Operacioni “Forca e Ligjit” po vijon në të gjithë vendin. Personazhet e botës së krimit janë të detyruar që të justifikojnë pasurinë e tyre.
Në “lupën” e oficerëve të operacionit “Forca e Ligjit” është edhe Ervis Martinaj, njëri nga biznesmenët e njohur në Tiranë në fushën e basteve sportive por jo vetëm.
Tashmë i është kërkuar informacion të gjitha bankave të nivelit të dytë në Shqipëri për Elvis Martinajn, zyrës së hipotekës së Tiranës dhe hipotekës së përgjithshme, zyrës së taksave, drejtorisë së regjistrimit të automjeteve dhe jo vetëm.
Momentalisht mësohet se Martinaj është person në hetim për ngjarjen e 4 tetorit 2018 në zonën e ish-bllokut, ku në një përplasje me armë Ervis Martinaj, mbeti i plagosur në qafë, ndërsa u vra miku i tij Fabiol Gaxha dhe mbeti i plagosur rëndë Eljon Hato.
Kjo çështje vijon të hetohet nga prokurori Artan Lulaj në prokurorinë Tiranës, ku krahas kësaj ngjarje një tjetër prokurore, Anisa Qilimi, kryen hetime për sa i përket dyshimeve për Martinaj për akuzën e pastrimit të parave.
Mes listës së personave që oficerët e Operacionit “Forca e Ligjit”, kanë targetuar për të hetuar pasurinë është dhe Leonard Duka. Duka, rezulton të jetë ende në kërkim nga prokuroria e posaçme pasi dyshohet se së bashku me Fatmir Hysenin nga Vlora, Blendi Teta, Erlis Duka, Oltian Loka, Ilir Selmani, Aleksandër Maxhaku dhe Dritan Agaj, kanë ekzekutuar në Tiranë ish-efektivin e policisë Santiago Malkon.
Ndaj vëllezërve Duka, prokuroria e posaçme ka nisur një hetim pasuror qysh prej vitit 2019, por kjo nuk e ka penguar aspak oficerët e Operacionit Forca e Ligjit, të verifikojnë sërisht Leonard Dukën, vëllain e tij Erlis Duka dhe babait të tyre Muhamed Duka.
Leonard dhe Erlis Duka, besohet se menaxhojnë disa biznese në Tiranë dhe njëherësh dyshohen nga policia se kryejnë trafik droge në disa vende të europës. Ndërsa një tjetër emër që është përfshirë në verifikimin e OFL dhe që shumë shpejt do marrë kërkesën për të justifikuar pasurinë, mësohet se është dhe Endrit Dokle.
Ky i fundit në 14 janar 2020, la qelinë në burgun e Fushë-Krujës, pasi u lirua nga gjyqtarja Enkeleida Hoxha, megjithëse ishte i dënuar me burgim të përjetshëm për disa akuza të rëndë si vrasjes, tentativë vrasje, pengmarrje, dhe trafik të heroinës në Itali.
Ndërsa një javë më parë OFL, i dërgoi kërkesën për të justifikuar pasurinë Pajtim Serjanit, Emiljano Shullazit dhe Dritan Dajtit, të tre këta personazhe, që i përkasin listës së Tiranës, që Policia e Shtetit, ka identifikuar për të verifikuar pasurinë. Pritet që në ditët në vijim operacioni i “Forca e Ligjit” të publikojë emra të tjerë, për sa i përket Tiranës, ku nuk mungojnë emra të njohur të botës së krimit dhe të lidhur me segmente të caktuara të politikës në vend.
Vetëm ditën e sotme OFL, kërkoi nga dy personazhe në Berat, Edison Çobo dhe Gazmend Mahmutaj, të dy të dënuar me burg në Itali për trafik droge. Edison Çobo, është vëllai i Ardian Çobo,ish-presidentit të klubit të Tomorit, tashmë i vrarë. Adlin Goxha, qëlloi për vdekje mbi Ardian Çobon, vëllain e Edisonit.
Çobo momentalisht është i arrestuar në burgun 313 në Tiranë ku së bashku me Klaudio Hasaj, Iliro Haruni, Skender Vrenozi, Gentian Vrenozi, Ervis Vrenozi, Spartak Ceraj dhe Renato Agalliu, po gjykohen për akuzën e “Trafikimit të narkotikëve”, në bashkepunimin, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve e municionit”.
Ndërsa Gazmend Mahmutaj është dënuar me 10 vite burg për trafik droge dhe shfrytëzim prostitucioni në Itali. I lidhur me emrin e tij ka qenë edhe kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, i cili është dënuar në Itali me 3 vite burg dhe ndalim të ushtrimit të posteve shtetërore për akuzën e “përkrahjes së të inkriminuarve”.
Për këtë ngjarje, në atë kohë, Fatmir Mediu deklaronte disa vite më parë, se është shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Lartë italiane.
Sipas Gjykatës së Apelit në Milano, me një vendim të 23 prillit 2000, Mediu, në emër të parlamentit shqiptar, ka favorizuar të kërkuarin nga drejtësia italiane, pikërisht Gazmend Mahutajn me të cilin kishte miqësi, për të kaluar tranzit nga vendi ynë drejt shtetin fqinj me emër të rremë (Raqi Gjoni).