Nga Pam Belluck “The New York Times”/ Ndërsa rastet e infeksionit me koronavirus, po përhapen në të gjithë botën dhe qeveritë po marrin masa të jashtëzakonshme për të kufizuar përhapjen, ka ende shumë konfuzion në lidhje me atë që shkakton saktësisht virusi në trupat e njerëzve.
Simptomat – ethe, kollë, gulçim – mund të sinjalizojnë çdo numër sëmundjesh, nga gripi deri tek e ftohura e zakonshme. Kjo është ajo, që ekspertët mjekësorë dhe studiuesit kanë mësuar deri më tani për përparimin e infeksionit të shkaktuar nga ky koronavirus i ri, dhe ato që ata ende nuk dinë.
Si e shkakton infeksionin ky koronavirus?
Virusi përhapet përmes piklave të transmetuara në ajër nga kollitja ose teshtitja, të cilat njerëzit aty pranë mund t’i marrin përmes hundës, gojës ose syve. Grimcat virale në këto pikëla, udhëtojnë shpejt në pjesën e prapme të hundës dhe në mukozën e pjesës së pasme të fytit tuaj, duke iu bashkangjitur një receptori të veçantë në qeliza.
Grimcat e koronavirusit kapen pas proteinave që rrinë në sipërfaqet e tyre, dhe nga aty godasin membranat e qelizave, duke lejuar që materiali gjenetik i virusit të depërtojë në qelizën e njeriut. Ky material gjenetik, vazhdon të “degradojë metabolizmin e qelizës dhe t’i thotë:Mos bëj punën tënde të zakonshme”. “Detyra jote tani, është të më ndihmosh mua të shumohem dhe të prodhoj virusin”- thotë dr.Uilliam Shafner, specialist i sëmundjes infektive në Qendrën Mjekësore Universitare Vanderbilt në Neshvil, SHBA.
Po si e shkakton ky proces probleme me frymëmarrjen ?
Ndërsa kopjet e virusit shumohen, ato lëvizin dhe infektojnë qelizat fqinje. Simptomat nisin shpesh në pjesën e pasme të fytit, me dhimbje të fytit dhe një kollë të fortë dhe të thatë.
“Më pas virusi zhvendoset në mënyrë progresive poshtë tubave bronkiale”, thotë më tej dr.Shafner. Kur virusi mbërrin në mushkëri, mukozat e tij përflaken. Kjo mund të dëmtojë alveolat ose qeset e mushkërive, të cilat detyrohen të punojnë më shumë për të kryer funksionin e tyre të furnizimit me oksigjen të gjakut që qarkullon në të gjithë trupin tonë, dhe në heqjen e dioksidit të karbonit nga gjaku.
“Kjo gjë e bën shumë më të vështirë që oksigjeni të qarkullojë nëpër mukozë”- thotë dr.Emi Filips, drejtuse klinike e sistemit shëndetësor “Providence”. Enjtja dhe fluksi i dëmtuar i oksigjenit, mund t’i mbushë me lëng, qelb dhe qeliza të vdekura ato zona në mushkëri. Nga kjo gjë mund të shkaktohet pneumoni, një infeksion i rëndë i mushkërisë.
Disa njerëz kanë aq shumë probleme me frymëmarrjen, saqë duhet të vendosen në një aparat të frymëmarrjes artificiale. Në rastet më të këqija, të njohura si Sindroma Akute e Distresionit të frymëmarrjes, mushkëritë mbushen aq shumë me lëng, sa që asnjë sasi mjet ndihmës për frymëmarrjen nuk mund ta ndihmojë të sëmurin që në fund vdes.
Çfarë trajektoreje ndjek virusi në mushkëri?
Dr.Shu-Yuan Xiao, profesor i patologjisë në Shkollën e Mjekësisë në Universitetin e Çikagos, ka ekzaminuar raportet e patologjisë mbi pacientët me koronavirus në Kinë. Ai tha se virusi duket se fillon në zonat periferike në të dyja anët e mushkërive, dhe mund t’i duhet disa kohë që të arrijë në traktin e sipërm të frymëmarrjes, trake dhe rrugët e tjera qendrore.
