Mbyllen pjesët e para të 4 ndeshjeve të Superligës, rezultatet e deritanishme

Janë mbyllur pjesët e para të katër takimeve të javës së 23-ë të Kategorisë Superiore dhe ndër to në vetëm dy takime janë shënuar gola.

Ndeshja e parë rezultati i së cilës u zhbllokua është ajo midis Skënderbeut dhe Luftëtarit, ku korçarët kanë arritur të marrin avantazhin e këtij takimi.

Ishte Alfred Mensah ai i cili mundi të shënonte për Skënderbeun në minutën e 18-ë të lojës dhe ky avantazh është mbajtur deri në përfundim të 45-minutshit të parë.

Ndërkohë edhe në ndeshjen midis Flamurtarit dhe Tiranës është shënuar një gol, nga ku bardheblutë e kryeqytetit kanë marrë avantazhin e lojës. Duhej të vinte minuta e 34-t e lojës që kryesuesit aktual të Superligës të kalonin në avantazh me anë të autogolit të Jurgen Vrapit.

Ndërsa ndeshja midis Kukësit e Vllaznisë dhe ajo midis Partizanit e Teutës vazhdon të jetë me barazimin 0-0 në përfundim të kësaj pjese.

Të kuqtë e partizanit patën një mundësi shumë të mirë për të shënuar me anë të Braun, por Frashëri arriti ta shpëtonte në momentin më të rrezikshëm skuadrën e Teutës./Fjala.al/