Komisioni Evropian njeh rëndësinë strategjike të gazsjellësit Adriatiko-Jonian

Komisioni Evropian ka vendosur të njoh rëndësinë e gazsjellësit Adriatiko-Jonian (IAP) për tregun rajonal të gazit, veçanërisht Kroacinë, Shqipërinë, Malin e Zi dhe Bosnjë dhe Hercegovinën, tha një burim në Komisionin Evropian për agjencinë azere të lajmeve, Trend.

“Si një sinjal i rëndësisë së saj për rajonin, Komisioni i ka dhënë IAP statusin e Projektit të Interesit të Ndërsjellë (PMI)”, tha burimi.

Duke i dhënë statusin e Projektit të Interesit të Ndërsjellë, Komisioni do të konsiderojë investimin dhe financimin e gazsjellësit.

Tubacioni Adriatiko-Jonian lidhet me Gazsjellësin Trans Adriatik (TAP) për të transportuar gaz në shumë vende të Evropës Jug-Lindore. Tubacioni me gjatësi totale prej 516 kilometrash do të shtrihet nga Shqipëria përmes Malit të Zi, dhe Bosnje-Hercegovinës, për t’u ndalur në Kroaci.

Kapaciteti i tubacionit do të arrijë në pesë miliardë metra kub gaz në vit.

Shqipëria, Bosnja, Kroacia dhe Mali i Zi po planifikojnë të përfundojnë modelin paraprak të IAP, i cili parashikon transportimin e gazit Azerbajxhan në Evropën Juglindore, deri në shtator të vitit 2020.