të tjera të Azisë, si dhe në SHBA dhe Evropë.
Në rrjetet sociale është publikuar edhe një video që tregon vuajtjet e një personi të infektuar me koronavirus.