Vetëvrasja e shqiptarit në Francë/Dyshimet e familjes: Kishte shenja dhune

Një shqiptar i arrestuar në Francë, ndërsa ishte në procedura e sipër për të marrë azil, u gjet në dhomën e qelisë i pajetë.

Mentor Rexha 36-vjeç, lindur në Lezhë dhe banonte në Shkodër, prej kohësh mbahej në paraburgim si i dyshuar për vepër penale. Dy javë pas vdekjes së tij u njoftua që i riu kishte humbur jetën.

Autoritetet franceze thonë se Rexha është vetëvrarë në 31 janar, por familjarët e tij kanë dyshime të forta se djali është dhunuar nga gardianët e burgut.

E motra e Mentorit thotë se tani vonë janë lejuar të shkojnë në morg dhe se në momentin që ka parë trupin ka konstatuar shenja dhune.

Duke mos besuar variantin e autoriteteve franceze, të afërmit i kanë bërë dhe foto trupit që tregojnë një shenjë litari në fyt, por edhe të çarë në kokë si dhe shenja të tjetra në trup, që i bën ata të dyshojnë se e vërteta nuk është aspak siç po u paraqitet.

Ngjarja risjell në kujtesë episodin e trishtuar të përpara dy viteve, kur Florenc Beqiraj vdiq në një burg të Francës, teksa ishte dhe ai në pritje të azilit.