Doktor Xiao, që është gjithashtu drejtor i Qendrës për Patologji dhe Diagnostifikimit Molekular në Universitetin e Vuhanit, thotë se ky modeli na ndihmon të kuptojmë se përse në Vuhan, ku nisi epidemia, shumë nga rastet e para nuk u identifikuan menjëherë.
Regjimi fillestar i testimeve në shumë spitale kineze, nuk zbuloinë çdo rast infeksion në periferinë e mushkërive, prandaj disa njerëz me simptoma u dërguan në shtëpi pa asnjë lloj trajtimi.
“Ata u detyruan të shkonin në spitale të tjera për të kërkuar trajtim, ose të qëndronin në shtëpi duke infektuar familjen e tyre. Kjo është një nga arsyet, pse koronavirusi ka pasur një përhapje kaq të gjerë”- u shpreh ai. Një studim i kohëve të fundit nga një ekip i udhëhequr nga studiues në Shkollën e Mjekësisë Ikan në Malin Sinai, zbuloi se më shumë se gjysma e 121 pacientëve në Kinë, kishin pasur analiza normale në fillim të sëmundjes së tyre. Ky studim, dhe puna e doktor Xiaos, tregojnë se ndërsa sëmundja përparon, skanimet tregojnë praninë e shumë llojeve infeksionesh virale të frymëmarrjes. Këto infeksione mund të shpërndahen.
A janë mushkëritë e vetmja pjesë e trupit që preket?
Jo domosdoshmërisht. Dr.Filips thotë se infeksioni mund të përhapet nëpër mukozat, nga
hunda deri poshtë në rektum. Prandaj virusi nuk shfaqet vetëm në mushkëri. Pasi ai mund të jetë në gjendje të infektojë qelizat në sistemin gastrointestinal, thonë ekspertët . Kjo mund të jetë arsyeja, se përse disa pacientë kanë simptoma si diarreja apo dispepsia.
Ndërkohë, virusi gjithashtu mund të futet në rrjedhën e gjakut, tha Dr. Schaffner. Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, thonë se ARN-ja e koronavirusit është zbuluar në ekzemplarë gjaku dhe jashtëqitje. Por mbetet e paqartë, nëse virusi mund të rrugëtojë në gjak apo jashtëqitje.
Ndërkaq, dr.Xhorxh Diaz, udhëheqës i seksionit për sëmundjet infektive në “Providence”, thotë se edhe palca e kockave dhe organe si mëlçia mund të acarohen. Në fakt, virusi do të prekë edhe organe si zemra, veshkat, mëlçia, dhe mund të shkaktojë dëme të drejtpërdrejta tek këto organe, thotë dr.Shafner.
Ndërsa sistemi imunitar i trupit, vihet në alarm për ta luftuar infeksionin, inflamacioni që shkakton ky reagim mund të shkaktojë mosfunksionim të këtyre organeve, thekson ai. Për pasojë, disa pacientë mund të pësojnë jo vetëm dëmin që i është shkaktuar nga virusi, por edhe nga vetë sistemi i tyre imunitar, pasi ai nxiton që të luftojë infeksionin.
Ekspertët nuk kanë dokumentuar ende, nëse virusi mund të ndikojë në tru. Por shkencëtarët që studiuan epideminë e SARS-it, kanë raportuar disa prova se ky virusi mund të depërtojë në tru tek disa pacientë. Një studim i botuar muajin e kaluar në “Gazetën e Virologjisë Mjekësore”, argumentoi se nuk mund të përjashtohet mundësia, që koronavirusi i ri të jetë në gjendje të infektojë disa qeliza nervore.
Pse disa njerëz sëmuren, por shumica jo?
Rreth 80 për qind e njerëzve të infektuar me koronavirusin e ri, kanë simptoma relativisht të buta. Por rreth 20 për qind e njerëzve sëmuren më seriozisht, dhe në rreth 2 për qind të pacientëve në Kinë, vendi që ka pasur shumicën e rasteve, sëmundja ka qenë me pasoja fatale për jetën.
Ekspertët, thonë se efektet duket se varen nga ajo se sa i fortë apo i dobët është sistemi imunitar i një njeriu. Të moshuarit apo ata që vuajnë nga sëmundje kronike, si diabeti apo ndonjë sëmundje tjetër, kanë më shumë të ngjarë që të shfaqin simptomat më të rënda.
Përgatiti: Silvana Tresa