Ekspertët e Komisionit të Venecias prej vitesh e mbajnë “zyrën hapur” vetëm për çështjet që vijnë nga Shqipëria. Çfarë po ndodh me “akademikët e ligjeve” që interpretimet e tyre interpretohen nga klasa politike shqiptare sipas dëshirës.
Nga Sebi Alla
Akademikët e “ligjit” në Komisionin e Venecias kanë gjetur “punë” në Shqipëri. “Të lodhur” nga “mungesa e protagonizmit” prej shumë vitesh, pasi në Evropën e zhvilluar, e madje edhe në Ballkanin e trazuar nuk ka probleme kushtetuese dhe ligjore, ekspertët e Venecias prej pesë vitesh po gjejnë punë me shumicë në Shqipëri. Vendi ynë është përfshirë në një mishmash ligjesh, ndryshime kushtetuese dhe përplasje të forta politike dhe juridike. Kërkohet ekspertiza e tyre, por në sytë e Evropës kjo situatë absurde tregon jo vetëm papjekurinë tonë politike, por mbi të gjitha dëshirën për të krijuar gjithnjë konflikte, qofshin ato tërësisht artificiale për benefite meskine të ditës. Askush nuk mund të thotë se ligjvënësit shqiptarë apo ekspertët e çështjeve ligjore këtu janë të paaftë në hartimin e ligjeve, por shumëkush e pranon se kasta drejtuese po krijon probleme artificiale në hartimin e ligjeve të cilat shkojnë deri në kufijtë e shkeljes së të drejtave të njeriut. Komisioni Evropian për Demokraci nëpërmjet Ligjit, i njohur si Komisioni i Venecias, është organizëm këshillues mbi çështjet kushtetuese. I krijuar në vitin 1990, Komisioni ka luajtur rol kryesor në miratimin e kushtetutave, që janë në përputhje me standardet e trashëgimisë kushtetuese të Evropës. Fillimisht u konceptua si një mjet për rregullime kushtetuese emergjente, ndërsa tashmë Komisioni është shndërruar në një konsulent ligjor i pavarur, i njohur ndërkombëtarisht. Aq shpesh kanë mbërritur në Shqipëri apo kanë sjellë interpretime me postë nga zyrat e Komisionit të Venecias, saqë edhe media në vend ka nisur t’i njohë me emra ekspertët e saj. Nga datat 10-14 shkurt, dy grupe pune të Komisionit të Venecias janë në Shqipëri për t’u njohur me ligjin “Antishpifje” dhe për çështjen e reformës zgjedhore. Pas mbledhjes së fakteve dhe takimeve me përfaqësues të mazhorancës dhe opozitës, ekspertët e Venecias do të ikin edhe një herë si përherë me një “sënduk” të madh dosjesh dhe më pas në një tjetër kohë do të sjellin rekomandimet e tyre.
Reforma në drejtësi, në sytë e Venecias
Në vitin 2015, kur po hartoheshin ligje dhe drafte në lidhje me reformën në drejtësi dhe veçanërisht pjesën që i përkiste vetingut, ekspertë të Komisionit të Venecias thuajse “instaluan” një zyrë në Tiranë, duke marrë në konsideratë çështjen e rëndësishme të reformës në drejtësi, e cila nuk ishte vetëm për ndryshime ligjore, por edhe kushtetuese. Përveç palëve politike që britnin për ndihmë nga jashtë, në atë periudhë u angazhuan edhe shoqata të gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët disa drafte ligjore i dërguan në Komisionin e Venecias, duke pretenduar se me mënyrën e përzgjedhur për vetingun shkeleshin liritë dhe të drejtat e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe gjithashtu, sipas tyre, sistemi i drejtësisë humbiste pavarësinë që ia garantonte Kushtetuta e vendit. Për shumë çështje Venecia u shpreh, duke lënë edhe rekomandimet, që më pas iu bashkëngjitën ligjeve dhe akteve të tjera ligjore. Në atë periudhë ishte ende funksionale Gjykata Kushtetuese, e cila, përveç interpretimeve të saj, kur vinte çështja për të vendosur për probleme madhore, ia kalonin “topin” Komisionit të Venecias. Edhe pse paraprakisht i dinin cilat do të ishin konkluzionet e Komisionit të Venecias, anëtarët e Kushtetueses nuk guxonin të merrnin barrën e sulmeve mbi vete. Për çdo draft dhe nismë të kontestuar të reformës në drejtësi, e cila në korrikun e vitit 2016 kaloi e gjithë në bllok në votimin tërësisht unanim të 140 deputetëve, do të vinte sërish koha që Komisioni i Venecias të zbarkonte në Tiranë, edhe për çështjet krejt rutinë ligjore.
Konflikti politik, jo juridik
Zgjedhjet e 30 qershorit të vitit 2019 u bënë shkak që sërish Komisioni i Venecias të bënte valixhet gati dhe të mbërrinte në vendin tonë si “shpëtimtare” e Kushtetutës. Ekspertët u thirrën menjëherë pas krijimit të Komisionit Hetimor Parlamentar për shkarkimin e kreut të shtetit Ilir Meta. Deputetë të mazhorancës në atë komision kërkonin ekspertizën e “akademikëve të ligjit” për të pasur një motiv më shumë në nismën për të shkarkuar Metën. Ata e konsideruan në shkelje të hapur të Kushtetutës zhdekretimin e datës 30 qershor nga ana e kreut të shtetit dhe dekretimit të datës 13 tetor për mbajtjen e zgjedhjeve vendore. Në atë periudhë, Meta e justifikoi dekretin e tij si një mënyrë për të afruar palët politike në konflikt dhe t’u jepte mundësi zgjedhjeve të lira dhe të ndershme me garë politike, duke theksuar se e ndërmori këtë nismë në mbrojtje të demokracisë. Socialistët kërkuan praninë e Komisionit të Venecias dhe në fund ata sollën një raport që e la disi të pakënaqur Metën, por nuk lumturuan as mazhorancën. Ekspertët e Venecias u shprehën se Presidenti i kaloi kompetencat për anulimin e datës së zgjedhjeve, por shkeljet nuk ishin aq të rënda sa të justifikojnë shkarkimin e tij. E ardhur në këtë mënyrë sugjerimi i Komisionit të Venecias la hapësira për interpretim mbi interpretime, çka politika shquhet për të mbajtur ndezur zjarre artificiale dhe konflikte, pa të cilat ajo nuk bën dot. Tashmë Komisioni i Venecias brenda këtij muaji duhet të japë mendimin e saj dhe sugjerimet mbi dy çështje fort të ndjeshme, atë që ka të bëjë ligjin “Antishpifje” dhe çështjet e reformës zgjedhore. Po këtij institucioni që mban një vulë jo pak të rëndësishme në Kushtetutën e Shqipërisë, të miratuar në vitin 1998, i është dashur të mbërrijë disa herë në Shqipëri për të shuar “gjakrat e ndezur” që vinin nga politika. Me këtë ritëm, tashmë Komisionit të Venecias i bie më mbarë që të hapë një “filial” të sajin edhe në Tiranë, për të ndërhyrë sa herë politika me dashje miraton ligje në kundërshtim me parimet demokratike evropiane./FJALA.al