Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit: Tregu oligopol, ka rritje të përqendrimit, mes 10 vendeve me tarifat më të larta në botë. Autoriteti i Konkurrencës vijon hetimin e thelluar, kompanitë pezullojnë rritjen deri në një vendim të dytë
Tregu i telefonisë celulare në vend aplikon tarifat më të shtrenjta në rajon. Jo vetëm kaq. Tregu operon në kushtet e oligopolit. Kompanitë rrisin tarifat për paketat në të njëjtën kohë dhe me të njëjtën masë. E vetmja masë që është marrë është e pezullimit të rritjes së tarifave deri në përfundim të hetimit të thelluar që ka nisur Autoriteti i Konkurrencës.
Raporti i KLSH-së
Kontrolli i Lartë Shtetit ka audituar tregun e telefonisë celulare në vend dhe ka dalë në përfundimin se është treg oligopol, ka rritje të përqendrimit dhe Shqipëria renditet mes 10 vendeve me tarifat më të larta. Në raportin e auditivit, Kontrolli i Lartë i Shtetit nënvizon problematikat që shfaqen në këtë treg duke vënë përpara përgjegjësisë në këtë rast Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare.
Tarifat
Kontrolli i Lartë i Shtetit thekson se lidhur me tarifat mesatare në vendet e BE dhe BEREC, agjencia evropiane për mbështetje profesionale, variojnë nga 0,77 euro cent/min, që është mesatarja e thjeshtë aritmetike në 28 vendet anëtare të BE (EU Avg (S)) deri në 0,88 euro cent/min që është mesatarja e thjeshtë aritmetike e 37 vendeve të BEREC (Average S). “Tarifa e terminimit në Shqipëri është 0,98 euro cent/min, më e lartë se mesatarja e thjeshtë në vendet e BE dhe se tri mesataret e tjera të përllogaritura nga BEREC. Shqipëria është vendi i 9-të me tarifat më të larta nga 37 vendet e BEREC. Raporti vlerëson se “tregu i telefonisë celulare ka përqendrim të lartë, duke reflektuar një strukture oligopoli dhe kjo për shkak të rritjes gjithnjë e më shumë në treg të sipërmarrësit me pjesën më të madhe të tregut”. Lidhur me këtë situatë, KLSH ka vlerësuar se Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare për periudhën nën auditim 2017-2018 nuk ka përmbushur me efektivitet mbikëqyrjen e tregut të telefonisë celulare kah ruajtjes së konkurrencës së lirë dhe të ndershme në tregun e telefonisë celulare.
Paketat
Paketa mujore e telefonisë celulare në vend është 1 200 lekë, ndërsa në Maqedoninë e Veriut është rreth 12 euro. Në Greqi e njëjta paketë me të njëjtat njësi është 14. 23 euro, ndërsa në Itali është 26. 9 euro. Në raport me pagën minimale tarifat në Shqipëri janë ndjeshëm më të larta. Referuar të dhënave nga Eurostat paga minimale në Shqipëri është 211 euro, ndërsa në Maqedoni 240 euro. Në vlerë absolute, paga minimale në Shqipëri është sa 89% e asaj në Maqedoni, një individ me një pagë minimale në Shqipëri, mund të blejë vetëm sa 75% e volumeve të mallrave dhe shërbimeve që blihen në Maqedoni. Shqipëria ka jo vetëm pagën më të ulët në rajon dhe në raport me vendet e Bashkimit Europian në vlerë absolute, por sidomos diferenca është shumë e lartë sipas Standardeve të Fuqisë Blerëse, një njësi e Bashkimit Europian, që bën të mundur krahasimin midis shteteve, duke eliminuar diferencat e niveleve të çmimit midis shteteve dhe duke matur sa njësi mallrash e shërbimesh mund të blesh për të njëjtën vlerë parash. Personat që marrin pagë minimale në vendin tonë, blejnë më pak volume të mallrave dhe shërbimeve edhe se më pak të paguarit e rajonit. Kjo nënkupton se paraja ka shumë më pak vlerë në Shqipëri, për shkak të çmimeve të larta të produkteve në raport me të ardhurat. Në 2019-n një shqiptar me pagë minimale, të përcaktuar sipas ligjit, merr në fund të muajit 389 PPS. Paga minimale në Shqipëri shprehur me Standardin e Fuqisë Blerëse është sa 75% pagës minimale në Maqedoninë e Veriut. Me metodën e Standardit të Fuqisë Blerëse, paga minimale në Maqedoninë e Veriut përllogaritet rreth 509 PPS në muaj, në Malin e Zi 525 PPS në muaj, ndërsa në Serbi 578 PPS në muaj. Sipas fuqisë blerëse, Turqia ka një pagë minimale rreth 3 herë më të madhe se Shqipëria. Eurostat ka llogaritur se paga minimale në Turqi është 1,177 PPS në muaj. Kjo do të thotë se me pagën minimale në Turqi mund të blesh tri herë më shumë volume mallrash dhe shërbimesh. Paga minimale në Turqi është 422 euro, pra dyfish sa ajo e Shqipërisë në vlerë absolute, por që realisht vlen tri herë më shumë. Në raport me vendet e tjera të rajonit, shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosovës e përdorin pjesën më të madhe të parave që kanë në dispozicion për t’u ushqyer, ndërsa pjesa tjetër e pagës mbetet për qira, ujë, drita dhe telefoni. Për Serbinë, ky tregues është 15.6% e GDP-së, për Maqedoninë e Veriut 19% dhe më i larti është për Bosnjën dhe Malin e Zi me përkatësisht rreth 23-24% e GDP. Për vendet kandidate dhe potenciale kandidate (pa përfshirë Kosovën dhe Turqinë), mesatarja është 19.7%
Tarifat me rajonin
Nga 1 korriku i vitit të kaluar, hyri në fuqi faza e parë e uljes së tarifave roaming mes vendeve të Ballkanit Perëndimor. Sipas marrëveshjes, tarifat maksimale për përdoruesit shqiptare në roaming deri në 1 korrik 2021 do të jene 28.5 lekë për minutë dhe 9 lekë për sms. Nga 1 korriku 2021 të gjitha tarifat shtesë do të hiqen dhe përdoruesit shqiptare që përdorin roaming në vendet e rajonit do të paguajnë çmime të njëjta si në Shqipëri në kohën që tarifat roaming janë rregulluar, ka një paradoks: tarifat standarde të thirrjeve dhe SMS-ve janë më të larta në Shqipëri sesa në roaming. Këto tarifa nuk kanë ndryshuar prej më shume se 10 vjetësh. I vetmi rregullim u bë në vitin 2014, për të reflektuar vendimin e AKEP që ndalonte diferencimin e thirrjeve brenda rrjetit me ato jashtë rrjetit. Por, kjo solli vetëm njehsim, por jo reduktim të nivelit me të ulët të tarifës standarde të thirrjeve. Kështu, tarifat standarde thirrjeve sot variojnë nga 29 deri ne 39 lekë për minutë, ndërsa mesazhet e shkruara nga 12 deri në 16 lekë për sms. Praktikisht, përdoruesit me parapagesë të telefonisë celulare prej pothuajse një dekade nuk komunikojnë me më tarifa standarde, por me paketa. Operatorët konkurrojnë përmes paketave, me qëllim sigurimin e një të ardhure minimale mujore për çdo përdorues, ndërsa tarifat standarde ngelen të pandryshuara./FJALA.al