Çështja “Meta” tashmë është një çështje e vjetër

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Ekskluzive për Fjala.al nga Spartak Ngjela

I- Çështja e Metës tashmë është një çështje e vjetër. Presidenti Meta ka që në vitin 2016 që është ndier i shqetësuar në lidhje me reformën në drejtësi.

Fillimisht ai mendoi se opozita e atëhershme nuk do t’i lejonte ndryshimet kushtetuese; por në minutën e fundit, kur opozita “Berisha” u thye dhe kuorumi me 2/3 që kërkon amendimi i Kushtetutës u plotësua, doli i alarmuar me kërkesën për konsensus.

Kjo nuk kishte nevojë, sepse opozita, ndërkohë, ishte thyer dhe kishte vendosur të hynte në Parlament për të votuar me 140 vota të plota amendimet e Kushtetutës.

Pas kësaj, Meta vijoi rrugën për ndalimin e legjislacionit që do të plotësonte Kushtetutën e amenduar, sepse ndoshta kishte shpresë te çadra e Partisë Demokratike, por edhe atje dështoi.

Në këto momente, kur ecuria e reformës nuk ka mundësi të ndalet, Meta nisi të veprojë ndryshe. Në muajin maj të vitit 2019, Meta krijoi një tjetër trillim; pasi i kishte dekretuar zgjedhjet për në datën 30 qershor 2019, i zhdekretoi ato dhe pas 2 ditësh caktoi një ditë të re zgjedhjesh, e cila ishte 13 tetori i vitit 2019.

Këtë e bëri se kishte shpresë te molotovët që ishin hedhur dhe do të hidheshin në protestat e opozitës, protesta këto që dështuan si pasojë e kërcënimit të Uashingtonit.

Askush nuk e përfilli. Kjo është arsyeja që dekretet e Metës askush nuk i pranoi. Kurse, menjëherë mazhoranca aktuale filloi procedurën për shkarkimin e tij, sepse kishte konstatuar shkelje të rëndë të Kushtetutës. Presidenti kishte bërë një zhdekretim të dekretit të tij (!).

Pas kësaj, ai nxorie dhe një dekret për një datë të re votimesh, por opozita jashtë Parlamentit nuk e përfilli, madje nuk e pranoi. Të gjitha këto u konsideruan si shkelje të rënda të Kushtetutës; ndërsa Meta as që pyeti fare dhe, njëlloj si sot, deklaronte që zgjedhjet janë ato të 13 tetorit, sepse priti që opozita “Berisha” të pranonte si datë zgjedhjesh 13 tetorin e vitit 2019.

Opozita “Berisha” nuk e pranoi. Por, Meta, megjithatë vijoi. Ai fliste në vakum, por me të njëjtën metodë sikurse flet dhe sot, në lidhje me një dekret që do ta firmosë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, bashkë me qytetarët për të rrëzuar rendin kushtetues në Shqipëri.

II- Kjo është tabloja e ecurisë së çështjes “Meta”. Por, ndërkohë ai është i ndodhur nën trysninë e dy çështjeve juridike. E para, është shkarkimi që duhet t’i bëjë Kuvendi për shkelje të Kushtetutës. E dyta, është dështimi i tij për bllokimin e Gjykatës Kushtetuese.

Pse kërkon ta bllokojë Gjykatën Kushtetuese Presidenti Ilir Meta?

Kjo ndodh, sepse, për shkeljen e Kushtetutës, Presidenti shkarkohet nga Parlamenti sipas kërkesës së Komisionit të Hetimit Parlamentar, por çështja duhet të shkojë dhe të gjykohet në Gjykatë Kushtetuese.

Fakti që Ilir Meta nuk e bllokoi dhe as nuk e mori dot në kontroll Gjykatën Kushtetuese, ka nisur një luftë të re kundër Kushtetutës dhe rendit kushtetues në Shqipëri. Ashtu sikurse shihet, kuptohet se kjo në vetvete nuk është vetëm dështim i deklaruar juridikisht, por krijon edhe një rrezik të madh për Presidentin, i cili me aktin e “dekretit” popullor kryen në flagrancë krimin e nenit 221 të Kodit Penal, që parashikon krimin e kryengritjes dhe goditjes së rendit kushtetues në Shqipëri, me burgim të rëndë.

E ka me tërë mend Presidenti shqiptar kryerjen e këtij akti?

III- Në lidhje me aktin e pritshëm të Ilir Metës si President, lind kjo pyetje: Çfarë po u thotë Ilir Meta shqiptarëve?

Ilir Meta nuk u është drejtuar shqiptarëve, ai po kërkon të trembë politikën amerikane me përmbysjen e rendin kushtetues në Shqipëri. Por, a ka mundësi ta arrijë këtë, që duke kërcënuar me destabilizimin e Shqipërisë të fitojë qetësinë e tij si President?

Lexo edhe :  Policia aksion ‘blic’ në Krujë, kontrolle mjeteve luksoze dhe atyre me xhama të zinj

Meta, këto ditë, po na thotë se në datën 2 mars të këtij viti do të shkelë nenin 221 të Kodit Penal, duke drejtuar popullin kundër institucioneve dhe rendit kushtetues. Por, cili është neni 221 i Kodit Penal?

