Kryeministri Edi Rama ka kërkuar në mbledhjen e qeverisë për situatën e krijuar nga koronavirusi kufizimin në maksimumin e mundshëm të kontakteve fizike. Ai ka bërë thirrje që të mbrojmë veten dhe të tjerët.
Duke i’u kundërpërgjigjur kryetarit të PD-së, Rama tha se përdorimi i maskave është shumë i rëndësishëm dhe të thuash që ato janë të rrezikshme domethënë të përhapësh panik.
“Ky armik nuk të pyet kush je, nga je, por vetëm godet. Maskat janë prodhim amerikan dhe nëse ato do të ishin të rrezikshme, nuk do të dilnin nga kufijtë e SHBA-ve dhe nuk do të përshkonin oqeane për të ardhur në Shqipëri. Këto maska përdoren gjerësisht jashtë datës së skadencës jashtë sallës së operacioneve. Të thuash që këto maska janë të rrezikshme do të thotë që të përhapësh panik apo të harrosh që sot nuk është koha për të luftuar me qeverinë, por si shqiptar për shqiptarët kundër një armiku që e ka nxjerrë botën nga binarët”, ka thënë Rama.