Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vijojnë të mbështesin me të gjithën forcën e tyre zbatimin e reformës në drejtësi. Ambasadorja e re e SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim ka konfirmuar edhe një herë vullnetin e Uashingtonit për vijimin dhe zbatimin e reformës në drejtësi.
Në takimin e zhvilluar me ministrat kyç të kabinetit ‘Rama’, në marrëdhëniet me SHBA-të, Yuri Kim ka shprehur angazhimin e plotë të SHBA-ve për të dhënë ndihmë në aspektin teknik për reformën në drejtësi.
Pas ngritjes së Strukturës së Posaçme Antikorrupsion (SPAK) tani pritet ngritja e Byrosë Kombëtare të Hetimit, e cila do të ndërtohet sipas modelit të FBI-së amerikane.
“Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara zhvilloi sot takime prezantuese me Ministrin në Detyrë të Punëve Evropiane dhe të Jashtme Gent Cakaj, Ministren e Mbrojtjes Olta Xhaçka dhe Ministren e Drejtësisë Etilda Gjonaj. Gjatë takimeve, Ambasadorja Kim shprehu vlerësimin e thellë të Shteteve të Bashkuara për kontributet e Shqipërisë si një aleate e NATO-s dhe mbështetjen e saj të rëndësishme në misionet tona të përbashkëta. Ambasadorja gjithashtu rikonfirmoi angazhimin e Shteteve të Bashkuara në ndihmë teknike për zbatimin e reformës në drejtësi dhe premtoi mbështetje të vazhdueshme”, shkruan ambasada e SHBA-ve në Tiranë.
Ndërkaq, ditën e djeshme në fjalimin e saj të parë si ambasadore e SHBA-së në Shqipëri Yuri Kim ishte i qartë: “Ne jemi ende me ju krah për krah.”
Ambasadorja amerikane dha mesazhe të forta të mbështetjes së Uashingtonit për perspektivën evropiane të Shqipërisë, si dhe për domosdoshmërinë që korrupsioni të dalë jashtë sistemit.
“Ne do të vazhdojmë të mbështesim aspiratën e popullit shqiptar për liri dhe drejtësi. Pres me kënaqësi të punoj me udhëheqësit e Shqipërisë derisa ata marrin masa të forta dhe të nevojshme për të përfunduar reformën në drejtësi dhe për të hequr korrupsionin nga sistemi”, tha Kim.
SHBA-të janë të përkushtuara të ndihmojnë Shqipërinë të bëhet një aleate më e fortë, theksoi ambasadorja Kim, duke shtuar gjithashtu se, SHBA-të janë të përkushtuara për të ndihmuar Shqipërinë të forcojë kandidaturën e saj për anëtarësim në BE.
Yuri Kim i kushtoi një rëndësi të madhe edhe aktit të presidentit amerikan Woodrow Wilson, për të cilin tha se “ndaloi ndarjen e Shqipërisë në konferencën e Parisit”.
“Presidenti amerikan përdori fuqinë e SHBA për të mbështetur një Shqpëri të pavarur, kundër çdo gjase ai priti një përfaqësues të Shqipërisë në Uashington dhe mbështeti anëtarësimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve. Pas Luftës II Botërore, qeveritë tona morën rrugën të ndryshme, por edhe kur qeveritë nuk e njihin njëra-tjetrën, popujt tanë mbajtën pranë njëri-tjetrin. Ne qëndruam të lidhur dhe flisnim nëpërmjet Zërit të Amerikës, që nuk jepte vetëm lajme, por shpërndante shkëndija shprese. Shkëndija e shpresës ndezi shpejt të gjithë Shqipërinë dhe ne ndejtëm me ju kur u çliruat ga komunizimi. Është një moment që duhet të ndiheni krenar. Kemi qëndruar krah jush që atëherë duke mbështetur hyrjen tuaj në NATO dhe përpjekjet për t’u anëtarësuar në BE. Sot qëndrojmë me ju jo vetëm në mbështetje të lirisë dhe sovranitetin të Shqipërisë, por edhe në mbështetje të së ardhmes së Shqipërisë”, theksoi ambasadorja.
E di se ka punë të vështirë përpara, shtoi Kim, por e dimë se puna e vështirë është më e lehtë kur ke aleatë në krah.
“Ashtu siç qëndruam me ju në 1920, 1991, 1999 dhe në 2009, ne qëndrojmë sërish me ju për t’ju mbështetur në familjen evropiane”, tha ambasadorja amerikane.
LEXO EDHE:
Çfarë përfaqësojnë 4 vitet që Yuri Kim veçoi në marrëdhëniet e SHBA-së me shqiptarët