Neni 221 i K. Penal shprehet:

“Pjesëmarrja në veprime masive të mundshme… për të përmbysur rendin kushtetues dënohet me burgim nga 15 gjer në 25 vjet. Marrja pjesë si udhëheqës apo organizator në veprimet e mësipërme dënohet me burgim të përjetshëm”. Kurse theksi vjen dhe bie këtu: udhëheqësi i kësaj lëvizjeje kundër rendit kushtetues është Presidenti i Republikës së Shqipërisë.

Në fakt, kuptohet se Ilir Meta ka rënë në një injorancë alla shqiptare. Burri i shtetit, duke qenë President, e kupton se është pjesë thelbësore e rendit kushtetues. Atëherë, çfarë mban brenda vetes akti i pritshëm i Presidentit Meta?

Nga mënyra e trajtimit paraprak të aktit të pritshëm, kuptojmë se Ilir Meta nuk e ka qëllimin e tij te një revoltë popullore për të rrëzuar Presidentin Ilir Meta, por kërkon që të thotë: “Nëse do të vijojë procesi për shkarkimin tim, unë kam forcë të destabilizoj Shqipërinë”.

Dihet se destabilizimi i Shqipërisë është një çështje që prek problemin e politikës ndërkombëtare që drejtohet nga Uashingtoni. Pikërisht për këtë, kuptohet se Meta mendon që me kërcënim ta detyrojë politikën amerikane që të bëjë presion ndaj mazhorancës aktuale, që kjo të ndalojë procesin për shkarkimin e tij.

Frika e Metës është shtuar më tepër nga aktet e fundit ligjore që kanë ndërmarrë mazhoranca aktuale. Me ligj atij i është hequr e drejta absolute e pranimit të betimit të emërimeve në pozicionet e institucioneve kushtetuese. Kuptohet se ai këtë kompetencë e ka menduar si bllokim juridik ndaj emërimeve të reja në gjyqtarët e pritshëm të Gjykatës Kushtetuese.

Nëse në Shqipëri nuk do të ketë Gjykatë Kushtetuese, nuk do të ketë as shkarkim Presidenti, sepse vetëm ajo Gjykatë mund ta gjykojë aktin e parlamentit për shkarkimin e Presidentit Meta. 

IV- Pse ne mendojmë që Ilir Meta nuk e ka seriozisht ndërmarrjen e aktit kundër rendit kushtetues?

Sepse, ai duhet ta dijë që forcën juridike që ka Prokuroria e Posaçme, në bazë të nenit 135/2 të Kushtetutës së Shqipërisë, ky është organi që fillon çështjen penale kundër Presidentit të Republikës për një krim dhe, në bazë të nenit 148/dh të Kushtetutës, ushtron ndjekjen penale dhe vendos arrestin e tij në flagrancë dhe brenda disa ditëve ia dërgon atë Gjykatës së Posaçme me akuzën për përmbysje të rendit kushtetues.

Në bazë të nenit 221/2 të Kodit Penal, kryetari i lëvizjes kundër rendit kushtetues dënohet me burgim të përjetshëm, pa asnjë mundësi tjetër.

Është kjo tablo shumë e rrezikshme për aktin “Meta” që nuk e lejon atë të ndërmarrë veprën që e ka shfaqur si të kryer përpara opinionit publik.

Nëse Ilir Meta nuk e ndien këtë si rrezik dhe e ndërmerr aktin e paralajmëruar, pyetja që ngrihet këtu është: A ka një shtet shqiptar sot në Shqipëri, që me forcën e ligjit të ndalojë një ndërmarrje agresive kundër rendit kushtetues?

Të gjitha mundësitë janë, por nëse Meta e ndërmerr aktin që thotë se “dekretin do ta firmosë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara turmës së qytetarëve drejt pushtimit të institucioneve, kundër tij nuk do të jetë vetëm forca e shtetit shqiptar në funksion të ligjit, por edhe akuza publike ndërkombëtare që sigurisht do të vijë nga partnerët dhe aleatët strategjikë të Republikës së Shqipërisë.

 

Të fundit

Pas pengjeve izraelite, vazhdon lirimi i të burgosurve palestinezë

Tri pengjet izraelite të mbajtur nga Hamasi në Gaza pas marrëveshjes së armëpushimit të nënshkruar me Izraelin tashmë janë...

Harry dhe Meghan dhe dështimi i podcastit!/ Këngëtaret që refuzuan të shfaqeshin në të

Sipërmarrja e dështuar e podkastit të Princit Harry dhe Meghan Markle u pengua pjesërisht nga të famshëm si Taylor Swift dhe Beyonce që refuzuan...

KQZ apel qytetarëve: Nëse kërkesa për regjistrim ju është refuzuar, mund të riaplikoni

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ndau sot disa prej pyetjeve më të shpeshta që bëjnë qytetarë shqiptarë që jetojnë jashtë dhe që duan të regjistrohen...

Kristian Prenga hedh në tapet amerikanin Torres pas 2 raundeve, kampion në peshat e rënda

Philadelphia, SHBA - Boksieri shqiptar Kristian Prenga është fituesi i titullit "World Heavyweight Title" për peshat e rënda. Mirditori nuk e pati të vështirë kundër amerikanit Juan...

Trump nxiton për shpëtimin e TikTok/ Rrjeti rikthehet në funksion në SHBA

‘TikTok-u’ njoftoi të dielën se po rikthehej në funksion pasi Presidenti i zgjedhur Donald Trump tha se do të rikthente qasjen në këtë aplikacion...

Lajme të tjera

Web TV