Personeli mjekësor që është në vijë të parë në betejën me koronavirusin, do të ketë në dispozicion autobusë të posaçëm për të lëvizur.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu bënë të ditur se operatorët e licencuar nga Bashkia e Tiranës në linjat e shërbimit publik të transportit qytetës të udhëtarëve, pavarësisht parashikimit të urdhrit nr. 10762, datë 11.03.2020 “Për pezullimin e shërbimit të transportit urban në Bashkinë Tiranë në kuadër të marrjes sa masave mbrojtëse ndaj përhapjes së infeksionit Covid-19”, do të ofrojnë këtë shërbim vetëm në funksion të personelit dhe stafit mjekësor në Bashkinë e Tiranës.
“Duam të ofrojmë një alternativë për transportin e mjekëve, për t’u siguruar që shërbimi spitalor nuk vuan pasojat e asaj që ne e quajmë distancë sociale. Transporti urban është ndërprerë për të gjitha udhëtimet jo-esenciale, por ndërkohë do të rikuperohet vetëm për stafin mjekësor.
Ne kemi bërë një propozim, i cili përfshin transportin me orare fikse: ora 07:00, ora 13:00 dhe ora 20:00, gjatë ndërrimit të turneve të stafit mjekësor, që do të përshkojë qendrat tona mjekësore spitalore. Pra, do të fillojë nga Sanatoriumi dhe do të përfundojë te Trauma në Laprakë, linja Sanatorium-Trauma. Linja tjetër, duke filluar nga Kombinati, tek QSUT dhe tek Instituti i Shëndetit Publik në Kinostudio. Pra, është e ngjashme me linjën Kombinat-Kinostudio. Linja e Unazës me stacione të reduktuara, pranë qendrave shëndetësore qytetase në unazë”, tha Veliaj.
Stacionet, numri mjeteve dhe linjat që do të vendosen në dispozicion për ofrimin e këtij shërbimi janë të mirëpërcaktuara. Sipas urdhrit të Bashkisë së Tiranës, operatorët që do të ofrojnë këtë shërbim sipas këtij urdhri, do të duhet të marrin masa për pajisjen e stafit të tyre me mjete mbrojtëse, me qëllim ruajtjen e shëndetit të tyre.
“Ky gërshetim linjash do të funksionojë vetëm në këto fasha orare dhe vetëm nga stafi mjekësor, doktorë, infermierë, sanitarë. Në autobus do të hyhet vetëm me një dokument që provon që je staf mjekësor, me të gjitha masat e sterilizimit. Autobusi, pasi mbaron turnin, kthehet për t’u dezinfektuar. Ekipi special i Bashkisë së Tiranës dhe i zjarrfikëseve do bëjnë dezinfektimin e autobusëve, për t’u rikthyer pastaj prapë për turnin e 2-të dhe turnin e 3-të”, tha ai.
Veliaj shpjegoi se përjashtime do të ketë vetëm për pacientë që bëjnë dializën ose dikush që ka një ndërhyrje tjetër urgjente.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu tha se ky hap është një tjetër segment i planit të madh të masave që po ndërmarrim në kuadër të frenimit të epidemisë së koronavirusit. “Është për t’u theksuar se këto masa janë vetëm në favor të shëndetit të tyre.
Po krijojmë mundësinë që të mbështesim personelin mjekësor, por edhe ata pacientë të cilët kanë nevojë për të marrë mjekime në spital sepse kanë terapi mjekimi ciklike, do të kenë mundësi që transportin publik me ato parametra që po i siguron Bashkia e Tiranës të higjienizimit, të sanitarizimit, të mundet që ta shfrytëzojnë pikërisht për të aksesuar spitalin qendrën spitalore apo gjithashtu dhe punonjësit që janë pjesë e shërbimeve sociale që do të duhet të shkojnë të ofrojnë kujdes për të moshuarit, që janë në shtëpitë rezidenciale”, tha Manastirliu.
Kryebashkiaku Veliaj kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve që të qëndrojnë në shtëpi, duke ndihmuar me lëvizjen dhe stafet mjekësore. “Që mjekët të shkojnë në punë, do të duhet që gjithë të tjerët të rrinë në shtëpi. Nëse rrimë të gjithë të tjerët në shtëpi dhe lejojmë vetëm mjekët të shkojnë në punë, atëherë ulim edhe barrën e tyre.
Ulim barrën për ata që kanë nevojë për shërbime dhe sigurohemi që nuk kolapsojmë sistemin e shëndetësisë, duke lejuar vetëm profesionistët që të bëjnë punën dhe të gjithë të tjerët të rrinë në shtëpi.
Ndihma më e madhe që mund të japim për mjekët, siç po bëjmë edhe në këtë rast, është t’i lejojmë të punojnë të qetë pa u bërë barrë dhe mënyra se si nuk bëhemi barrë është të rrimë në shtëpi, të respektojmë higjienën, mbajmë distancën sociale dhe dëgjojmë vetëm urdhrat e autoriteteve dhe të asnjë spekulanti”, tha Veliaj.