Detaje të rënda kanë dalë pas krimit të rëndë që tronditi qytetin e Durrësit mesditën e sotme. Janë dëshmitë e personave që kanë qenë të pranishëm në dëshminë e dhënë nga vetë autori i krimit pasi ka vrarë të shoqen. Ai iu ka thënë të njohurve që ishin afër dyqanit të tyre që të shkonin aty se kishte vrarë gruan se ajo i kishte nxirë jetën.
Madje dëshmitë tregojnë se ai mori edhe cigare, u ul te pragu i dyqanit, brenda të cilit kishte lënë të pajetë nënën e tri vajzave të veta dhe po pinte cigare derisa ka ardhur policia. Burimet nga Durrësi tregojnë se autori i ngjarjes së tmerrshme është në gjendje tejet të rënduar psikologjike dhe se do të tentohet t`i merren edhe të tjera rrëfime për të shkuar te shkaku që e çoi në krimin e rëndë.
Sipas të dhënave Ruzhdi Tosuni 63-vjeç që vrau bashkëshorten e tij Hajdien, 59-vjeçe, pas një debati lidhur me shitjen e dyqanit, kishte kohë që kërkonte ta shiste dyqanin. Pas vrasjes, burri nuk ka bërë rezistencë duke u dorëzuar. Policia thotë se pas krimit të rëndë ka ulur qepenin duke pritur policinë. Çifti i komunitetit egjiptian ka tre vajza, njiheshin si të qetë dhe pa probleme, ndërsa prej disa vitesh kishin biznesin e tyre pranë Pallatit të Sportit.
Paraprakisht dyshohet se mosmarrëveshjet në familje kanë lindur pikërisht për dyqanin e metrazheve, pasi kishin kundërshti për shitjen e tij që agravoi situatën deri në vrasjen e 59-vjeçares. Dyqani i çiftit ‘Ruzhdiu’ pas ngjarjes së rëndë u rrethua me shpejtësi nga forcat e policisë dhe kalimtarët e rastit, të tronditur për krimin në familje.
Burime nga policia e Durrësit thanë se Ruzhdiu muajt e fundit kishte shfaqur shenja depresioni. Një gjë të tillë e kanë konfirmuar në polici njerëz të afërt të tij. ‘Ejani se e vrava, 30 vite ma solli shpirtin aty ku s’mban më’ kanë qenë fjalët e tij menjëherë pasi ka lënë të vdekur gruan në dyqan
Burime nga policia bëjnë të ditur se autori Ruzhdi Tosuni e ka njoftuar vetë policinë duke u thënë “ejani se kam vrarë gruan”. Pyetjes së policisë së “ku ndodhej”, autori i është përgjigjur duke thënë “para dyqanit po ju pres”.
Kur ka shkuar policia ai i ka dorëzuar çelësat e qepenit dhe të dyqanit. Teksa e shoqëronin në polici dhe e pyetën se përse e vrave gruan, autori është shprehur se “ma solli shpirtin aty ku nuk mban më. Kam 30 vjet që e duroj dhe e vrava”! n.k /Fjala.al/